Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, institucion i rëndësishëm politiko-ushtarak

577
Prof. Dr. Shahin LEKA
Përsosje të taktikës partizane

Duke ndjekur ecurinë e veprimtarisë luftarake me trupat gjermane, SHP vuri re aftësitë e këtyre trupave për të përdorur taktikën e luftës kundër partizane dhe epërsitë që siguruan ata në operacionet e para. Shtabi i Përgjithshëm (SHP )reagoi me shpejtësi ndaj këtyre epërsive të artit ushtarak gjerman, evidentoi mangësitë e shfaqura nga disa formacione partizane dhe përcaktoi rrugët për t’iu kundërvënë. Analiza e këtyre mangësive dhe kritika e të metave, ndihmonte të nxirreshin mësime nga të gjitha formacionet partizane. Krahas kritikës së mangësive, SHP bëri përgjithësime me vlera të mëdha për të përsosur më tej taktikën partizane, duke u mbështetur në përvojën që kishin fituar repartet e UNÇSH. Për të gjitha këto tipare pozitive të taktikës partizane, SHP jepte udhëzime që të rrënjoseshin fort në praktikën e organizimit e të drejtimit dhe në veprimtarinë luftarake të çdo komande e reparti partizan. Tërësia e urdhrave dhe udhëzimeve të dhëna nga SHP, për taktikën e luftës partizane dhe zbatimi i tyre me krijimtari në fushën e betejës nga formacionet e UNÇSH, pati ndikim të fuqishëm në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë luftarake. U rrit ndjeshëm përmasat e veprimeve luftarake në kohë e në hapësirë. Luftimet të inkuadruara në një ide të vetme shpesh synojnë t’i shkaktojnë armikut humbje të ndjeshme e të arrijnë çlirimin e zonave e të krahinave të tëra.

Taktika e luftës ballore
Çlirimi i krahinave dhe sidomos lufta për çlirimin e qyteteve, shtroi çështjen e taktikës së luftës ballore, një formë lufte thuajse e panjohur për formacionet partizane. Përballë kësaj gjendje SHP u tregua tepër i kujdesshëm. Në vartësi nga situata dhe objekti i sulmit, SHP vlerësonte si më të përshtatshëm ndërthurjen e dy taktikave. Në operacionet mësymëse për çlirimin e krahinave malore, SHP porosiste komandat e reparteve se edhe pse po përdoreshin gjerësisht metodat e luftës partizane, duhet t’i kushtoni kujdes edhe përvetësimit të elementeve të taktikës ballore. Tipare më të qarta taktika e luftës ballore merrte në veprimet luftarake për çlirimin e qyteteve. Mbështetur në detyrat e shtruara nga SHP për tu hedhur në mësymje për çlirimin e tyre, komandat e njësive përpunuan, përgatitën e stërvitën trupat për luftime në qytete, duke i kushtuar kujdes taktikës së luftës ballore. Goditjet koncentrike, mësymja në ballë të gjerë, ngushtimi shkallë shkallë i unazës së rrethimit, luftimet vendimtare në brendësi të qytetit etj., sipas porosive të SHP, u bënë veçori dalluese të veprimeve luftarake. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, taktika e luftës ballore arriti shkallën më të lartë të saj. Kjo luftë u bazua në planin e hartuar nga komanda dhe SHP i zbatuar me përpikëri nga komandat e të gjitha rangjeve. Efektivat e UNÇSH në një luftë dhëmbë për dhëmbë me armikun për 19 ditë rresht, manifestuan jo vetëm heroizëm e moral të lartë, por edhe aftësi e mjeshtëri në luftime të afërta, në veprimet luftarake për pushtimin dhe mbajtjen e ndërtesave, të kryqëzimeve e të rrugëve, të objekteve të fortifikuara etj.

