Prof. Agron F. Fico: Shpallni vitin “Kadare” në 80-vjetorin e lindjes!

120
Shumë i nderuari zoti Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë!
E nderuara zonja Zamira Rami, Kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës!
Ju përshëndes dhe ju përgëzoj për punët e bukura dhe të mbara që po bëni për Shqipërinë tonë të dashur, që po ecën në rrugën e duhur. Më 28 janar 2016 shkrimtari sipëran, Ismail Kadare, mbush 80 vjeç. Mendimi sokratik i zotit Edi Rama, Kryeministri ynë, se “ku nderohet Kadareja duartrokitet Shqipëria” më motivon që të vij pranë jush me propozimin që 80-vjetori i jubileut të shkrimtarit Ismail Kadare të nderohet në shkallë kombëtare. Ndihem i përulur po t’ju them se për 70-vjetorin e ditëlindjes së tij organizova në Nju Jork, në një sallë në Manhattan, një ceremoni solemne shkencore dhe me një program artistik cilësor. Tani kemi edhe më shumë arsye për ta bërë festë mbarë-kombëtare ditëlindjen e tetëdhjetë të Kadaresë. Për këtë propozoj:
1. Të shpallet viti 2016, me një vendim qeveritar, Viti i Kadaresë.
2. Qeveria të marrë përsipër sponsorizimin e botimit të veprave të zgjedhura të Kadaresë.
3. Të botohet një pullë postare me portretin e shkrimtarit.
4. Në Gjirokastër të përfundojë dhe të përurohet/ hapet shtëpia muze e Kadaresë.
5. Gjimnazi i tanishëm të marrë emrin e Ismail Kadaresë.
6. Para hyrjes së gjimnazit të ngrihet një shtatore e poetit në moshën djaloshare.
7. Në bashkëpunim me Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Nju Jork dhe me Universitetin “Çabej” të organizohet një konferencë shkencore ndërkombëtare.
8. Në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe në Diasporën shqiptare nëpër botë të organizohen kremtime me konferenca, koncerte e tubime, kushtuar veprës së shkrimtarit Ismail Kadare.
9. Masmedia, si publike edhe private, t’i jepet një vend i gjerë publikimit të shkrimeve rreth veprës së shkrimtarit të njohur.
Me mendimin më të mirë dhe me detyrimin intelektual, mbetem besimplotë se këto propozime do të bëhen pjesë e një programi më të gjerë për të festuar këtë ngjarje të shënuar, 80-vjetorin e lindjes të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.