Milo: “Unë kam lindur vetëm për …ministër”

556
Sigal

INTERVISTA/Profesori i historisë të së Majtës shqiptare rrëfen pengun e shpirtit, sesi  mundi,  që shau Zogun, i shkoi huq te Rama

Isha para një burri, i cili ishte shtrirë në qejfin e tij, sa gjerë dhe gjatë, në shezlong të pishinës të hotelit, e cila të jepte përshtypjen që deti ishte ngjitur në majë të malit të Dhërmiut dhe, ai burri,  pa u bërë fare merak se përreth tij kishte milet, lexonte në qejfin e tij një “Play boy”.  Më ngjau, apo të jetë  Prof. Milua ky?- thosha me vete dhe vërrr- vërrrr fërkoja sytë, që të mos më bënin miza  dyshimi se cili ishte burri që lexonte në mes të ditës, në shesh të dovletit, një “Play boy”. Habia ime nuk ka të bëjë me moshën e shtyrë të pushuesit që lexon në mes të dovletit revista seksi, se tani shkenca (historiko-mjekësore) i bën edhe 70-vjeçarët të tregohen 20 vjeçarë në krevat. Por nuk mund ta besoja që në këto ditë, kur temperatura politike është mbi 48 gradë,  Prof. Milua të theket në diell, e ca më tepër, me një “Play boy” që e shikon  para dovletit. Ku e gjen kohën politike? Andej nga Tirana u dogjën, si kashtë gruri në korrik nga një cigare e hedhur, shumë koka të së Majtës, që nuk u bënë dot as drejtora dogane, e profesor Milua  të shëllëret në shezlonget e pishinës me “Play boy”, kjo është hata nga truri, jo hata nga turpi.

– Prof. Milo, nuk më besohet ç’më shikojnë sytë te ty?- nuk munda ta mbaja përbrenda habinë time, ndaj ia thashë tullë.

– Po këtu nuk habitem më unë me prapësitë që na punon para  syve Edë Rama.- ma ktheu serbes- serbes Prof. Milua.- Ty ç’të gjeti, që mbete, si peshqit, gojëhapur?

– Po andej bëhet hataja, Prof! Ju si ju mban akoma ky shezlong?

– Si u katandisëm, që u bëmë të tërë si këmba e dhisë, shezlongu na mbeti. Ksehasemi, duke parë edhe këto revista, se huq më shkoi tërë ai mundim, që tërë jetën shkrojta  një sërë librash.

– Po si u la pasagjerë te këmba e urës, kryetari i madh, zoti Milo?

–  Ai mirë na e bëri.

– Si  e pranoni, që  shoku Edi jua bëri mirë, zoti Milo? Ju jeni personaliteti më i madh i së Majtës. A do të ketë kripë kjo qeveri, pa peshën e fjalës tuaj? Ku është parë e dëgjuar kjo hata?

– Ai përherë me të futur na e kishte mua dhe Gjinushit. Po, unë ç’desha që e besova.

-Jeni bërë pishman?

– Shumë. Se po të kisha vazhduar t’i kisha dhënë votë Saliut, ai burrë shteti do të më kishte bërë patjetër ministër. Qoftë ministër i Kulturës, qoftë ministër i Historisë.

–  E ke humbë kurajon, si Xhaferi simiten, Profesor Milo. Mbase e ke edhe nga pleqëria, zoti Milo. Se siç thotë edhe populli i këtyre anëve, njeriu sa më shumë rritet në pleqëri, më shumë i rrjedhin edhe ato të shkreta tru.

– Ptu, ptu, ptu…kur thua edhe për mua pleqëri- Profesori u zemërua dhe u kthye në anën tjetër, duke u zhytur në shikimin e “Play boy”.

– Profesor, po asnjë të shkretë drejtori, të paktën të doganës, a tatimeve, meqë u shporrën  andej edhe  soji i  Drizës, nuk të takonte të të falnin?

– Po ç’i dua unë drejtoritë, o i marrë? Unë drejtor? Ptu, ptu, farë e keqe, larg meje.

– Si kanë ardhur këto punë, në këtë dynja, me ato drejtori, zoti Profesor, diçka të kap edhe dora. Nuk mbetesh me “Play boy” në dorë, shtrirë në shezlonget e pishinës.

– Ik, o malukat, ik. Mos m’i hidh këto miza në kokë, tani që na bie  edhe vapa në tru. Unë jam Paskal Milua, e kam lindur për t’u bërë vetëm  ministër.

