Skënder Haklaj: Magjitë e Malësisë së Gjakovës

1749
“Më thuaj trojet ku ke lindur
Që të them si je rritur!
Më thuaj trojet ku jeton
Që të them sa peshon!
Ndarja artificiale
Në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha të botës i copëtuan trojet shqiptare me thikën e pabesisë, por edhe duke sjellë një histori të zezë për fatet e kombit tonë. Për rrjedhojë, Malësia e Gjakovës ndahet artificialisht në dy pjesë. Pjesa lindore, mes rrafshit të Dukagjinit dhe Qafës së Morinës mbetet nën sundimin policorë të Serbisë pushtuese, së bashku me tërë Kosovën etnike shqiptaro dardane. Pjesa tjetër nga Qafë Morina (në lindje) e deri në Qafë të Agrit (në perëndim) dhe nga Qafa e Vraninës (në veri) e deri në lumin Drin (në kufirin jug e juglindje) mbetet në administrimin shtetërorë të Shqipërisë. Deri me mbylljen e dhunshëm të kufirit shqiptaro-shqiptar, qendra tregtare ekonomike ishte shehri i Gjakovës. Ky vendim e ndau me thikën e helmuar trupin e Shqipërisë hijekeqe. Ndau fizikisht vëllain nga vëllai, bijën nga nëna, nipërit nga dajallarët dhe shumë familje nga trojet e tyre etnike. Themi fizikisht pasi shpirtërisht nuk u ndamë kurrë. Pjesa e Malësisë së Gjakovës e mbetur në administrimin shtetërorë të Shqipërisë, gradualisht filloi të quhej Tropojë, e pagëzuar me emrin e fshatit ku u vendosen zyrat administrative të përkohshme. Në vitin 1953 qendra administrative vendoset në fshatin Kolgecaj dhe shpallet qyteti me emrin e heroit Bajram Curri. Asokohe treva etnike e Malësisë së Gjakovës përgjysmohet gjeografikisht, ekonomikisht dhe politikisht.
Bashkimi shpirtëror
Shpirtërisht bashkoheshim me këngët piskamë të kushtrimit, me fyejt e çobanisë, me kërcimet dhe lojërat popullore ndër rudinat e bjeshkëve të përbashkëta. Ata na shikonin dhe na dëgjonin. Dhe ne i shikonim dhe i dëgjonim. Shpirtrat tanë i bashkonte qarkullimi i gjakut vëllazëror në arteret binjake të historisë së kombit. Përshëndeteshim në largësi, me anë të shenjave e gjesteve kuptimplotë të kthyera në rite kohore për bashkim. Lojërat, këngët dhe kërcimet me thirrje të dykuptimta, me shenja e lëvizje simbolike, na ndihmonin ne, në këtë anë dhe ata në atë anë, që të mbanim të ndezur shpirtin e kombit të ndarë artificialisht. Shumë shpejt e kuptuam se arti po i bashkonte shpirtrat vëllazëror të zhuritur nga zjarri i qëllimshëm antishqiptar. Këngët tona filluan të këndohen në radio Prishtina, duke ndërruar ndonjë varg si mesazhe botëkuptimi; “Qe bàcë ta nisa”! Dhe ne, në këngën tjetër dërgonim përgjigjen; ‘’E mora,bacë! Prite tjetrën”! Me kërcimet tona plot gjeste e shenja të alfabetit koreografik, dërgonim mesazhe të qëndresës, mobilizimit dhe këmbënguljes për pavarësi. Ata, me mundësitë e tyre aktuale përcillnin variante me simbole sinjalizuese; “Po qe besa! Besa-besë do qëndrojmë”! Dhe ne dërgonim mesazhin tjetër; “Jemi me ju! Besa-besë! Gjithçka për vatan”! 

