Laguna e Karavastasë, mrekulli e natyrës dhe “ Shtëpia e Pelikanit”

1433
– Karavastaja është një nga tri zonat Ramsar në Shqipëri: ajo është strehë për një numër të madh të shpendëve dimërues, ajo është gjithashtu një vend i rëndësishëm për shumë specie me interes të madh të ruajtjes, si Pelikani dalmat (Pelecanus crispus).

– Në brendësi të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, mund të gjesh fare lehtë një mori speciesh, duke filluar nga shpendët e egër të llojeve të ndryshme dhe në veçanti ai më i spikaturi është pelikani kaçurrel, i cili zë 6.4 % të popullatës botërore dhe për të cilin duhet theksuar se është një shpend në zhdukje.

Kush ka lexuar dhe kush njeh historinë e Myzeqesë, me siguri nuk mund të anashkalojë Divjakën, pyllin e tij legjendar, ku rriteshin në natyrë dhe zbuteshin më pas buajt e egër, kuajt, madje edhe gjelat e egër. Ende dhe sot brezat 50-70 vjeçare mbajnë mend filmin “Pylli i Lirisë”, me personazh kryesor, Vlashin dhe kalin e zbutur, që ishte një kalë i egër rritur e azdisur pyjeve të Divjakës. Edhe sot, pas atyre që kanë ndodhur në Shqipëri, përsëri pylli i Divjakës mbahet mirë. Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjithçka rrezaton bukuri dhe paqe. Ajo çka mund të vërehet lehtë është që harmonia, qetësia dhe bukuria nuk janë larguar ende nga kjo mrekulli e natyrës shqiptare, e cila nuk duket si vepër e njeriut. Parku i Divjakës është një nga zonat me mbrojtje të zgjeruar në Shqipëri. Sipërfaqja totale e parkut është 22.230 hektar prej të cilave 1200 hektar janë pyll me pisha. Është një nga vendet më të bukura dhe të preferuara për pushuesit përgjatë bregdetit Adriatik dhe është i shkëlqyer për turizëm, relaks, piknik, kërkime shkencore dhe studime të ndryshme së bashku me karakteristikat biologjike dhe shkrirjen me bio-diversitetin ekologjik. Qytetarët e Divjakës gjithmonë e kanë ruajtur dhe mbrojtur me fanatizëm këtë “mushkëri” të qytetit. Në brendësi të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, mund të gjesh fare lehtë një mori speciesh, duke filluar nga shpendët e egër të llojeve të ndryshme dhe në veçanti ai më i spikaturi është pelikani kaçurrel, i cili zë 6.4 % të popullatës botërore dhe për të cilin duhet theksuar se është një shpend në zhdukje. Në Divjakë ndodhet pika perëndimore e folezimit të këtij shpendi në Evropë. Gjithashtu në lagunat e shumta të parkut mund të gjejmë llojet e ndryshme të peshqve, të cilët janë të dalluar për cilësinë dhe shijen e tyre. Levreku, qefulli, ngjala, dhe shumë lloje të tjerë peshqish pak ose aspak mund të gjenden në zona të tjera të Shqipërisë. Së fundmi, është vënë re një rritje e numrit të vizitorëve, për shkak të atraksioneve të shumta që ofron parku dhe punës së bërë nga pushteti vendor. Ekosistemi i parkut Divjakë- Karavasta përfshihet në Konventën Ndërkombëtare të Ramstarit që prej vitit 1994, gjë e cila e bën parkun me rëndësi të veçantë. Plazhi i Divjakës ka qenë nga më popullorët dhe më të frekuentuarit në kohën e socializmit dhe më pas. Ai për brezat e vjetër ngjall nostalgji dhe mall, pasi në ato kabina ku kanë kaluar çaste të bukura të rinisë dhe të fëmijërisë së tyre. Një zonë e madhe e Shqipërisë duke nisur nga Korça, Elbasani, Skrapari, Berati, Mallakastra dhe, domosdo, Myzeqeja ishin frekuentuesit më të mëdhenj të këtij plazhi. Shumë prej tyre, për shkak edhe të kujtimeve dhe nostalgjisë, e frekuentojnë edhe sot sistematikisht. Plazhi i Divjakës ka rreth 50 vjet që ka filluar të funksionojë në mënyrë të organizuar nga shteti, pasi para këtyre viteve çdo gjë ka qenë në mënyrë primitive. Tani së fundi ky plazh ka marrë jetë dhe nga viti në vit po përmirësohet.

