Kol Susaj: Festivali i dytë i Këngës Popullore Qytetare, një vlerë e re e muzikës qytetare

935
Sigal

INTERVISTA/ Flet kompozitori i këngës epike, lirike, popullore, humoristike, këngë-lojë, Kol Susaj

Ai mbetet kompozitori më pikant i trevave të veriut. Këngët e tij epike, lirike, popullore, humoristike, këngë-lojë, janë bërë aq popullore sa këto treva I kanë kthyer këto këngë në pjesë të festive familjare apo krahinore.

Kënga e parë ka qenë në vitin 1967 një këngë për rininë. Atëherë ka qenë në vitin e tretë në shkollës së mesme të kulturës në Tiranë. Ishin me punë prodhuese në Jonufër të Vlorës. E realizoi me nxitjen e profesorit Agim Prodani, në atë kohë një nga kompozitorët më të njohur. Ai diktoi tek Kola një damar krijues dhe e thirri që të bëj një këngë për rininë. Mbaroi shkollën për muzikë dhe për vizatim. Shkollën e mesme e mbaroi në vitin 1969 dhe u emërua në shtëpinë e kulturës në Lekbibaj (Nikaj-Mërtur). Pas maturës filluoi jetën e punës. Furnizonte repertorë të rinj që mbushnin grupet artistike. Zona kishte një shtëpi kulture modeste. Aty gjeti disa solistë të mirë,por repertori që zotëronin ata ishte i cunguar. Nuk kishin mundësi të këndonin këngë të festivaleve dhe këngë të muzikës së lehtë apo popullore sepse aq ishte edhe niveli i tyre në atë kohë, pa drejtues pa kompozitorë, por që kishin shumë talent. Ka dhënë koncerte edhe në tunelet e Fierzës. Ndoshta sot askujt nuk i besohet. Aty krijuan dhe një korr të klasës punëtore me 80 veta me tre katër zëra. 

 Aktualisht, cili është aktiviteti i Kolë Susaj?

 Sapo mbaruam Festivalin e dytë të Këngës Popullore Qytetare, e cila u zhvillua në Tiranë nga data 2-3 tetor në kujdesin e RTSH. Pra tashmë ky Festival po fiton traditën e duhur, duke pasur parasysh suksesin që pati Festivali i parë. Unë në këtë festival u paraqita  me këngën “Dy Valbonat”, ku njëra Valbonë është lumi i Valbonës ndërsa Valbona tjetër është  një vajzë e cila ecën përgjatë bregut të lumit, në momentin që vajza ndalon, të shplodhet, lumi Valbona vazhdon ecjen e saj të qetë. Tekstin e kësaj kënge e ka bërë poeti Marash Mëhilli, muzikën unë dhe e këndoi këngëtarja e mirënjohur Fatmira Breçani. Mund të them se kënga u mirëprit dhe pati shumë duartrokitje. Ishin të gjithë komponentët në harmoni. Muzika, teksti, këngëtarja, orkestra.

 E veçanta e këtij festivali?

E veçanta është se po krijon një traditë të veçantë, një traditë shumë konkrete. Është një festival që ndoshta duhej zhvilluar me kohë. Por asnjëherë nuk është vonë. Nisma e Edmond Zhulalit duhet përshëndetur. Jo gjithmonë merren nisma të tilla me karakter të thellë kombëtar që i japin një zhvillim muzikës. Jemi në një stad që muzika jonë popullore sidomos ajo qytetare duhet ruajtur dhe transmetuar më tej.

 Deri sa të arrije këtu dhe gjatë kohës që nuk jemi takuar, cila ka qenë krijimtaria e Kolës?

(Qesh). Sigurisht qysh ahere dhe besoj u bë një vit, unë kam kompozuar disa këngë, si kënga “Dukagjin”,  me tekst të poetit Kadri Fikaj, të cilën e kanë kënduar Xhovalin Prroni dhe Gjelosh Hajdari. Këngën “Tek këto troje prapë do të vini”,  sërish me tekst të Kadri Fikaj, të kënduar nga Fran Puliqi. Kam kompozuar këngën “Mërgimtari”  të kënduar nga Gjelosh Hajdari si dhe këngën “Kur  për luftë më thirri Kosova” të kënduar nga Zenel Zekolli.

 Para ca kohësh kam parë në TVSH një dokumentar për veprimtarinë tuaj, si u realizua ky film dokumentar?

 Ky film dokumentar u realizua tërësisht nga TVSH, me regjisor dhe skenarist të mirënjohurin Llesh Nikolla. Ky film zgjati një orë e 13 minuta dhe është shfaqur katër herë vetëm në TVSH. Në këtë film rreket gjithë krijimtaria ime si kompozitor që  në fillesat e saj. Mund të them se filmi u realizua në mënyrë perfekte pasi kjo u pa nga kërkesat që ka pas për ritransmetim. E falënderoj regjisorin  Llesh Nikolla për këtë punë të fisme.

 Pas Agim Prodanit kush të nxiti në rrugën e kompozicionit?

