Bard i poetikës së krahasimit

730
VËSHTRIM PËR LIBRIN “PERANDORIA E ZOGJVE” TË BARDHYL MALIQIT, PËRKTHYER NË GJUHËN KROATE NGA SHAHIN HASANI SHKOZA
Shkruar nga: Senahid Neziroviq (Senahid Nezirović, revista “RIJEČ”), Tuzlla, Bosnje e Hercegovinë 
Emri i autorit shqiptar, Doktor Bardhyl Maliqit, është mjaft i njohur për opinionin e gjerë letrar, pasi që bëhet fjalë për një eseist të shkëlqyer, autor novelash dhe i studimeve shkencore nga fusha e veprimtarisë pedagogjike dhe e poezisë. Po ashtu vlen të theksohet se është fitues i dhjetëra çmimeve letrare, të të gjitha niveleve: rajonale, nacionale dhe ndërkombëtare. 
Përzgjedhja hapet me titullin “e goditur” poetik, sipas të cilit u titullua krejt përmbledhja “Perandoria e zogjve”, që të jep përshtypjen e një poeme tepër të bukur. Gjithsesi është e rëndësishme të theksohet sintagma e titullit, ku poeti e sublimon mallin e vet për t’i fokusuar gjërat nga perspektiva e zogjve, duke ëndërruar për mundësitë e udhëtimit pa pasaportë dhe procedura të tjera administrativo-burokratike. Tek ai, zogjtë janë simbol i lirisë, në kuptimin e plotë të fjalës, ashtu si e vërteta e lashtë për zogjtë e parajsës që bartin shpirtrat e luftëtarëve të lirisë, e në atë mënyrë kurorat e tyre finë janë poetët si Bardhyl Maliqi! (Veç zogjtë e shpirtit fluturojnë në hapësira mendimi, / e pafundësisht rendin, vrapojnë në kaltërsi / dhe kur thelbi ynë ekzistencial është tronditur, / kjo mërgatë e zgjatur zogjsh është e vetmja qetësi”, f. 108-109: BISEDË ME VETEN DHE ME TË TJERË).
Tipari thelbësor i mënyrës si ai e koncepton poezinë është gjerësia, të menduarit e thellë dhe empatia. Po të ishte e nevojshme që të përzgjidhej njëra prej figurave dominuese stilistiko-gjuhësore e poezisë së tij, atëherë do të mund të ishte komparacioni (krahasimi). Në atë mënyrë ai e zgjeron shtresën semantike të ligjërimit të vet poemik-galdues dhe fut krahasime të përkryera që lexuesin nuk e lënë indiferent. Gati nuk ka poemë ku nuk shfaqet një krahasim i përkryer që ta merr frymën me bukurinë e vet! Perandorinë e tij nuk është kollaj ta rrënosh, sepse e mbrojnë krahasim të realizuara në mënyrë të përkryer që i kontribuojnë, në çdo aspekt, konkretësisë, figurshmërisë dhe harmonisë. Patjetër që krahasimet përbëjnë thelbësoren e poetikës së tij…
AMARDA
Ti kundërmon e gjitha aromë virgjërie
si një aromë e lehtë mollësh në shtegun e gjinjve (f.24)
MIMOZA
Një emër si qiell
Plot dritë dhe diell
Shkulm në kypërcyell
Mimoza, Mimoza! (f.36)
Kjo poemë dëshmon në mënyrë universale për rastet tronditëse të vuajtjeve të poetëve si: mr. Abdullah Kovaçeviq ose profesorit dr. Shpiro Matijeviq (në Bosnje dhe Hercegovinë)…
JON, I DËSHIRUARI IM
Unë, bard i lashtë i kësaj toke,
bir i diellit,
i përveçuar,
Ndër mote. 