Shtrirja gjeografike e Malësisë së Gjakovës është nga më interesantet e trojeve shqiptare. Me një bukuri natyrore tepër tërheqëse, sa magjepse dhe aq pjellore. Me majëmalet dhe kreshtat e thepisura, të cilat shprehin egërsinë e lartësive baras me qiellin. Me masivet e gjelbëruara që fillojnë nga shkurret e bokave, duke vazhduar me lisnajat e dushqeve e deri te ahishtat e legjendave. Nga ku përzgjaten duke u thelluar në ngjitjet mahnitëse gjelbërimet gjithëstinore të bredhave dhe pishave shekullore. Nga majëmalet rrokotelen tatëpjetë zbritjet marramendëse duke u kacavjerrë mbi shpatullat e bjeshkëve, e deri te lugjet e verdha, pranë djepeve ku “nina-nënen” mitologjitë. Gjithandej nëpër shpatullat e bjeshkëve përtërthorohen shtigjet e serta duke mundësuar zbritjen deri te lajthitë. Më poshtë, siç thotë populli “nëpër kamët e bjeshkëve”, fillon shtrirja e kashnjeteve me gështenjë, më masivet në Ballkan e më gjerë. Malësia e Gjakovës ka florën e mrekullueshme, me lulësi, rrënjë e bimë medicinale më të lakmueshmet që munden me qenë. Me faunën impresionante të llojeve më të veçanta të kafshëve të egra, si dhia, kaprolli, ujku i përhimë, derri, ariu i murrmë, dhelpra, vjedulla, ngatarrica (lloj ketri), geri (lloj ketri), nuselala, pula e egër, gjeli i egër, grisha, turtulli, turreci, pëllumbi i egër, qyqja, korbi, sorra, çaçkat, kaçubeti (skifteri), lakuriqët, tricat, gushëbardhi, gushëkuqi, laraska, qukapiku, grishëza, sokoli, orlat, shqiponja etj. Me retinën e llojeve të ndryshme si iriqi, breshka, bretkosa, çapini (zhapini), hardhuca, gjarpri laraman me gjatësi mbi një metër, me lara e ngjyra në formë rombi, gjarpri i bokës shumë helmues, gjarpri i bjeshkës me ngjyrën gri si ngjyra e gurit, gjarpri i lumit, bolla e gjatë mbi dy metra, bollverba (e verbër) etj.
Burimet ujore
Treva tropojane ka pasuri të bollshme e të shumëllojshme ujore, si lumi Valbona, lumi i Gashit, lumi Mullareka, lumi i Shipshanit, lumi Bushtrica, lumi i Nikaj Merturit, lumi i Skatinës i cili e ndanë M.Gj. nga zona e Hasit, si dhe lumi Drin që shkon përkufinjë me Pukën nga juglindja e deri në jugperëndim. Burimet e shumta ujore gjallërojnë si rezultat i ekzistencës mijëra vjeçare të liqeneve akullnajore në lartësitë bjeshkatare. Nga ekzistenca e luginave të thella të mbuluara me borën e përhershme të ortekëve. Pa lënë në harresë shpellat tejfundore të mbushura me borën e qindra shekujve, të cilave nuk mund t’u gjendet kurrë as mesi dhe as fundi. Këto rezerva të ngrira nëntokësore, furnizojnë pa ndërprerje arteret e nëndheshme, me skurrjelat lëngbore derisa të shpërthej uj’akulli në sipërfaqe. Gjithkund e në çdo vend nëpër bjeshkët e mia gjenden gurrat e moçme për të freskuar fytin e kthjelluar syrin. Gjenden shpella e ortekë bore ku çobania bëjnë ‘’akullore” me tamel2 , sheqer e borë “t’kokrrizt’’ (kokrriz-breshër). Bjeshkët tropojane vijnë të mbështetura sup me sup dhe nxjerrin në pah majamalet “picihul përpjetë3 ”, teksa ckërmitin4 mjegullat në kërkim të qiellit. Kreshtat e egërsuara lartësohen mbi shpatullat e kanioneve marramendëse duke krijuar përshtypjen se do puthen me “retë e bardha”. Nga supet e bjeshkëve zbresin ndarjet kurrizore, enkas për të krijuar lugjet e verdha, me ujëvara dhe pyje jeshile aq të dendura, sa dita të duket si natë.
Nëntoka
Malësia e Gjakovës e ka nëntokën shumë të pasur në minerale, si kromi, kuarci, polimetalet, baoksidet, asbesti, hekuri dhe ndonjë të dhënë për minerale të rralla. Lartësitë mbi nivelin e detit shkojnë mbi 2700 m mali i Jezercës, mbi 2400 m mali i Shkelzenit, 350 m qyteti i B. Currit, 200 m Fierzë – Dushaj, 1250 m Padeshi, 1280 m maja e Dobrejt, 490 m Zogaj.
