Naxhi Kasoruho: Polifonia shqiptare 10-vjet në UNESCO

2289
Kanë kaluar 10 vjet nga 25 Nëntori i vitit 2005 kur UNESCO- organizata botërore për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore pranoi Këngën Polifonike Shqiptare si pasuri të trashëgimisë shpirtërore. Një dosje voluminoze shoqëruar me diskun me këto këngë në emërtimin: “Iso-Polifonia Shqiptare” u miratua unanimisht dhe tashmë bën pjesë në listën e vlerave të kulturës botërore që mbrohet nga UNESCO. Do të sjell në këtë shkrim disa shembuj me Këngë-Variante- Korifenj- Festivale- Vlerësime e refleksione për të shprehur vlerat e Këngës Polifonike Shqiptare si pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Kënga Gjirokastrite dhe Xhevat Avdalli
– Kur buzat Gjirokastrite mblidhen rreth sofrës në Odanë e Madhe ose në kafenetë e qytetit kur duan të këndojnë i drejtohen njeri-tjetrit: “Merrja një Gjirokastriçe”- Pra jo vetëm që e përcaktojnë se kujt i përket kënga, por edhe veçoritë dhe individualitetin e saj në kontrast me këngët e tjera të rajonit e më gjerë. Xhevat Avdalli dhe grupi i pleqve të qytetit janë tashmë simbol i këngës gjirokastrite duke kënduar një nga variantet më tradicionale të hershme të veçanta-autentike-të thella- “Budrumçe”, siç i quajnë ata duke na i lënë si pasuri të çmuar të trashëgimisë folklorike të qytetit të gurtë. Mbi gjysmë shekulli kanë qëndruar sup më sup pranë njeri-tjetrit- pranë këngës në prova-kafene-koncerte e festivale, duke u bërë grupi më prestigjioz i këngës Gjirokastrite dhe gjithë polifonisë Shqiptare. E vazhduan këtë traditë të këtyre korifenjve virtuozë grupi i të rinjve të qytetit me Arjan Shehun korife. Këta të rinj të talentuar me zëra brilante kanë pasur fatin të nisin rrugën e këngës pranë Xhevat Avdallit me shokë dhe të konsolidojnë këngën Gjirokastrite si vazhdimësi të pandërprerë të kësaj perle të folkloristikës tonë kombëtare.

Demir Zyko, legjenda e këngës Skraparase
– Sa herë që dëgjoj këngën: “Mbeçë more shokë mbeçë” kënduar nga legjenda e këngës Skraparase, DemirZyko, ndonëse kanë kaluar dekada nga hera e parë kur e kam dëgjuar në festivalin e Gjirokastrës përsëri emocionohem dhe them me vete: Kush i bëri bashkë këta: Historinë shekullore të Qerbelasë me këngëtarin nga Gjerbësi i Skraparit aty pranë Baba Tomorrit. Zëri brilant i Demir Zykos me historinë e Qerbelasë janë harmonizuar e unifikuar në formën më absolute të papërsëritshme që më bën të mendoj se një këngëtar i tillë lind një herë në njëqind vjet. Me zë drithërues-mes melizmave e timbrikës në tone të larta të tenorit ashtu i thatë nga trupi por stoik në skenë Demir Zykua ngelet legjendë në polifoninë Toske prandaj nga shpirti uroj: Mos tu harroftë kurrë kënga, o Demir Zykua i Skraparit.

Lefter Çipa dhe këngët e Bregut
– Këngët e Bregut janë një margaritar i çmuar në trashëgiminë tonë kombëtare në dimensione të pa mata si hapësira ngjyrë blu e detit Jon që larg këto brigje. E veçantë në variantet melodike- strukturën tonalo-modale-tematikën e larmishme-polifoninë pesë zërshe e deri tek korifenjtë virtuozë- Këngët e Bregut vijnë në traditën tonë folklorike si një befasi dhe pasuri e vyer kombëtare. Sa herë që do të flas për këngët e Bregut mendja më shkon menjëherë tek Lefter Çipa “Princi i Polifonisë” siç e quajnë zakonisht. Një jetë me këngë- i pa ndarë nga kjo në dekada të tëra tashmë më duken si vëllezërit Siamezë që nuk jetojnë dot pa njeri-tjetrin- Lefter Çipa dhe këngët e Bregut. Lefter Çipa është personalitet me kontribute të jashtëzakonshme në promovimin e këngës polifonike në trevën e Bregut duke përgatitur grupet popullore të këtyre anëve ku këndonin korifenj virtuozë si: Katina Bejleri, Dhimitër Varfi, Ermioni Merkuri, Qirjako Bala, etj. Që ngelen si margaritarë në gjerdanin e shndritshëm të polifonisë shqiptare. Lefter Çipa, poeti i shpirtit me hapësirë dimensionale të gjerë nga lirika e dashurisë tek Epika heroike e shpërthyese, i veshi melodive befasuese- të bukura e unikale të Bregut, vellon vezulluese të vargjeve të tij si:
Tundu bejkë e bardhë tundu/ Natën me hënë duku / Bejkë e bardhë, borë e malit/ Ti je ilaçi i çobanit.
Goliku, Parua dhe Bënça
– Çfarë i bëri bashkë këta të tre, Malin (Golikun) Paron dhe Bënçën- fshatin lart në grykën e luginës që ngjitet deri në Progonat në zemër të Labërisë. Sigurisht një koincidencë e rastësi befasuese që krijoi grupin polifonik të Bënçës- obeliskun e Polifonisë që rrezaton melodi brilante të veçanta deri në unikale që i përkasin folklorit bashkëkohor e që mrekullon me vargje të fuqishme të poetit të paharruar Maliq Lila që i jemi mirënjohës për gjithçka ka bërë për këtë grup. Kush më mirë se Goliku e Parua- korifej të këngës labe do ti këndonte këto melodi në një unifikim e kombinim zërash deri në perfeksion që me grupin e tyre të fuqishëm të Bënçës do të tronditnin bedenat e kalasë historike të Gjirokastrës kur këndonin në festivalet folklorike kombëtare.