 Pas asaj kënge të parë që cilësohet në hyrje  unë kisha krijuar një këngë të re dhe ia tregova kompozitorit të nderuar Haik Zaharjan. Ai më tha dërgoje në radio se e ke shumë të mirë këngën. Ishte viti 1975. E çova kompozimin në Radio Tirana ku atje përgjegjës i redaksisë ishte Gjon Simoni Për çudi më thane se këngën e ke shumë të bukur dhe do ta dëgjosh në anketë. Më thanë se shkruaj përsëri dhe na sill këngë të tjera. Unë shkova në Tropojë dhe mbas dy muajve e dëgjoj këngën në anketën e gushtit të kënduar nga Flora Toska. Kënga titullohet “Për ty fshat”.

Unë materialin e dërgova tekst mostër por në atë kohë angazhuan një poet të quajtur Zaho Puci për të bërë tekstin. Edhe pse kanë kaluar shumë vite unë nuk i kam takuar asnjëherë as Flora Toskën dhe as Zaho Pucin. Unë dua që ti takoj sepse jemi të tre bashkautor të asaj kënge.

Anketat në atë kohë kishin edhe çmim dhe këngës time i dhanë çmim të parë. Pastaj m’u ngjall dashuria për ta vazhduar këtë punë. Mbas 7 vjetësh në hidrocentralin e Fierzës u emërova shef i muzikës në pallatin e kulturës Dardania në Tropojë. Atje kam punuar 20 vjet. Atje kishte zëra të shkëlqyer si Fatmira Breçani, Gëzim Nika, Zef Deka dhe shumë këngëtarë të tjerë. Për të krijuar një jetë artistike të kualifikuar na dilte gjithmonë problem se duheshin këngë të reja dhe këngëtarët duhej të furnizoheshin me material të ri. Shumë këngë u profilizuan dhe mbetën me karakterin dhe zërin e këtyre këngëtarëve. M’u imponua kjo lloj krijimtarie nga kontingjenti i këngëtarëve që kisha atje në dispozicion. Shumë këngë i krijova sidomos në vitet 1980 ku edhe sot e kësaj dite ato këndohen përsëri me po atë dëshirë edhe pse kanë kaluar 20-30 vite. Ato këndohen edhe sot nga shumë këngëtarë

nga Shqipëria, Diaspora.

Krijime të shumta por kënga hit mbetet si përmendore  “Shqipëri o nëna ime”?

Sot edhe unë kështu mund të them. Këtë e ka vulosur koha pavarësisht se si mund të them unë. Se besoja se do arrinte këtu. Unë ndjej një kënaqësi të madhe se gjithandej ku kaloj dëgjoj diçka nga vetvetja. “Shqipëri o nëna ime” është një këngë që këndohet nga e gjithë diaspora jo vetëm në Shqipëri. Kjo këngë këndohet në çdo manifestim dhe në çdo gëzim, mbase është edhe vetë tema që flitet për emigrantët. Kjo është kryekënga ime sepse tashmë është kthyer në një himn. Unë këtë këngë e kam mbështetur në poezinë madhore të Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”, ku unë shkëputa një fragment. Kjo ishte një iniciativë e imja që më doli shumë e suksesshme. Në fillim është kënduar nga Gëzim Nika dhe pastaj është kënduar nga Shkurte Fejza. Besoj se nuk ka ngelur këngëtarë pa e kënduar këtë këngë. Por unë do të përmend bashkëpunimet e mia me këngëtarët e tjerë potent dhe mjaft popullor si: Arif Vladi, “Djemtë e detit”, Violeta Deda, Ilir Shaqiri, etj…

Si është mendimi juaj për Festivalin e parë të Këngës Popullore që solli këngën tradicionale jashtë huazimeve?

Ai Festival duhet të përshëndetur sepse institucioni qendror siç është Radiotelevizioni shqiptar me profesionalizmin më të lartë mes kompozitorëve muzikantëve dhe të orkestrës së madhe që kanë e kthyen shikimin nga muzika popullore. Në këtë festival profesionalizmi u duk qartë, përzgjedhja e materialit ishte më se e mirë, ishte një lloj gare brenda vetvetes së Festivalit. Ishin 10 këngë të vjetra hite që janë krijuar 50 vjet më parë dhe që i kanë rezistuar kohës. Edhe në Festivalin e parë u bënë 10 krijime të reja të kohës së sotme. Për ata që e kanë ndjekur festivalin dhe për ata

që do ta ndjekin përmes ritransmetimeve do të shikojnë se këto 10 hite të vjetra nuk kanë më shkëputje me 10 hitet e reja që u krijuan nga 10 kompozitorët më të mirë që kemi ne dhe duke u interpretuar nga 10 këngëtarë ndër më të mirët. Shoqërimi i orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar nën udhëheqjen artistike të Edmond Zhulalit, me punën e kompozitorëve të talentuar si Shpëtim Saraçi, dhe Alfred Kaçinari, bëri që ky Festival i parë të ishte një festival që duhet të përshëndetur, përgëzuar, përkrahur. Këndvështrimi i këtij festivali ishte më se profesional. Kthimi i syve tek profesionistët nga kënga dhe muzika popullore duhet përshëndetur.