I jam mirënjohëse Fatime Sokolit!

693
  • INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur popullore dhe mësuesja Vitore Matoshi: Këndoj vetëm këngë të tabanit popullor
Sigal

 Këngëtare dhe mësuese. Një femër shumë energjike që gjen kohë për mësimdhënie dhe për koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe pse nga Tropoja ajo i këndon të gjitha këngët popullore të të gjitha trevave shqiptare. Asnjëherë në rrugëtimin e saj nuk ka huazuar muzikë të huaj, pasi këngën e ka lidhur vetëm me tabanin popullor.

 Si e gjeti rrugën e skenës Vitorja?

 Natyrshëm dhe fare thjeshtë. Për herë të parë në skenë jam ngjitur në moshën 12 vjeçe, në Festivalin e Fëmijëve të Tropojës. Ky Festival zhvillohej në mënyrë korrekte. Kisha shumë dëshirë të ngjitesha në skenë.

Mos vallë zbulove vetveten?

Ahaaaa….Jo! Si talent më zbuloi mësuesja ime e muzikës, Fatime Sokoli,e cila nuk jeton më. Ajo për mua mbetet gjithçka. Ishte një femër korrekte, e përgatitur, mbushur me mirësi, e dashur dhe plot vitalitet. Femër si ajo janë të rralla. Të jepte gjithçka me gjithë shpirt.

 Cila ka qenë kënga juaj e parë?

 Kënga ime e parë ka qenë “Vallja e Valbonës”e kompozitorit tropojan Bashkim Gjyriqi. Emocionet e mia fëminore ishin të fuqishme, por të bukura e të paharrueshme. Muzika popullore ishte dhe është dëshira ime, por edhe e specialisteve, pasi ngjyra dhe timbri i zërit tim i përshtateshin kësaj lloj muzike. Ç’do zë ka karakteristikat e veta, ashtu dhe unë kam zërin me të veçantat e mia.

 Kur je ndjerë më mirë në skenë?

 Më mirë në skenë jam ndjerë atëherë kur kam marrë duartrokitje pafund……dhe këto janë raste që janë përsëritur qindra herë, brenda e jashtë Shqipërisë..Momenti më i bukur ka qenë në Gjermani në vitin 1993, kur kam kënduar para shqiptarëve që jetojnë atje. Ishte e paharrueshme. Ishin vitet e para të emigracionit dhe malli për atdheun ishte i madh. Emigrantët e njësonin këngën me atdheun. S’mund ta besoni…Në Gjermani ka shumë kosovarë të cilët ende ruajnë një mall për Shqipërinë ashtu si dhe për Kosovën. Ajo ditë për mua do të mbetet si nj ditë plot diell, plot freski me kujtime nga më të çuditshmet. Se merrja me mend atë entuziazëm.

 Këngët popullore të kujt treve pëlqeni më shumë?

 Unë preferoj shumë këngët popullore të veriut, sepse jam veriore, por i dua të gjitha këngët e çdo treve, madje në gëzime familjare dhe evenimente të ndryshme i këndoj dhe ato të jugut e Shqipërisë së mesme. Në repertorin tim ka këngë nga të gjitha trevat pa asnjë dallim. Kur shkoj për koncerte unë nuk këndoj vetëm këngë veriore, pasi dhe publiku është i shumëllojshëm. Një këngëtar popullor është i aftë të këndoj çdo lloj kënge nis është i kompletuar.

 Kur e keni realizuar Albumin tuaj të parë?

 Albumi im i parë u bë në vitin 2006, në Maqedoni. E realizova atje pasi ashtu e pata më të lehtë. Titulli i albumit ishte “XINXILUSHE”. Ky qe titulli i një kënge, me tekst timin dhe muzikë popullore e përshtatur. Ky album pati shumë sukses dhe mund të them se u shit shumë shpejt. U befasova se sa mirë u prit nga publiku. Albumet janë vlerësimi më real që mund t’i bëhet një këngëtari. Kjo, pasi, aty janë shumë këngë, por dhe publiku di të seleksionojë nëpërmjet shumë albumeve në treg.

 Kohët e fundit vihet re se këngëtarët e muzikës popullore kanë hequr dorë nga këngët e huazuara dhe i janë kthyer muzikës së pastër shqiptare…

 Është e vërtetë se këngëtarët janë rikthyer te muzika e pastër popullore shqip. Mendoj se po bëhet një punë e mirë edhe nga kompozitorët për ruajtjen e muzikës shqipe, por edhe këngëtarët janë ndërgjegjësuar në këtë drejtim. Unë nuk preferoj huazimet sllave aspak, thjesht nuk më pëlqejnë.

 A ka ngjasime mes këngëve popullore shqiptare?

 Këngët e muzikës shqiptare në fakt kur dëgjohen, duket se kanë njëfarë ngjashmërie, por secila ka të veçantën e saj. Nuk jam specialiste në këtë fushë, por me aq sa di… Muzika jonë ka traditën e saj. Ka të veçantat e saj, ka dallimet e saj, ka përbërësit e saj.

 Jeni supersticioze?

 Supersticioze nuk jam në përgjithësi. Besoj shumë në vetvete

 Marrëdhënia me kuzhinën?

Marrëdhënia ime me kuzhinën është vërtetë shumë e mirë, pasi jam një amvisë e mirë në familje. Më pëlqen kuzhina tradicionale dhe ajo italiane.

 Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?

 Problemet më pikante të femrës shqiptare sot, mendoj se janë papunësia, trafikimi, divorci…