– Kënga Çame dhe Çelo Mezani
– Mu te pusi Sulejmanit/ Pusi e Çelo Mezanit/ Kur na ra Martinë i parë/ Çelua na ktheu surranë…
Janë këto disa nga fjalët e këngës çame për Çelo Mezanin, kënduar me variantin melodik në nota të një elegjie të dhimbshme që të drithëron kur e dëgjon. Kënduar nga grupi polifonik i të rinjve çamë të Rrogozhinës me marrës e pritës me zëra të veçantë e drithërues- me intonacione të larta e të padëgjuar deri në atë kohë në kalanë e festivalit në Gjirokastër. E shoqëruar nga orkestra në një përcjellje instrumentale luajtur në violinë nga virtuozi Enver Qerimi në një interpretim të jashtëzakonshëm e befasues kënga tronditi publikun në sheshin e kalasë i cili u mahnit nga kjo perlë e trevës së Çamërisë.
Nazif Çela dhe ‘Janinës ç’i panë sytë’
Janinës ç’i panë sytë/ Ish e premte ajo ditë/ Të shtatë puset në grykë/ 
Janinë-o!
Kush më mirë se Artisti i Madh Popullor do të shkruante këto vargje dhe do të krijonte atë melodi të jashtëzakonshme që korifeu virtuoz Nazif Çela me zërin që i dridhej në një këndim elegjiak me nota të dhimbshme do të befasonte publikun në sheshin e festivalit, në sofrën e këngës. “Edhe kjo këngë hyn në ato stile muzikore e interpretime mahnitëse që ka hyrë në panteonin e polifonisë shqiptare si vlerë në kulturën tonë kombëtare.
KËNGA LABE
– Labëri moj s’ka si ti/ Tek ti lindëm dhe u rritëm/ Ndaj këndoj me dashuri/ – Kush të tha se je e varfër/ Je e larë me flori. 
– Është kjo kënga që këngëtarja e mirënjohur Poni e ka promovuar atë me tërë pasionin e shpirtit për Labërinë, këtë trevë që është me kontribute të jashtëzakonshme dhe vlerë në trashëgiminë tonë kombëtare. Labëria që shtrihet në rrethet- Vlorë- Tepelenë- Gjirokastër- Delvinë e Sarandë trashëgon nga thellësia e shekujve deri në ditët tona një pasuri të rrallë folklorike ku si kurorë e veçantë- e bukur- unikale dhe e papërsëritshme Kënga Polifonike. Nuk ka fshat e luginë- krahinë e qytet ku jetojnë lebër të mos ketë grupe të këngës polifonike e të mos këndojnë në dasma e gëzime familjare në festa lokale e kombëtare këngët e tyre të shpirtit. Kënga për labin është bashkudhëtare e jetës së tij prandaj populli thotë se: Po u mblodhën dy lebër ja marrin një kënge. Me këngë lebërit i përcillnin luftëtarët në luftë dhe këngë u këndonin trimave, kur binin në fushën e betejës. Janë të shumta grupet polifonike në këtë trevë të gjerë të Labërisë që bartin e promovojnë këngët e tyre kudo. Në përfundim të këtij shkrimi në këtë 10 vjetor të pranimit të polifonisë shqiptare në UNESCO, do të jepja këtë mesazh për këngëtarët popullorë. Mos e tjetërsoni këngën popullore shqiptare, duke e kthyer në “Turbo-Folk”. Ndërsa këngëtarëve të “Turbo-Folkut”: “Mos e prekni Polifoninë”!
Sigal