Çahet mazhoranca, PS “përzë” Idrizin nga vetingu

481
Votohen 2 kandidatët e PS-së dhe 1 nga LSI. PDIU paralajmëron reagimin dhe largimin nga Rama: Procesi u shkatërrua

Partia Socialiste i ka dhënë një goditje aleatit të saj në qeverisje, Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke mos votuar kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi, si anëtar të komisionit përzgjedhës për vetingun. Kuvendi ka miratuar dje në një seancë të jashtëzakonshme, tre nga emrat e komisionit të përbashkët për procesin e kontrollit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve. Nga shumica parlamentare u propozuan 4 emra për 3 vende të mundshme, ndërsa opozita nuk merrte pjesë në seancë. Socialistët dërguan 2 propozime në seancë, ndërsa LSI dhe PDIU nga 1 anëtar. Në këtë mënyrë, “viktimë” e votimit ishte Shpëtim Idrizi, i cili u mbështet vetëm nga LSI dhe votat e partisë së tij. Vasilika Hysi (PS) me 80 vota, Ulsi Manja (PS) me 78 vota si dhe Luan Rama (LSI) me 85 vota janë anëtarë të komisionit. Ndërkaq Shpëtim Idrizi mori vetëm 23 vota pro. Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi janë 2 anëtarët e Partisë Socialiste për komisionet e vetingut. Anëtari i tretë i maxhorancës i përket LSI, e cila para një muaji pati caktuar Luan Ramën.

Pavarësisht këtij votimi në Kuvend, komisioni nuk mund të jetë funksional, pasi mungojnë tre emrat e opozitës, e cila ka bojkotuar Kuvendin prej mesit të shkurtit. Sipas ligjit të vetingut, opozitës i takojnë 3 anëtarë të tjerë dhe komisioni nuk bëhet dot funksional pa të. Komisioni i vetingut, i përbërë nga deputetë, duhet të bëjë përzgjedhjen mes kandidaturave, të njerëzve që do të bëjnë vetingun (kontrollin e figurës) e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në tryezën e deputetëve, në momentin e fillimit të punës, do të jenë 67 kandidatët e përzgjedhur nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, si dhe emrat që nuk kanë marrë miratimin e tyre. 

Reagimi
Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së, Mesila Doda, si në fjalën e saj në seancën plenare dhe jashtë sallës së Kuvendit, shprehu zhgënjimin për mospërzgjedhjen e Shpëtim Idrizit si anëtar të komisionit “ad hoc” për vetingun. Sipas saj, një gjë e tillë nuk e ndihmon marrëdhënien mes aleatëve qeverisës. “Është çuditshme si erdhën dy kandidatura në emër të PS. Së pari tentuan të kalonin PDIU si pjesë të opozitës. Por ne kemi dy vjet që kemi kaluar në koalicion me PS. Ne nuk kemi pasur ndërmend të bëhemi pjesë e kësaj farse. Pastaj zgjodhën këtë formë, pasi u shkatërrua procesi mes mazhorancës dhe opozitës. Dua të them që ata duan ta kontrollojnë gjithë procesin, por në fakt është ai, sovrani që vendos”, sqaroi ajo.

E pyetur nëse “djegia” e kandidaturës së Idrizit do të ndikonte në marrëdhëniet mes aleatëve dhe nëse PDIU-ja do të ishte sërish në koalicion me Ramën, ajo u përgjigj: “Do të kemi vendim shumë shpejt, do të kemi një konsultim të gjerë më parë”. “Kjo nuk e ndihmon aspak marrëdhënien mes aleatëve, ishte një proces që u shkatërrua”, përfundoi Doda.

PDIU garoi në zgjedhjet e vitit 2013 si pjesë e koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike, por më pas kjo parti u bë pjesë e koalicionit qeveritar. 

Rama: Vetingu nuk ndalet
Kryeministri Edi Rama e komentoi menjëherë votimin në Kuvend për zgjedhjen e disa anëtarëve të komisioneve të vetingut. “Procesi i zbatimit të Ligjit të Vetingut nisi me votën e Kuvendit sapo. Mund ta vonojnë po as Vetingun as Shqipërinë nuk e ndalojnë dot”, u shpreh Rama në një koment të shkurtër në rrjetet sociale. 

DY KOLONA
Çfarë parashikon Kushtetuta
1 – Brenda tre ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kuvendi krijon një komision “ad hoc” me gjashtë anëtarë të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare. Komisioni, me të paktën katër vota, mund të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale. Komisioni, me të paktën pesë vota, mund kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit tek lista e kandidatëve për votim. Brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni “ad hoc” i përcjell listën e kandidatëve për votim për secilin pozicion komisioneve “ad hoc” përzgjedhëse. Dy listat e tjera nuk dërgohen për votim.

2 – Kuvendi krijon brenda dhjetë ditëve dy komisione “ad hoc” përzgjedhëse të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, ku një komision ka 12 anëtarë dhe një ka 6 anëtarë.

3 – Brenda 30 ditëve nga konstituimi i komisionit “ad hoc”, secili anëtar i komisioni me 12 anëtarë përzgjedh një kandidat për komisioner nga lista e kandidatëve për votim pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Komisioni përzgjedh më pas dy kandidatë nga lista e kandidatëve për votim për komisionerë publikë permes një votimi ku dy kandidatët me më shumë vota quhen të përzgjedhur. Në rast barazie të votave, fituesit përzgjidhen me short. Dy kandidatë zëvendësues për secilin pozicion përzgjidhen në të njëjtën mënyrë si për Komisionerin Publik.

4 – Brenda 30 ditëve nga konstituimi i komisionit ad hoc, secili prej 6 anëtarëve të komisionit përzgjedh nga lista e kandidatëve për votim një kandidat për gjyqtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Komisioni më pas përzgjedh gjyqtarin e shtatë nga kandidatët e mbetur të listës së kandidatëve për votim përmes një votimi të thjeshtë ku kandidati me më shumë vota quhet i përzgjedhur. Në rast barazie të votave, fituesi përzgjidhet me short. Dy gjyqtarë zëvendësues për secilin pozicion përzgjidhen në të njëjtën mënyrë si për gjyqtarin e shtatë.

5 – Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga dy komisionet “ad hoc” përzgjedhëse përmblidhen në një listë të vetme dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve “ad hoc” për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Kuvendi, brenda 10 ditëve, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj.

6 – Anëtari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisioneri Publik ushtrojnë detyrën me kohë të plotë dhe nuk mund të mbajnë asnjë pozicion apo të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër gjatë kohëzgjatjes së mandatit.

7 – Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë kanë buxhet, administratë dhe mjedise të mjaftueshme për të kryer funksionet e tyre si dhe për ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë, sipas ligjit.
Sigal