“Ardhja” e Drita Pelingut

796
Gëzim Llojdia
Drita Pelingu (Kripa) erdhi në jetën artistike sajë të një talenti vital që u rrit në mjedise me vlera komplekse. E lindur në Vlorë, atje ku deti dhe dallgët bëhen patjetër pjesë e shpirtit të çdo banori të saj, përmes talentit të vet, ajo shqiptoi njerëzoren dhe ekzistencën e vet në kohë dhe hapësirë, duke synuar ta shpalosë bukur atë botën e vet, shpirtin dhe zemrën e vet. Lindi, 80 e ca vite më parë, në Vlorë dhe u shkollua, në familjen tregtare të Kripajve, një familje shqiptarësh të mirë e atdhetarë. Kur ka mbërritur në kryeqytet thelbësore në karakterin e saj ishte thellësia e meditimeve që përmes arsyes, talentit dhe punës mundi të ndërtojë profilin e vet artistik plus pastërtia e zërit. Ishte e para vajzë,që shkollohet në artin magjepsës të dramës, nën këshillat e Mios. Duke në fillim të vitit 1946, nis si aktore e teatrit profesionist, ndërkohë që është në shkollën pedagogjike me studime. Kryen kursin 3 vjet, aktore-regjisore. Me zërin e saj ka përcjellë në Radio-Tirana emisione që të impononin respekt. Në karrierën e saj numëron 150 personazhe, si sinteza më e përsosur e shpirtit dhe zemrës së akumuluar si ngarkesë, që kaloi në heshtje nga regjimi. Kur mediokrit preknin qiejt, gjenitë zbrisnin në tokë. Drita bënte pjesë në “brezin e harruar”, nga kritika. Ajo përmes zërit kristal dhe idealeve të qëndresës, nuk arritën kurrë t’ia thyejnë ëndërrimin e botës së artit, që nuk i sollën zhgënjim, edhe pse luftoi me zilinë urrejtjen, që ngjallte pathosi artistik i së madhes Drita Pelingu (Kripa). Hysen Pelingu, bashkëshorti i saj, ky artist i madh i skenës u bë ombrellë, për të mbrojtur artin dhe bashkëshorten nga zilitë e atij pseudoarti, që zbriste nga labirintet klasore dhe që donte ta ndalte e mbulonte talentin, që kishte ardhur nga qyteti detar i Vlorës.

Budja
Në botën e filmit, në arkivin e tij gjendet emri i Drita Pelingut, që ka gjetur rishtas një truall të ri, të ngrohur nga një zjarr i brendshëm, ku talenti ka mposhtur krejt ithtarët e pushtetit të kuq, që nëpër buzë, kanë dashur, s’kanë dashur kanë mërmëritur “Luan bukur!”. Personazhet e saj: “Nëna”, “Budja”, “Halla”, “Mësuesja” ,”Mukadezi”, në filmat ku merr pjesë si protagoniste ose jo, tek “Tana” (1958), “Njeriu me top”, “Kur hidheshin themelet”, ku interpreton rolin e Budës, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Radiostacioni”, “Përtej mureve të gurta”, “Fjalë pa fund”, “Shpresa” janë të pashlyeshme në kujtesën e spektatorit shqiptar.

Kënga e mjellmës
Nga ana regjisoriale ka realizuar: “Kënga e Mjellmës”, “Hijet”, “Shumë zhurmë për asgjë”, “Kush e solli Doruntinën”, “Korrupsion në pallatin e drejtësisë”. Ka vënë në skenë, vepra me vlerë në teatrot e Shkupit, Vlorës etj. Drita Pelingu ka punuar për 20 vjet si pedagoge në Akademinë e Arteve. Bashkëpunëtorët e saj në teatër Mio, Stillu, Mima, Qesari ruanin dhe ruajnë respektin dhe admirimin me te thellë për të. Kjo është aktorja e madhe Drita Pelingu (Kripa) e adhuruara e artdashësve shqiptarë, që disponon hapësira, frymëmarrje, rezonancë dhe qëndresë nga çikërrimat shkatërruese të luftës klasore. Kjo është Drita që ka pushtuar me rolet e saj zemrat artdashësve që regjimi i asaj kohe dot nuk e bëri “Artiste e Popullit”. Por ajo pati pareshtur adhurimin e mbarë një populli. Shikuar nga ky kënd rezonimi mund të thuhet, se Drita Pelingu është artiste e të gjithë shqiptarëve, është qytetare nderi e Vlorës, pavarësisht se i mungon, ajo ‘sajdisja’ zyrtare. Arti i Dritës do të jetojë gjatë, sepse vërtet jeta e aktorit është e shkurtër, por arti tij jeton, ai është në panteonin e kulturës së këtij kombi artdashës. Ky është edhe nderi që i bën arti kombëtar veprës së Dritës, pjesë e kësaj plejade kaq të ndritur që bëri shumë për kulturën kombëtare, por që mori pak, i shtohet edhe vlimi vullkanik i 120 personazheve të artistes magjepsëse Drita Pelingu (Kripa). Këshilli i Bashkisë Vlorë e ka vlerësuar aktoren, regjisoren dhe pedagogen me origjine nga qyteti i Vlorës, Drita me titullin “Nderi i Vlorës”. Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar” (1986), çmimi “Ismail Qemali” (1996), ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive ka ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë: “Nderi i Kombit”.
Sigal