Nga suksesi në sukses, producenti Izet Morina me filmin e ri, “Aktorët e Kanës”

1048
Bisedoi: Ermira Babamusta, New York 
Intervistë me Producentin Izet Morina, Drejtor Ekzekutiv i N.Sh. “Plisi Film” 
Producenti dhe ekonomisti i njohur Izet Morina ka lindur në Rahovec në 1986. Shkollën e mesme e ka kryer në Ratkoc, ndërsa në vitin 2011 ai kreu studimet e larta te Fakulteti Ekonomik i AAB-së, dega “Menaxhment dhe Informatikë” në Prishtinë. Tani ndjek dy master, “Manaxhment dhe Informatikë” te Kolegji i Biznesit në Kosovë dhe është i regjistruar për masterin e dytë dega “Administrim Publik dhe Diplomaci” tek Kolegji AAB. Është themelues dhe Drejtor Ekzekutiv (CEO) i shtëpisë filmike N.Sh. “Plisi Film” (www.plisifilm.info). 

Në vitin 2012 Izet Morina themeloi në Prizren shtëpinë e njohur filmike “Plisi Film” bashkë me regjisorin dhe skenaristin vizionar Mentor Spahiu. Nëpërmjet shtëpisë së tyre filmike “Plisi Film” ato kanë prodhuar disa filma dhe dokumentarë, që kanë pasur sukses ndërkombëtar. Producenti Izet Morina njihet për filmat “The War”, “Tanku në Oborrin Tim” dhe “Toka e Zotit”, të cilët janë pranuar zyrtarisht në mbi 30 festivale ndërkombëtare, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Nju York, Itali, Angli, Austri, Francë, Gjermani, Suedi, Indi, Barcelonë, Australi, Norvegji, Turqi, Tajvan, Maltë etj. 
“Tanku në Oborrin Tim” është fitues i çmimit “Media Award” në Shqipëri, ndërsa filmi “The War” mori nominimin “Filmi më i mirë” në Itali. Filmi “Toka e Zotit” (God’s Land) bën fjalë për dy familje shqiptare në hasmëri, të cilët nuk pajtohen për punën e tokës. Në rolet kryesore luajnë aktorët e talentuar: Xhevat Qorraj, Mehdi Popaj dhe Avdulla Gjikoka. Filmi “Toka e Zotit” është produksion i “Plisi Film” dhe “Iliria Film”, me regji nga Mentor Spahiu, skenar Luan Kryeziu, producent Izet Morina, DP Besfort Malsiu dhe Lulzim Islami, editimi Dibran Kryeziu. Një tjetër film që korri sukses të madh titullohet “The War” (2014), me aktor kryesor Erian Morina, me producent Izet Morina, me regji dhe skenar nga Mentor Spahiu, produksion i “Plisi Film” dhe “Gegnia Film”. Filmi trajton temën e pasluftës dhe përshkruan revoltën e fëmijëve përballë pasojave të luftës. Filmi “The War” është pranuar edhe në Bullgari, në Spanjë, si edhe në garën për Filmin Më të Mirë të metrazhit të shkurtër në festivalin “PiGrecoZen Film Festival” në Itali. Filmi tjetër me producent Izet Morina që pati sukses të bujshëm titullohet “Tanku në oborrin tim” (2014, Tank On My Yard). Në këtë film luajnë aktorët e njohur, si: Selman Lokaj, Fatime Llugiqi, Selami Taraku, Rabije Kryeziu, Alban Qela, Molika Maxhuni, Donika Ahmeti, Elirjeta Morina, Endrit Spahiu dhe Leonita Spahiu. Filmi bën fjalë për familjen e një dëshmori dhe përkujtimi i tij me tankun si lapidar. “Tanku në oborrin tim” është realizuar nga produksioni “Plisi Film” dhe “Gegnia Film”, regji dhe skenari nga Mentor Spahiu, DP Bujar Zeqiri dhe Fisnik Muji, montazhi nga Durim Kryeziu. Muzika e filmit është punuar nga Hajrullah Syla, me post-produksion nga Arian Rogova “GalaxyPictures” dhe organizator Besmir Spahiu. Momentalisht producenti Izet Morina po merret me filmin e ri dokumentar me metrazh të gjatë me titull “Aktorët e Kanës” (Actors of Cannes), me skenar dhe regji nga Mentor Spahiu, me produksion Plisi Film dhe DP Isak Duraku. Filmi flet për helmimin e nxënësve dhe të rinjve shqiptarë në Kosovë nga Serbia, në fillim të viteve ’90. Filmi po xhirohet në Kosovë, Francë dhe në Kroaci. 
