“Për mua dashuria është e shenjtë”

768
Sigal

INTERVISTA/ Jonela Dino pjesëtare e Big Brother 4, rrëfehet për lexuesit e “Telegraf”

Ajo është një femër e thjeshtë që respekton të kaluarën, por sheh me optimizëm të ardhmen. Për të Big Brother- 4, ishte një aventurë dhe një eksperiencë po kaq e bukur, që pak kujt i jepet shansi në jetë që ta shijojnë. Puna në një zyrë avokatie i ka dhënë në jetë prakticitetin ku sipas saj avokati Serxhio Mazreku i ka hapur dyert kryesore të njohjes së njeriut. Vetëm puna e ka bërë serioze në profesion dhe të respektueshme nga klientët. Është e qetë, simpatike dhe kurajoze. Është një adhuruese e udhëtimeve, dhe i pëlqen shumë natyra, bregdeti, vendet antike.

-Femrat kanë natyra të ndryshme, por dhe gjëra të përbashkëta, çfarë të bën ty të ndryshme nga femrat e tjera?

Unë mendoj se çdo individ ka të veçantat e tij, por nuk mendoj se mund të jem unë personi adapt që mund të jap një konkluzion për veten time mbi këtë çështje. Mund të them me bindje që ndryshe nga moshataret e mia, më pëlqen të marr përgjegjësi të mëdha dhe ta arrij qëllimin për kryerjen e një objektivi në lidhje me punën, gjë që te pak femra mund ta kem hasur këtë lloj force.

-Kur flasim për një 24 orësh. Si nis dita për Jonelën?

Unë zgjohem në orën 7:00 për të startuar me shkollën e më pas me punën. Ndonjë pushim të vogël në ndonjë kafe apo restorant e më pas në shtëpi ku dhe aty nis një program tjetër.

-Jeni studente?

PO! Jam në vitin e tretë për ”Diplomaci”, në të njëjtën kohë punoj në një kompani të re ku ofrohen shërbime të ndryshme, në kohën e lirë merrem edhe me ndonjë organizim të vogël kulturor – edukativ.

-Ke një emër interesant. A ta kanë thënë shpesh?

(qesh).. Emri im është formuar në saj të bashkimit të emrave të familjes sime dhe kurrsesi nuk do të doja ta ndryshoja me asnjë emër tjetër (buzëqesh) mbi të gjitha shpesh i falënderoj familjarët e mi që janë munduar të krijojnë këtë emër ku të gjithë shkronjat e tyre tingëllojnë shumë bukur në një emër të vetëm dhe mbi të gjitha që këtë e mbaj unë…

-Cilat janë pikat e tua më të forta dhe ato më të dobëta?

Të fortat, besnikëria, sinqeriteti dhe optimizmi. Por nga ana tjetër do ishte e dhimbshme tu jepja ushqimin më të mirë keqdashësve.

-Aktualisht a jeni e dashuruar?

Në intervistat e mëparshme nuk jam prononcuar përsa i përket jetës private, por e ndjej ta shprehë në këtë intervistë. Jam e dashuruar.

-Si do ta cilësonit emërtimin dashuri?

Për mua është ndjenja më sublime, një ndjenjë shumë e veçantë të cilës nuk mund t’i gjej dot asnjë krahasim.

-A është e kundërta e dashurisë, urrejtja?

Urrejtja nuk bën pjesë në jetën time, nuk e njoh, nuk e di se çfarë është dhe nuk e di nëse është e kundërta.

-A ke qenë në ndonjë situatë e tradhtuar?

Për të qenë sa më e sinqertë, besoj se jemi të gjithë në dijeni që në të përditshmen tonë na rrethojnë dashamirës dhe keqdashës. Nga këta të dytët e tradhtuar nuk mund të jem ndjerë, por e zhgënjyer po.

-Luku dhe Jonela?

Kontrollohem mirë para se te dal. Për mua është shumë e rëndësishme, është edukatë të mirëmbash dhe kujdesesh për trupin dhe lukun. Është një rregullues i mirë i gjendjes shpirtërore dhe një paraprezantim që i bën vetes.

-Kur fitet për fundjavën?

Unë jam një adhuruese e udhëtimeve, më pëlqen shumë natyra, bregdeti, vendet antike dhe me patjetër që në ditët e mia të pushimit unë do të jem e organizuar në diçka të bukur larg vendlindjes.

-Sa e rëndësishme është familja për Jonelën?

Shtëpia dhe familja ime është vendi dhe rrethi më i shenjtë për mua. Ne kemi një lidhje shumë të ngushtë me njëri –tjetrin, ku mirëkuptimi ka rolin kryesor.

-Cila është dhurata më e bukur që të kanë bërë?

Dhurata më e bukur, ndryshe nga dhuratat e shpeshta është portreti im pikture për 20-vjetorin tim nga miqtë e mi më të mirë.

-Ëndrra në sirtar?

Të vizitoj Japoninë.

-Jonela dhe kuzhina?

Më pëlqen kuzhina. Mundohem të gatuaj sa më shijshëm duke i ndenjur strikte recetave të një prej këshillueseve më të mira të kuzhinës dhe drejtoreshës së federatës gastronomike shqiptare: Katerina Gremo, me të cilën edhe punoj.

-Një risi në jetën tënde. Pse ishte në “Big Brother”Jonela?

Big Brother-i ka qenë një nga reality show më të veçantë të këtyre 5 viteve. Një reality show ndryshe nga të tjerët ku mund të provosh më së miri veten në marrëdhënie me karaktere të ndryshme, ku rol të rëndësishëm luan intriga, tensioni, ambienti i mbyllur, kamerat etj. Është bukur ta përjetosh dhe unë do ta ruaj si një nga aventurat më të bukura të jetës sime deri më tani.

-Aktualisht a të shërbeu Big Brother si një trampolinë ideale për synimet e tua?

Jo, nuk mund ta pranoj këtë, por që absolutisht në disa fusha kam pasur lehtësira për shkak të familjarizimit që njerëzit kanë pasur me mua nëpërmjet Tv.

-Post Big brother…A identifikohesh edhe sot si Jonela e Big Brotherit nga të tjerët?

Po vazhdoj të identifikohem kështu, si Jonela e BIg Brotherit dhe të them të drejtën nuk është që më shqetëson.

-Sa e rëndësishme është vërtetësia brenda këtij reality show,dhe sipas teje a e kanë kuptuar realisht banorët e sivjetshëm këtë?

Nuk mund të them që është 100% reality show se sa mund të them që aty është një realitet i sajuar nga ideatorët e këtij emisioni. Për sa i përket jetesës aty brenda medoemos t’i duhet të marrësh një rol që nuk mund të jetë 100% tipi jot përderisa është një lojë me sfida dhe që për t’ia dalë mbanë deri në fund duhet të jesh  shumë e kujdesshme për të ruajtur autoritetin e rolit që ty të nevojitet. Në “Big Brother” fitojnë të vërtetët, apo ata që aktrojnë më bukur?:Ata që luajnë më bukur.

-Po ti çfarë bëre?

Unë nuk luajta gjatë, por e shijova shumë. Nuk ishte synimi im fitorja, këtë e kam parashtruar që para se të merrja pjesë…

-A mendon se e shfaqe plotësisht veten?

Plotësisht do gënjeja po ta thoja, por isha e njëjta Jonelë që kam në jetën e përditshme.