Laguna e Karavastasë
Për të parë mrekullitë që të ofron Laguna e Karavastasë, vijnë vizitorë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, nga rajoni por edhe turistë të huaj. Turizmi i “bird watching” (vëzhgimi i shpendëve) në Divjakë, po fillon të zhvillohet dita ditës dhe janë të shumta kërkesat për këto lloj vizitash, të cilat më së shumti preferohen nga turistët e huaj. Të shikosh rrahjet e krahëve gjysmë metroshe të pelikanëve nuk ndodh çdo ditë të jetës. Këtë mundësi e ofron vetëm laguna e Divjakës. Të gjitha këto tregojnë potencialet e shumta që ka rajoni i Divjakës për zhvillimin e turizmit. Distanca nga rruga nacionale në rreth rrotullimin e Çermës për në bregdet është 18 km dhe për të ardhur në plazh mund të përdorësh transportin publik.

Plazhi i Divjakës
Plazhi i Divjakës është një prej bukurive natyrore të ruajtura më mirë në Shqipëri. Deti është i cekët dhe është i shkëlqyer për pushime me fëmijë dhe familjen. Plazhi i Divjakës ka një shtrirje prej 15 km, rëre të bardhë e kufizuar nga pylli me pisha, dhe është një destinacion popullor anë e detit për mijëra pushues nga Shqipëria qendrore dhe ajo jugore. Plazhi me rërë është i madh (250 m i gjerë nga ana e pyllit deri tek uji në disa zona). Edhe gjatë kulmit të sezonit është e mundur që të ecni lart e poshtë dhe të gjeni pak privatësi. Dunat e rërës ndodhen në pjesën veriore. Sistemi i dunës është 15 km i gjatë dhe mesatarisht 40-50 m i gjerë. Dunat e rërës nuk janë të zhvilluara mirë, lartësia e tyre varjon prej 1 deri në 2.5m. Pylli me pisha i Divjakës mbulon një sipërfaqe prej 1100 ha, 700 ha prej të cilave janë Park Kombëtar (që prej 1966). Nga ana lindore pylli kufizohet me toka bujqësore dhe laguna e Karavastasë dhe në perëndim nga rripi me rërë i bregdetit. Ekosistemi brenda pyllit është i shumëllojshëm. Plazhi i Divjakës ofron mundësi të shumta për sportet ujore, eko-turizmin, dashamirësit e natyrës dhe të zogjve. Plazhi ranor i Divjakës është i pasur me sasi të konsiderueshme jodi dhe temperaturë mbi 200C, që fillon qysh prej gjysmës së dytë të muajit maj dhe vazhdon deri në fillim të tetorit. Kjo është një zonë ku aktivitetet e plazhit mund të ndërthuren lehtësisht me eko-turizmin. Rreth 300.000 pushues vizitojnë plazhin e Karavastasë çdo vit, me rreth 8.000 vizitorë në ditë në verë. Gjithashtu, ujërat e lagunës, të cilat arrijnë afërsisht 1.5 metra thellësi, janë të pasura me peshq, veçanërisht qefull dhe ngjala, gatimi i të cilave ofrohet në shumë prej restoranteve të plazhit të Divjakës.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, aty ku flasin mrekullitë e natyrës