Drejtim në formë direktive
Detyrë tjetër tepër e rëndësishme e Shtabit të Përgjithshëm ishte drejtimi i drejtpërdrejt i veprimtarisë luftarake të njësive të UNÇSH-së. Natyra e luftës partizane është e tillë që kërkon nga komandantët e formacioneve të UNÇSH-së të kenë më tepër pavarësi njësitë që veprojnë në front të rregullt. Për rrjedhojë, edhe urdhrat luftarake SHP nuk i jepte të prerë, por në formë direktive, komandantët e reparteve e të njësive udhëzoheshin të zgjidhnin vet objektivat që do të godisnin, duke vepruar me shpirt krijues e duke gjetur rrugë e forma sa më efektive për zbatimin e detyrës së dhënë. Pavarësia që u lejohej komandave të formacioneve partizane ishte relative. Në urdhrin e veprimit atyre u përcaktohej rajoni ku do të vendoseshin e objektivat e armikut në atë rajon, si dhe rrugët e komunikacionit që do të mbanin në kontroll. Segmentin e rrugës ku do të organizonin pritën apo goditjen, forcat që do të përdornin dhe kohën e zënies së pritës, i përcaktonin vet komandat. SHP u jepte gjithashtu komandave të njësive edhe urdhrin e zhvendosjes në një rajon tjetër në vartësi nga perspektiva e zhvillimit të situatës.

Shtabi i Përgjithshëm institucion i rëndësishëm politiko-ushtarak
Shpesh anëtarë të SHP ndodheshin së bashku me komandat e njësive, analizonin gjendjen e përcaktonin detyrat. Brenda këtyre kornizave shtrihej nisma e pavarësisë e komandave të formacioneve partizane, veprimtaria e të cilave nuk mund të dilte jashtë urdhrave e direktivave të SHP. Në këtë këndvështrim duhet parë e vlerësuar edhe roli i SHP si institucion i rëndësishëm politiko-ushtarak për organizimin dhe drejtimin e formacioneve të UNÇSH. Me krijimin dhe veprimtarinë e tij, lufta e armatosur e popullit shqiptar, hyn në një etapë të re zhvillimi. Ajo mori karakter më të organizuar, më të gjerë, e më të ashpër. Udhëheqja strategjike e operative e UNÇSH u ngrit në një shkallë më të specializuar. Për përballimin e operacioneve kryesore mësymëse të pushtuesve gjermanë SHP çështjet e hartimit të planeve, organizimit dhe kryerjes së zbulimit strategjik, krijimit dhe përdorimit të rezervave etj. Nëpërmjet një veprimtarie intensive SHP organizoi, bashkërendoi e drejtoi operacionet kryesore mësymëse të UNÇSH. SHP u krijua në një moment shumë të rëndësishëm për ecurinë e LANÇ-it. Në aspektin politik shtabi ishte në vartësi të drejtpërdrejt të KQ të PKSH. Tetë nga 12 anëtarët e SHP ishin anëtarë të PKSH, shumica në funksione drejtuese në organet qendrore apo lokale, ndërsa komisari i shtabit ishte njëherazi edhe sekretari i parë i PKSH. Prezenca në shtab e shumicës dërmuese nga përfaqësuesit e PKSH e lidhte tërësisht shtabin si në aspektin politik e ideologjik, ashtu edhe në aspektin organizativ me PKSH. Edhe pse SHP u krijua me një vendim të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, në veprimtarinë e mëtejshme të këtij shtabi, ky këshill s’kishte asnjë funksion. Më tej këto organe kishin vetëm marrëdhënie bashkëpunimi. Në fushën e betejave anëtarët e shtabit, si edhe masa e kuadrove drejtuese të formacioneve të UNÇSH, shpalosën aftësi e merita, përballuan vështirësi të panumërta. Mbështetur në këtë përvojë, si dhe në një sistem efektiv përgatitjeje e shkollimi, por konsiderohej një shtab drejtues i aftë e në një gjendje realitet të fuqishëm. Por krahas këtij procesi pozitiv, filloi të veprojë edhe procesi negativ, destruktiv i frymë nga një politikë diktatoriale që vuri në shënjestër udhëheqjen operativo-strategjike të ushtrisë. Metastazat e këtij diktati politik prodhuan atë kalvar të gjatë goditjesh, persekutimesh, burgosjesh mbi një plejadë të tërë kuadrosh nga më të përgatiturat. Diktatura nuk kurseu as anëtarët e SHP të UNÇSH-së, duke filluar me Mustafa Gjinishin në prag të çlirimit, e duke vijuar me Bedri Spahiun, Ymer Dishnicën, Sejfulla Malishovën, Dali Ndreun, që përbënin trauma të rënda, rrjedhje të ndjeshme në efekasitetin e udhëheqjes operativo-strategjik të ushtrisë shqiptare. U desh shumë djersë e përpjekje që kuadri ushtarak me përkushtimin e tij, por edhe me përgatitjen teorike e profesionale, mundi të arrinte nivele të mira të përgatitjes e të gatishmërisë luftarake të ushtrisë.
Sigal