Cili është filmi apo projekti i rradhës? Për çfarë bën fjalë ai?
Aktualisht po punojmë në filmin e metrazhit të gjatë, “Aktorët e Kanës”. Skenarin dhe regjinë e ka bërë Mentor Spahiu. Filmi flet për helmimin e nxënësve dhe të rinjve shqiptarë në Kosovë në fillim të viteve ’90. Materialet dhe burimet e shfrytëzuara të këtij filmi do të japin një pasqyrë më të qartë të asaj që ka ndodhur në të vërtetë në atë kohë në Kosovë, ku ishin aplikuar masat e dhunshme të Serbisë në të gjitha fushat e jetës tek ne. Besojmë se filmi do të realizohet në nivel të lartë artistik dhe do të pritet mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika e filmit.
Flisni për realizimin e projektit, ku po xhirohet?
Filmi po të realizohet në Kosovë, Francë dhe në Kroaci. Deri tani kemi kryer disa intervista të rëndësishme me mjekët francezë dhe shqiptarë që dhanë ndihmën e shpejtë në kohën e helmimeve masive dhe që kanë verifikuar përdorimin e helmit ushtarak “Sarin”.
Na tregoni më shumë rreth vetes dhe fillimet tuaja si producent filmash?
Ndonëse kam studiuar për ekonomi, lidhja ime me filmin ka qenë e rastësishme. Duke dashur të ndihmoj një mikun tim, student në Fakultetin e Arteve në degën e regjisë, u futa krejt pa dashje në film. Puna në këtë profesion filloi të më japë kënaqësi dhe e pranova si sfidë personale. Dëshira për t’u marrë me këtë degë të artit sa vjen e rritet dhe kam nisur të ndjehem mirë. Krijimtaria artistike më nxit për të menduar dhe krijuar.
Cilat janë disa nga arritjet tuaja deri tani?
Një nga projektet e suksesshme ishte filmi i metrazhit të shkurtër “Toka e Zotit” (2013). Skenarin dhe regjinë e këtij filmi e ka realizuar Mentor Spahiu. Filmi u vlerësua shumë dhe mori pjesë në disa festivale të filmit të metrazhit të shkurtër, si “See a Paris Film Festival” në Francë dhe Gjermani, “Albanian Film Week” në Nju Jork, “Nive Eleven Festival” dhe “Skena UP” në Kosovë. Filmi “Toka e Zotit” bën fjalë për dy familje shqiptare, të cilat janë në hasmëri të gjatë me njëra tjetrën dhe nuk ia arrijnë të pajtohen derisa të dy kryefamiljarët gjejnë vdekjen, pikërisht në tokën e tyre. Sukses të përafërt arritëm edhe me filmin tjetër të metrazhit të shkurtër “Tanku në oborrin tim” me regji dhe skenar nga Mentor Spahiun, me të cilin kemi realizuar edhe gjashtë filma të tjerë së bashku. Publiku i ka pritur mjaft mirë të gjitha filmat prodhuar nga Plisi Film dhe janë pranuar në shumë festivale ndërkombëtare për garim. Filmat “Tanku në oborrin tim” dhe “The War” pjesëmarrës në katër festivale në Amerikë: “Wiper Film Festival” dhe “Ridgefield Independent Film Festival” në Nju Jork, “Student Art Festival” në Florida dhe “Eastern NC Film Festival” në North Karolina. “Tanku në oborrin tim” u realizua në tetor 2014, trajton një temë sociale. Ndërkohë që ngjarja zhvillohet në kohën e luftës së fundit në Kosovë dhe në atë të pasluftës përmes një familje të dëshmorit, përkatësisht babait të tij. Filmi është shfaqur edhe në “West Nordic International Fim Festival” në Norvegji. Një nga filmat tanë që pati sukses ndërkombëtar është “The War”, me regjisor Mentor Spahiu, prodhim i shtëpisë filmike “Plisi Film” dhe “Gegnia Film”. “The War” është një projekt filmik i metrazhit të shkurtër i cili trajton temën e pasluftës dhe përshkruan revoltën e fëmijëve përballë pasojave të luftës. Filmi “The War” është pranuar në Amerikë, në “‘Quarantine Festival Film” në Bullgari, në edicionin e 28-të “Girona Film Festival” në Spanjë. Po ashtu, është pranuar edhe në garën për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër në “PiGrecoZen Film Festival” në Itali, ku mori nominim “Filmi më i mirë”, dhe në shumë festivale të tjera ndërkombëtare.