Parku kufizohet nga lumi Shkumbin në Veri, Kodrat e Divjakës në Lindje, Ujëmbledhësi i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug…,si dhe laget nga Deti Adriatik në Perëndim. Ky park Kombëtar karakterizohet nga një pasuri floristike, dominuar nga pylli me pisha mesdhetare, me shkurre të dendura etj. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta (PKDK) është kompleksi më i madh jo-bregdetar në Shqipëri, i përbërë nga katër lagunat (Karavasta, Godullat, Godullat e Pishës, Spiaxho) me një sipërfaqe prej afro 5.000 ha duke përfshirë dunat e rërës dhe deltën e lumit që ndodhet në pjesën qendrore të Rajonit Perëndimor, ndërmjet lumit Shkumbin në veri dhe lumit Seman (Kanali i Myzeqesë) në jug, 40km në perëndim të qytetit të Lushnjës nga ana e bregdetit Adriatik. Laguna e Karavastasë është sipërfaqja më e madhe (4.100 ha) e këtij kompleksi ; ajo është 15.4 km e gjatë dhe 4.1 km e gjerë. Thellësia maksimale është 1,3m dhe ka një thellësi mesatare prej 0.7m. Në pjesën lindore kompleksi është i rrethuar nga Kodrat e Divjakës, 18 km të gjata dhe 5km të gjera. Pika më e lartë është Guri i Gomares me 192m mbi nivelin e detit, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës është rreth 6.500 ha. Laguna është e ndarë nga deti prej pyllit me pisha të Divjakës dhe në pjesën lindore tokat bujqësore kufizohen me lagunën Godullës. Karavastaja është një nga tri zonat Ramsar në Shqipëri: ajo është strehë për një numër të madh të shpendëve dimërues, ajo është gjithashtu një vend i rëndësishëm për shumë specie me interes të madh të ruajtjes, si Pelikani dalmat (Pelecanus crispus). Parku Kombëtar i Pishës së Divjakës është i mirënjohur për vlerat me të vërtetë unikale ekologjike dhe manifestimet e tjera natyrore. Bimësia dhe llojet e kafshëve janë të larmishme dhe veçanërisht të bukura. Parku shërben gjithashtu, edhe si strehë për mjaft shpendë të rrallë, përfshirë edhe specien e rrezikuar të pelikanit. Kjo është edhe pika më perëndimore e folezimit të këtij lloj shpendi në të gjithë Evropën. Zona e parkut rekomandohet gjithashtu edhe për vlerat tërheqëse të ekosistemit të tij, me 210 lloje shpendësh, 12 lloje gjitarësh dhe 16 lloje zvarranikësh. Parku mbizotërohet prej zonave të pishave të buta dhe të egra, ku dallohen veçanërisht pishat me kurorë të madhe. Pylli shumëkatësh është mjaft i pasur me barëra dhe pemë të larta. Flora e Parkut Kombëtar të Divjakës shquhet posaçërisht për bukurinë dhe freskinë e veçantë të saj.

Ishulli i Pelikanit (Monument Natyror)
Ndodhet në veriperëndim të Lagunës së Karavastasë. Ky është një vend i rëndësishëm për mbarështimin e Pelikanëve Dalmatë. Pisha e Egër në Oazin e Karavastasë është gjithashtu e renditur si një Monument Natyror në Shqipëri. Ajo përfaqëson një pemë pishe 410-vjeçare që ndodhet në jug-perëndim të pjesës veriore të pyllit. Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe dhe më e rëndësishme e zonës bregdetare të Detit Adriatik. Ajo ka një sipërfaqe prej 43.3 km katror, me një gjatësi maksimale prej 10.6 km, gjerësi maksimale prej 4.3 km, dhe thellësi maksimale prej 1.5 m. Laguna e Karavastasë është e mirënjohur për koloninë e species së rrezikuar botërore të Pelikanit Dalmat. Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare. Gjithashtu, më tepër se 200 lloje të tjera shpendësh mund të vëzhgohen në këtë zonë, duke përfshirë edhe disa specie të tjera botërore të rrezikuara, siç janë karabullaku i vogël, rosa kokëbardhë, shqiponja me njolla dhe fajkoi i hirtë.