Një kontrast klimaterik i pazakontë
Një kontrast klimaterik i pa zakontë dhe i pa krahasueshëm me asnjë nga shtrirjet e tjera gjeografike të trojeve shqiptare. Lumi Valbona, përveç ujit të kaltër e të pijshëm ka dhe troftën pikalore karakteristike, me pikat e kuqe mbi trupin gri. Troftë e këtij lloji gjendet edhe në lumin e Gashit si dhe në lumin e Nikaj Merturit. Ndërsa lumi Bushtrica ka peshkun e quajtur “mustaku” dhe lumi Drin (sot liqeni) ka pasur “Kryemadhin” e “Ballgjanin”.
Drithërat e bukës, frutikultura dhe perimekultura
Lugina e Malësisë së Gjakovës (Tropoja) është me kushte ideale për zhvillimin e kulturave bujqësore si drithërat e bukës, frutikulturën dhe perimekulturën, (ndonëse të vonuara deri në kohën e serave). Toka ka një strukturë të shkrifët, e lyrshme dhe e lehtë për ta punuar. Zona e Ptyçit, e Berishë, si dhe fshatrat Dega, Tplani, Mejdani e Luzha kan patur më shumë mundësi kullotash livadhore e shkurrore (bokat), prandaj janë shquar më shumë në kultivimin e deles Bardhokë. Përbërja kodrinore e zonës së Ptyçit, sidomos fshati Zogaj, ka një lulësi cilësore, në të cilën dallohet lul’trumza, ushqimi më i veçantë për bletën. Mjalti i trumzës zë vendin e parë në cilësitë kurative, duke mos mbetur mbrapa dhe mjalti i gështenjës aq i kërkuar në kurimin e disa sëmundjeve, sidomos të grykës. Zona e Gashit, Krasniqes, Shipshani, Berisha, Dragobia, Çeremi, Valbona dhe Nikaj Merturi përveç deles Bardhokë (më të kufizuar), njihen për dhinë Bricjape mjaft prodhuese në qumësht e mish, ku mishi i kecit të pa shkëputur nga qumështi i nënës, mbahet si më cilësori i të gjitha llojeve të mishrave. 

Gjedhi autokton është lopa e kuqe e vendit, e cila ka një trup të vogël dhe jo shumë qumështore . Drufrutori më masivi është gështenja, pyjet e së cilës shtrihen nga Qafa e Agrit e deri në Qafën e Morinës, duke për’tërthoruar tërë bazamentin e bjeshkëve. Pastaj vinë me radhë; kumbulla e zezë tropojane, arra, molla gjyle, molla sherbete, molla kuqelushkë, molla buzgatë, molla vjuzhgë, thana, dardha rroshullake, dardha kandakçe, dardha ugere, ftoi, qershia, bojlia, manat, skamna, vosat, lajthia, kajsia, rrushi thanuk, rrushi i bardhë, rrushi i zi, greza etj. Në Dushaj-Fierzë dikur kultivohej fiku, ndërsa sot fiku ka një shtrirje në të gjithë luginën e tropojës, nga Fierza, fshati Rajë, Bujan, Dojan, Llugaj, Babinë, Tropoja fshat etj. Bashkë me fikun kultivohet dhe hurma, ku në disa familje të veçanta kultivohen dhe limoni e portokalli, (kuptohet duke i mbrojtur nga ngricat e dimrit). Asokohe mori shumë zhvillime agroteknika. Janë bërë qindra eksperimente me nënshartesa 5 Në vitet e socializmit u bënë shumë mbarështime dhe kryqëzime me racat e importuara, si larushja holandeze dhe xhersi sybretkocë.
Hibride e specie të varianteve më prodhuese
Tropoja e mrekullive shpirtnore vendore dhe mbishartesa të importuara, duke krijuar hibride e specie të varianteve më prodhuese. Ky mjedis gjeografik, me tërë këto pasuri natyrore, me këto bukuri magjepse, me kontrastet klimaterike tejet të theksuara, me dimra të gjatë e shumë të ftohtë, me vera të shkurtra e shumë të nxehta, patjetër që ka ndikuar në zhvillimet fizike, mendore e shpirtërore të malësorit tropojan. Ka ndikuar dhe në psikologjinë, në karakterin, në kultivimin e shijeve estetike e artistike të kësaj popullate.
Sigal