Me cilët aktorë keni bashkëpunuar për të realizuar filmat tuaj të suksesshëm si “Toka e Zotit”, “Tanku në Oborrin tim” dhe “The War”?
Filmi “Toka e Zotit” në rolet kryesore ka aktorët Xhevat Qorraj, Mehdi Popaj,edhe Avdulla Gjikoka. Ndërsa në filmin “The War” aktori kryesor është Erian Morina. 
Në filmin “Tanku në oborrin tim” luajnë: Selman Lokaj, Fatime Llugiqi, Selami Taraku, Rabije Kryeziu, Alban Qela, Molika Maxhuni, Donika Ahmeti, Elirjeta Morina, Endrit Spahiu dhe Leonita Spahiu. 
Për çfarë bën fjali filmi fitues “Tanku në Oborrin tim”? 
“Tanku në Oborrin tim” flet për një familje dëshmori. Djali i tyre ra dëshmor duke mbrojtur familjen dhe shtëpinë, të cilën e shkatërron një tank serb. Dhe ai tank mbetet aty, në oborrin e shtëpisë, deri pas lufte dhe çdo herë bashkëluftëtarët i vënë kurora tankut dhe e përkujtojnë dëshmorin. Ai tank aty mbetet si lapidar. 

Dëshmori ka lënë jetimët e tij dhe kushtet e jetës bëhen të vështira për gjyshin që kujdeset për fëmijët jetimë. Ai detyrohet që ta shesë tankun lapidar, vetëm që t’i shkollojë nipat, mbesën e tij, fëmijët e djalit të dëshmorit. E shet tankun, kujtimin e djalit të tij që u vra në atë tank. E shet vetëm që t’i blejë libra të paguaj gjithçka për shkollën që të shkollohen fëmijët. Dëshmori mbrojti familjen e vet, ishte vetë student i dalluar dhe e donte lirinë dhe shkollimin. 
Cilat filma të tjera keni realizuar dhe në cilat festivale janë shfaqur?
Disa nga filmat e realizuar janë: “Niveli”, “Lufta”, “Pjata”, “Tanku në oborrin tim”, “Drejtësia”, dhe të tjerë. Këta filma janë shfaqur në festivale të ndryshme të metrazhit të shkurtër.

Filmi “The War” është pranuar zyrtarisht në shumë festivale si në Londër, Nju York, Katalonia, Bullgari, Itali, Austri, Barcelonë dhe në Suedi. 
Filmi “Tanku në oborrin tim” është pranuar në Shqipëri, Maqedoni, Maltë, Indi, Norvegji, Florida dhe në North Karolina në Sh.B.A. Ndërsa filmi “Toka e Zoti” është shfaqur në Nju York, Francë, Gjermani dhe Kosovë. 
Na tregoni pak më tepër si lindi formimi i kompanisë filmike “Plisi Film”. Me kë keni bashkëpunuar? 
Shtëpia filmike “Plisi Film” e themeluam në Prizren, në vitin 2012, bashkë me regjisorin dhe skenaristin Mentor Spahiu. 
Filmi “Tanku në oborrin tim” është prodhim i shtëpisë filmike “Plisi Film” në bashkëprodhim me “Gegnia Film”. Skenari dhe Regjia: Mentor Spahiu, Producent: Izet Morina, Kameraman: Bujar Zeqiri dhe Fisnik Muji, Montazha: Durim Kryeziu, Muzika: Hajrullah Syla, PostProduksioni: Arian Rogova, Organizator: Besmir Spahiu.