Ishulli i Kularit (Monument Natyror) 
Ndodhet pranë deltës së lumit Shkumbin, 0,5m mbi nivelin e detit, i formuar si rezultat i prurjeve aluvionale të lumit. Ishulli është i mbuluar nga shkurret, plepi i egër, druri i kedrit, kullotat dimërore dhe lloje të ndryshme vegjetacioni të gjelbër. Aty mund të gjenden disa lloje shpendësh ujorë, dhe veçanërisht, pelikani Dalmat. Dokumentet e zhvillimit strategjik të hartuar nga Ministria e Turizmit e identifikojnë lagunën e Karavastasë si një zonë me “vlera tepër të rëndësishme të bio-diversitetit”.

Gjuetia dhe peshkimi 
Normalisht që veprimtaria e peshkimit nuk kishte si t’i mungonte Divjakës. Kanë qenë dhe janë një traditë në qytetin e Divjakës. Jo vetëm te moshat e mëdha, por edhe të rinj bëhen pjesë e kësaj tradite që ka ekzistuar dhe vazhdon të përcillet edhe sot brez pas brezi. Peshkimi është çdo veprimtari për gjuajtjen e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë duke përdorur mjete dhe pajisje të ndryshme. Një zonë e pasur ujore me mundësi të mëdha peshkimi. Qytetarët e Divjakës më së shumti e zhvillojnë këtë veprimtari për arsye ekonomike, por ka edhe shumë raste të tjera të njerëzve që peshkimin e kanë si sportin e tyre të preferuar dhe e zhvillojnë çdo ditë. Vendi kryesor për peshkim i ndërtuar nga vendasit është kanali i Vaut të Dejës, si kjo pikë përgjatë vijës bregdetare shikojmë edhe dy të tjera. Njeriu në një mënyrë të thjeshtë që në gjuhën e peshkatarëve quhet reze, bënë të mundur furnizimin e lagunës me “rasatin” e detit, proces ky që vazhdon deri në muajin shkurt kur fillon edhe shumimi i peshkut. Peshkatarët tregojnë mënyrën se si mundësohet zënia e peshkut. Ata thonë se janë në procesin e zënies së peshkut dhe kanë shumë lloje peshqish, të cilët dalin kur bëhen gati për t’u shtuar. Në momentin që bëhen gati për t’u shtuar peshku tenton të hyjë në det për t’u shtuar dhe kështu kapet, ky është procesi por ka edhe proces për ta kapur në momentet kur ka temperatura të larta ose shumë të ulëta”. Përveç peshkimit kjo zonë ka qenë dhe është një zonë e përshtatshme edhe për gjueti të shpesëve të egra, dhe pse vitet e fundit ka rënë ndjeshëm ritmi i gjuetisë. Deri në fund të viteve ’80 kjo ishte zonë e rezervuar për ish-udhëheqësit e lartë komunist, të cilët vinin në fundjavë për të gjuajtur shpezë të egra. Në lagunë rritet me shumicë fazani i egër, i cili përbën një nga ushqimet më të zgjedhura, por edhe rosa dhe pata e egër.

Peshku dhe kriporet e lagunës
Laguna është e pasur me peshq të llojeve te ndryshme, ku mbizotëron trofta. Por peshkatarët dalin shpesh edhe në det të hapur, duke sjellë në restorantet e zonës një shumëllojshmëri peshku. Ne disa vende janë ngritur edhe kripore të vogla. Lloje të tjera peshku janë salmoni, qefull, koce, kallamar e shumë të tjerë. Vetë qytetarët e Divjakës thonë se Divjaka mirëpret të gjithë ata që e kanë hobi peshkimin, është vendi ideal për të kaluar një pasdite të këndshme duke peshkuar.