– Të drejtë ke, po zogu që të iku , s’të ulet dy herë në të njëjtën dorë.

– Rama laraskë është, nuk e dua më të mirën e tij. Ndaj, rri rehat këtu, në këtë shezlonge dhe me të shkretën “Play boy”. Të paktën, nuk do të lodhem më, duke shkruar veresie.

– Veresie shkruajte tërë jetën, o lumëmadh.

– Po do t’ja nxjerr inatin unë Ramës. Do t’ja marr hakën. Ke për të parë ti.

– E ç’hakë, do t’i marrësh ti Ramës, o lumëzi e derëzi. Sa të ketë Metën ai, s’ta ka më nevojën as ti, e as Gjinushit.

– Po ata kokëboshë që ka mbledhë e futë në parlament, si të rraste bostan në shportë, kush do t’jua përgatitë fjalët që duhet të thonë? Se dora  e tyre vetëm ato të shkreta u numëron, po goja dot dy llafe nuk u lidh.

– E ku kanë më vlerë sot ato që shkruan ti, o derëshkretë. Shave-shave Zogun, ti, një jetë të tërë,  ul e ngrë çdo çast armik i shqiptarëve, e i shitur te serbi, huq të shkoi mundimi. Njëherë e hapi gojën hapi Majkua e tha që Zogu është më patriot se Enveri yt, dhe i fituar ai doli, derisa aty, në parlament do pleqësojë, derisa të vdesë.  E ti,  që e heq veten me një barrë mend, të mbeti “Play boy”, të shikosh.

– Kjo kokë ma ka fajin. Kjo kokë. U sëmura edhe unë nga virusi i Gjinushit.

– Përse jeni penduar profesor Milo?

– Kështu, si erdhe tani ti, erdhi edhe beharin që shkoi, vetë Meta, këtu te shtëpia ime. Atje, te shezlongu përkrah meje u shtri. Dhe, duke parë detin, këtej,  nga ballkoni i hotelit tim, më thotë: “Profesor, ja përtej detit, deri ku mbërrin shikimi,  do të shtrihet edhe partia ime, nëse vjen edhe ti me mua. S’do të jem vetëm në një copë toke, si deri tani.”  Dhe Meta, të them të drejtën,  më bëri qejfin, kur më tha që mendimi yt është më i thellë se deti, e fjala jote ka fuqi më shumë se dallga e detit, e po të bëhemi bashkë, unë me  oponencën tënde, më tha Meta,   shkërmoqim çdo shkëmb të kujtdo bregu të Ramës, apo Saliut qoftë.”

– Dhe nuk pranove, Profesor?

– Më gudulisi me ato fjalë që më tha, nuk e mohoj. Prandaj, i thashë: “Meta, unë e shkrij, për hatërin tënd, jo vetëm partinë, por edhe mençurinë time, e vij në partinë tënde.

– Po ku u prish pazari?

– Sa i kërkova të më bëjë zëvendësin e tij, ai u hodh përpjetë nga shezlongu.

– Të pickoi ndonjë hardhicë mali?- e pyeta Metën i frikësuar. Se Dhërmiu, sa i bukur është, kaq i poshtër bëhet me hardhucat, kur se ke mendjen.

– Kërkesa jote qenka më e hidhur se e ngrëna e hardhucës, o Paskal,- më tha Meta.

– Nuk është  thjesht kërkesë, shoku Meta- i thashë. – Të kërkoj të jem zëvendësi yt në parti, është meritë. Edhe jotja, që do më kesh mua trurin tënd, por edhe merita ime, që të bëhem hija jote, shoku Meta, – i thashë, duke iu përgjërova edhe njëherë, se mos i mbushja mendjen me lajka.

– Ku ishte vrima, që nuk e la mendjen e Metës të mbushej me meritat tuaja, Profesor?

– Nuk dua të dytë që të ketë më shumë tru nga mendja ime- më tha Meta.- Kot nuk më është rritur kaq koka ime, deri sa më është bërë më e madhe se çdo bostan fushe.

Ndaj Meta u zemërua me mua, e iku. Prandaj, edhe unë mbeta i vetëm këtu. Në këtë shezlong dhe me “Play boy” në dorë. Pa deputetllëkun, që më premtoi Rama, por edhe pa ofiqin ministror, që ma kishte taksur, po vetë Rama.