Të gjithë aktorët që kemi bashkëpunuar në këtë projekt kanë shfaqur talentin e tyre dhe janë shumë artistë profesionalistë. Aktori Selman Lokaj ishte një punëtor i madh, edhe pse rrethanat e vështira dhe mosha bën të vetën, ai ka qenë i jashtëzakonshëm, është treguar i palodhshëm, shumë i edukuar dhe mjaft inkurajues. 
Falënderojmë të gjithë ato që na kanë përkrahur dhe mbështetur, në veçanti aktorët që kanë punuar pa shpërblim. Ndonëse në Kosovë është e vështirë të gjenden donatorët, mbështetësit e artit në përgjithësi, ne kryesisht jemi mbështetur në forcat vetjake. Kemi shfrytëzuar mjete rrethanore dhe jemi përpjekur t’i realizojmë projektet tona me pak mjete e pare. Jemi falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Jashtme të Kosovës, komunave tona, miqve, të afërmve dhe donatorëve privat.
A keni ndonjë skenar tjetër në dorë?
Aktualisht po punojmë në idenë e hartimit të një skenari për funksionimin e shkollës shqipe në rrethanat e okupimit serb në vitet ’90, shkruar nga Mentor Spahiu. Besojmë se do të shfrytëzojmë personazhe realë dhe vende e ngjarje reale. Ky është një film dokumentar me metrazh të gjatë dhe titullohet “Aktorët e Kanës” (Actors of Cannes). 
Çfarë e bën një film një prodhim të mirë sipas mendimit tuaj?
Ka një mori faktorësh që e bëjnë një film të realizuar mirë. Përveç skenarit, regjisë dhe realizimit, mjetet materiale e teknike ndikojnë shumë në suksesin e një filmi. Mbi të gjitha kërkohet pasion dhe shpirti artistik i regjisorit, është faktori që ndikon në dhënien e mesazhit të fuqishëm.
Si e vlerësoni ju kinemanë sot? Çfarë roli luan arti dhe kinemaja në shoqëri?
Kinemaja në Kosovë po kalon nëpër periudhë të vështirë. Herë pas here kemi paraqitje të realizuara suksesshëm dhe kjo më bën optimist për kinemanë tonë. Besoj se me rritjen e investimeve në kinema (filma) do të rritet edhe cilësia dhe konkurrueshmëria e filmit tonë. Kuptohet që arti realizohet më mirë nëse ka një audiencë më të ngritur, mirëpo shtrirja horizontale edhe tek masat e gjera ndikon shumë në edukimin dhe transmetimin e mesazhit përmes artit filmik. Mendoj se realizimi i sa më shumë filmave dhe veprave artistike do të ndikojë fuqishëm në emancipimin e shoqërisë në përgjithësi. Pra, roli i artit është jetik për një shoqëri të edukuar.
Çfarë projektesh keni për të ardhmen dhe çfarë mund të presim nga ju për vitin 2017?
Synimi ynë primar për këtë vit është realizimi i filmit “Aktorët” e Kanës”. Nëse e arrijmë këtë objektiv mendoj se kemi bërë një punë të madhe për të shfaqur një të vërtetë për helmimin masiv të fëmijëve shqiptar, fshehur dhe mohuar nga serbët. Dhe më pas do të vazhdojmë me projektet e tjera, që natyrisht shpresojmë se do të jenë gjithnjë e më të realizuara artistikisht.
Mesazhi juaj për publikun dhe artdashësit.
Mesazhi im për publikun është i thjeshtë: le të përcjellin sa më shumë vepra arti, të japin komente e kritika konstruktive, sepse në këtë mënyrë i kontribuojnë rritjes së cilësisë së veprave artistike.
Ku mund ta gjejmë punën tuaj dhe t’ju ndjekim në rrjetet sociale?
Mund të na ndiqni në webfaqen tonë të Plisi Film www.plisifilm.info ose në facebook/twitter/Instagram @plisifilminfo; www.facebook.com/plisifilminfo ky do publikojmë rreth projekteva tona më të fundit. 

Traileri i filmit “Tanku Në Oborrin Tim”: 
https://www.youtube.com/watch?v=1cr5GL_g4PQ 
Sigal