Policia jo vetëm e kanabizuar, por dhe e politizuar

604
Nga Miltiadh M. MUÇI
“Nëse sot do të isha Ministër i Rendit”, është titulli i intervistës së kërkuar 12 vjet më parë, për t’u botuar në numrin e 22 korrikut 2005 të gazetës “Emigranti”, të cilën nuk mund ta refuzoja kur thuajse gjysma e shqiptarëve kanë provuar, të jetojnë qoftë për pak kohë jashtë vendit të tyre. Njëra nga pyetjet e intervistës ishte: “Nëse do të kishe post të rëndësishëm në qeveri, cili është ndryshimi që do të bëje në të mirën e shoqërisë” ? Kësaj pyetje i jam përgjigjur, “Do të doja të mos bjerë në veshin e shurdhër të politikanëve, që postet ministrorë të Rendit, Drejtësisë, Pushtetit Lokal, dhe të drejtuesve të Kontrollit të Shtetit, SHISH-it, Gjykatave e Prokurorisë të gjithë niveleve, në kushtet e demokracisë tonë tepër të brishtë, të mos jenë politikë”. Kur kanë kaluar 12 vjet nga intervista, përvoja në gjithë legjislaturat ka qenë me shumë probleme, në veçanti për postin e Ministrit të Brendshëm, të cilët kanë qenë politikanë të ardhur nga anëtarësia e partive, midis figurave kryesore të politikës si Bujar Nishani President i Republikës, Lulim Basha Kryetar i PD-ës, Saimir Tahiri Kryetar i PS-ës për kryeqytetin. Politizimi i institucioneve është shtrirë në hallkat e tjera në qendër e në rrethe, po kështu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtorët e Zv. Drejtorët e Ministrisë së Brendshme. Përzgjedhje kanë ndodhur edhe në sektorë të veçantë, si të Policisë Shkencore ku drejtues janë vendosur persona, duke mos qenë specialistë të fushave të kësaj Policie. Përvojat ose shembujt e politizimit në polici janë të panumërta. Më të fundit ndodhën në ditët e largimit të ish-Ministrit Tahiri dhe ditët e para të ministrit të ri Xhafa. Kushdo i pa momentet e takimeve të Kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës, me efektivat e Drejtorisë së Qarkut dhe të Policisë Rrugore të Tiranës, ku në banderolën e shpalosur lexohej: “Faleminderit Saimir Tahiri”. Po kështu të ish – Kryetarit të Komisionit të Ligjeve të Parlamentit Xhafa, i cili në takimin më të parë me efektivat më të rinj të policisë, të rreshtuar në Akademinë e Policisë ju drejtua në pozitat e Ministrit të Brendshëm, për zgjedhjet e 18 qershorit 2017 dhe luftën kundër kanabis sativës, si përfaqësues politik i PS-ës në pushtet, duke shmangur drejtuesit kryesorë të policisë, Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Akademisë së Policisë së Shtetit, të pranishëm në takim. Në të gjithë fjalimet e ministrit, pse jo dhe të kryeministrit me efektivat e policisë, kushdo që ka qenë në pushtet, më janë dukur si të periudhës së sistemit totalitar, kur para efektivave të policisë dhe të ushtrisë flisnin përfaqësuesit e partisë, komisarët politik ku efektivave të policisë, duke qenë profesionistë nuk mund t’u jepen direktiva, por ngarkohen me detyra nga drejtuesit direkt të tyre, për rastet e situata që do veprojnë në kryerjen e detyrës. Këto nuk janë veçse takime mediatike, propagandistike, sikurse fushata e “korrjes” dhe “djegies” së kanabis sativës, në parcelat e territoreve të Shqipërisë në vitin 2016, kur në pragun e zgjedhjeve të 18 qershorit 2017, transportohen tonelatat e tij në drejtim të Italisë e Greqisë, edhe pse ish-Ministri Tahiri shpesh u ndodh në mesin e efektivave të policisë, por edhe të gazetarëve për t’u treguar shqiptarëve dhe të huajve, se ai me lidershipin e policisë po bënin gjithçka për mos të pasur kanabis sativa në shtetet e BE-s. Kështu po propagandohet dhe në sezonin e ri të mbjelljes e kultivimit të fidanëve të tij në 2017-ën. Politizimi i policisë më qartë është reflektuar në ndarjen e efektivave të saj, në rikthimin e gjithë atyre që mbështesin partinë që vjen në pushtet dhe largimin e të tjerëve që kanë qenë në mbështetje të partisë që lë pushtetin. Kjo ndarje u pa edhe në ditën e vrasjes së komisarit Artan Cuku, të homazheve dhe ditëve më pas, nga diskutimet jo vetëm të politikanëve në opozitë, por edhe nga ish efektiva të larguar të policisë në radhë e të cilëve ishte dhe viktima Cuku. Për këtë ndarje jam shprehur qartë edhe në shkrimin e 18 marsit 2017 me titull: Si “dështoi” promovimi i librit “Rrëfen Kriminalisti”, ku midis të tjerash shkruaj “ …dëshira më e madhe për promovim të tij mbetet, të bashkojë efektivët e sotëm të policisë me ish – policët e larguar, për shkak të bindjeve të kundërta me të lidershipit në pushtet, sikurse ka ndodhur në të gjithë rotacionet midis partive. Sa duket kjo ndarje do të vazhdojë kështu, derisa kanabizimi dhe politizimi i policisë çuditërisht e fatkeqësisht do të ndodhë nga çdo rotacion i pushteteve.
Sigal