Njohës i rrallë i historisë, i përshkuar nga malli për vendlindjen e humbur, që e gërsheton me nostalgjinë për rininë e ikur dhe përshkrime brilante, ky poet elokuent na shfaqet në dritën më të mirë. Dhe, mu siç është rrënja e emrit të tij, ajo sugjeron se bëhet fjalë për një BARD të poeziës shqiptare, që flatron me krahët e penës së vet në gjakimin për të arritur sfera më të larta. Në anën tjetër, prapë, duke luajtur me një fonemë të rrënjës së emrit të tij nxjerrim një domethënie të re, që ndërthuret me obsesionin tematik-motivor të zogjve që fluturojnë kaltrisë së qiellit. Pra, nëse në rrënjën e emrit të tij ndryshohet vetëm një fonemë “a” › ”i” dhe fitojmë një fjalë të re në gjuhën angleze: BIRD (zogu, vërejtje e autorit)! Prandaj, botuesi ka bërë gjënë e duhur kur ka botuar përzgjedhjen me vlerë të poezisë së profesorit-poet, Dr. sc. Bardhyl Maliqit, duke i gëzuar në këtë mënyrë të gjithë ata të cilët përmes shumështresshmërisë në vargje kremtojnë bukuritë të cilat është e vështirë të maten… 
(përktheu: Anton Gojçaj) 
****
Refleksion
Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me pikësynime të caktuara dhe kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e objektivë
KRITIKA E HESHTJES
Nga SAZAN GOLIKU
Ka vite që në hapësirat shqiptare, në kritikat për kritikën letrare e artistike jepen konsiderata, shprehen opinione nga më të skajshmet, analizohen probleme reale ose ireale, po vetë këta specialistët nuk angazhohen, nuk ulen të japin ndihmesën e tyre konkrete për veprat letrare ose artistike me bukë, pra me vlera të mirëfillta ose për “sëmundje” të ndryshme të mjeshtërisë. Të flasësh e të shkruash “ex catedra” është pozicioni më komod për një të shkolluar ose të titulluar, ose të graduar, edhe pse ky lloji angazhim mund të quhet ndihmesë. Pse një pjesë e konsiderueshme e këtyre të diturve nuk japin ndihmesën e tyre konkrete në gjallërimin, pasurimin e institucionalizimin e kritikës si e tillë, por fshihen pas diplomave, monografive të sirtarëve me objekt vetëm historinë e letërsisë e të arteve, kur dihet që letërsia e artet janë procese të gjalla dinamike, me vijueshmëri, me rënie e ngritje të kushtëzuara e të pakushtëzuara nga zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, aq më tepër pas përmbysjeve të shekullit të kaluar te ne. Është e shpjegueshme heshtja e kritikës dhe përligjet për mosmarrjen në konsideratë të krijimeve mediokre, komerciale e banale. Por të heshtet për vepra të reja, për autorë me emër dhe të rinj të talentuar, që duhen zbuluar e nxitur, do të thotë të mbashë qëndrim injorues e nihilist. Janë botuar libra me vlera nga Mehmet Kraja, Agim Gjakova, Koço Kosta, Zejnulla Rrahmani, Zija Çela, Kim Mehmeti, Nasi Lera, Ibrahim Kadriu, Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Abdulla Tafa, Agim Mato, Viron Graçe, Moikom Zeqo, Vasil Premçi, Petraq Risto, Kolec Traboini, Faruk Myrto, Zimo Krutaj, Krenar Zejno, Musa Ramadani, Riza Braholli, Faslli Haliti, Sadik Bejko, Luljeta Lleshanaku, Arif Demolli, Piro Loli, Azem Qazimi etj. etj., po pak ose aspak është shkruar për ta, për ecurinë e krijimtarisë së tyre, për veçoritë e tyre stilistike, për profilet e individualitetet e tyre artistike. Janë botuar libra me përmbledhje artikujsh kritikë dhe monografi për autorë të veçantë që kanë spikatur nga kritikë të mirënjohur si Ramadan Musliu, Mexhit Prençi, Nehas Sopaj, Luan Topçiu, Behar Gjoka, Anton Berisha, Agim Vinca, Astrit Bishqemi, Preng Buzhala, Faik Shkodra, Anton Gojçaj, Ahmet Selmani, Zejnepe Alili Rexhepi, Remzi Salihu etj., por heshtja ndaj librave të tyre ka qenë e dukshme edhe pse kemi kaq pak libra me kritika. Pse ndodh kjo dukuri negative që mund ta quajmë kritika e heshtjes? Duke përjashtuar subjektivizmin e natyrshëm e të pashmangshëm që buron nga shijet vetjake estetike dhe shkalla e njohjes teorike dhe e aftësive profesionale, mund të flasim hapur për egocentrizëm, prirje zilare, interesa të ngushtë profesionalë e materialë. Është e kuptueshme që një kritik letrar ose studiues nuk mund të lexojë gjithçka që botohet, por mund të informohet dhe të reagojë ndaj veprave me nivele të konsiderueshme e novatore, si dhe ndaj atyre që ngrihen lart nga recensionet e shtëpive botuese, ose nga artikuj me superlativa të miqve e klaneve të organizuara e të saturuara paq. Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me pikësynime të caktuara dhe nuk ka të bëjë me heshtjen e kritikës që, në shumicën e rasteve, kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e objektivë. Nga ky rreth vicioz mund të dalim vetëm duke freskuar e sensibilizuar institucionet e fushave përkatëse, duke thyer klanizmin, duke përgatitur brenda dhe jashtë vendit breza të rinj kritikësh e studiuesish me koncepte, teori e mendësi perëndimore e bashkëkohore.
*************************
Sheh gurë të latuar, mozaikë të bukur, tavolina e vatra të gurta si dhe stolisje të tjera 
Mozaikët që tregojnë shpirtin e artistit
Nga Fuat Memeli 
E quajnë Dajlan Hysolli dhe jeton në fshatin Sinicë, të Devollit të Sipërm. Në vitet e demokracisë, si shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë, edhe Sinica është rralluar. Megjithatë, edhe këtu kanë mbetur disa familje. Një nga ata që nuk i shkëputi “rrënjët’ nga fshati, është edhe Dajlan Hysolli. Si shumë fshatarë të tjerë të kësaj zone, edhe ai punon tokën, kullot bagëtinë, krasit mollët, mbledh kumbulla e bën raki, etj. Por, sinicari 52 vjeçar, ka edhe një prirje tjetër: ka një pasion të veçantë për punimin e gurit e të plloçës, u jep jetë atyre, duke zbukuruar mjediset e jashtme e të brendshme. Dajlani është një fshatar me shpirt artisti. Nuk ka bërë ndonjë shkollë apo kurs për të mësuar këto punë. Ky pasion , ka qenë brenda shpirtit të tij, ka bulëzuar kur ka ardhur koha dhe është rritur në punë e sipër. Kushdo që ka ardhur në shtëpinë e tij, është çuditur me punët që ka parë. Janë çuditur jo vetëm vizitorë vendas, por edhe të huaj. Ato dit që isha në Sinicë, pashë një usta nga Suli, i cili fotografonte punët në gur e në plloçë që kish bërë Dajlani.- Si të duken këto punë? – e pyeta. – Këto që bën Dajlani, nuk i bëj as unë dhe as shokët e mi, ishte përgjigja e tij. Punët e Dajlanit, i sheh te gurët e latuar, te mozaikët e bukur, te tavolina e vatra e gurtë si dhe stolisje të tjera në korridorin e shtëpisë. Të habisin kombinimet e zajeve të lumit apo guaskave , kërmijve dhe yjeve të detit, të mbledhura në mal, copë pas cope. Më shumë se kushdo për këtë pasion të tij, flasin fotografitë që shoqërojnë këtë shkrim. Lidhur me punimin e plloçave, ai na thotë se pasi i nxjerr ato, i lan, i pastron dhe i pret sipas formës që do. Edhe zajet e lumit, i pret dhe pastaj i zbukuron me çekan e me daltë.-Janë punë të vështira, që kërkojnë kohë dhe durim , por janë të bukura. Kur i mbaron, ndjen një kënaqësi të veçantë. Është si puna e piktorit ose skulptorit, që kur e mbaron një punë , i gëzohet asaj, thotë Dajlani. Ky pasion i tij zë fill qysh në vitet 1995-’96, kur filloi të punojë me muratorë nga Koshnica, për ndërtimin e murit të kishës së fshatit. Një nga ustallarët, e vuri re këtë dëshirë të tij për ndërtimet dhe e mbajti afër. Më pas, ai vazhdoi të punojë në ndërtime të ndryshme në fshat. Më vonë, kaloi nga bërja e murit te dekorimet e shkallëve, parmakëve , veshjet e mureve, etj. Idea e tij, është për të bërë diçka të bukur e të veçantë, jo vetëm te shtëpia e vet por edhe në shtëpi të tjera të fshatit. Me ndërtimet karakteristike që ka fshati, me shtëpitë me gurë dhe të mbuluara me plloça, me zbukurimet e veçanta e prodhimet Bio, me ujin e patër e të ftohtë,ai mendon se në Sinicë, do të të zhvillohet turizmi malor.
Kohët e fundit Dajlani po punon për ndërtimin e një lokali të ri aty pranë shtëpisë. Edhe te lokali, mendon të bëjë punime të veçanta. Duke folur për vështirësitë që has , ai thotë se kryesorja është rruga e keqe. Prej saj, kostua e punimeve në fshatin tonë është dyfishi i asaj të fshatrave të tjerë të Devollit. Ndërtimi i rrugës, do të ulte koston e shpenzimeve e do nxiste edhe fshatarë të tjerë për të ndërtuar. Gjithashtu ndërtimi i saj do të shtonte vizitorët e do ta përtërinte fshatin.
Me ndarjen e re territoriale, Sinica bën pjesë në bashkinë e Bilishtit. Sinicarët shpresojnë se bashkia e re do t’i hedhë sytë më tepër te ky fshat, i cili për afro 25 vjet, ka qenë i harruar nga shteti.
Sigal