Zhgënjehet Kadare në Stokholm, shkëlqen Agolli në Itali

811
Sigal

Shkrimtarja kanadeze 82 -vjeçare Alice Munro merr çmimin “Nobel”, Dritëro Agolli fiton Çmimin Letrar “Carlo Levi”

 Kadare është zhgënjyer për mosmarrjen e çmimit “Nobel” në Stokholm, ndërsa Agolli ka shkëlqyer me veprën e tij në Itali, duke merituar çmimin e parë. Në lidhje me çmimin “Nobel”, për shkaqe jashtë letrare, ose joletrare, Kadare pëson edhe këtë vit zhgënjimin e radhës në perandorinë e jurisë së akademisë suedeze, e cila e rrëzon shkrimtarin e madh shqiptar për herë të 28-të. Shkrimtarja kanadeze Alice Munro merr çmimin “Nobel” në letërsi për vitin 2013. Ky çmim iu dha shkrimtares 82 -vjeçare me motivacionin si mjeshtre e prozës kontemporane. Alice Munro është njëkohësisht edhe fituese e çmimit “Man Booker Prize” në vitin 2009. Shumë prej librave të Munro përqendrohen në vendlindjen e saj, kontenë Huron të Ontarios, në Kanada, teksa fokusimi i saj rajonal është një prej aspekteve kryesore të rrëfimeve të saj. Shumë kritikë e krahasojnë peizazhin që ajo përshkruan me atë të shkrimtarëve të pjesës jugore të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, shkrimtari i lindur në pjesën jugore të Shqipërisë Ismail Kadare do të presë tetorin tjetër për të rikthyer emocionet e ankthit për një fitore të mundshme të “NOBEL”-it

Munro një libër për Shqipërinë

Një nga veprat e fitueses së vlerësimit të rëndësishëm, që bën fjalë për Shqipërinë, është botuar edhe në gjuhën tonë, në vitin 2005. Novela me titull “The Albanian Virgin” është një fiction dhe flet për jetën e burrneshave në veri të vendit. Autorja ka treguar se, për shkrimin e kësaj novele është frymëzuar nga një artikull në një gazetë. Novela e shkruar në vitin 1994, është përkthyer në shqip nga Pirro Dollani, i cili tashmë jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara. Alice Munro është 82 vjeçe dhe në vitin 2009, ka fituar edhe çmimin “Man Booker Prize”. Munro është gjithashtu fituese tre herë e Çmimit Kombëtar të Letërsisë kanadeze. Mënyra e saj e shkrimit, ka bërë që ajo të vlerësohet nga kritika si një ndër shkrimtaret më të mira të letërsisë bashkëkohore. Vepra e saj më e njohur është “Vallëzimi i Hijeve të Lumtura”, botuar në vitin 1968. Munro është fituesja e 110-të e çmimit “Nobel” në letërsi. Vitin e shkuar, ky vlerësim u dha për shkrimtarin kinez Mo Yan. I mundësuar nga fondacioni “Nobel”, çmimi që u akordohet vetëm shkrimtarëve që jetojnë ende, ka një vlerë prej 1.2 milionë Dollarë. Tani u mësuam me surpriza. Edhe këtë vit nuk ka munguar surpriza e akademisë, duke nderuar me këtë çmim prestigjioz atë, që është cilësuar si mjeshtre e tregimit të shkurtër bashkëkohor. Ajo është fituese e Çmimit Ndërkombëtar Man Booker më 2009 dhe ka fituar gjithashtu tre herë Çmimin e Përgjithshëm të Guvernatorit të Kanadasë për fiction.

Gara

Në garë ishin gjithsej 195 autorët e nominuar, nga të cilët 48 për herë të parë, ka bërë me dije fondacioni. Që nga viti 1901 janë 12 gratë që janë vlerësuar me çmimin “Nobel”. Midis të preferuarve, emrat më të përmendur ishin: Kadare, Philip Roth dhe Murakami. Ndërsa Alice Munro, deri dje nuk përmendej asgjëkund si pretendente e mundshme. Por sot e tutje të gjithë do të vrapojnë nëpër librari për blerjen e librit të saj.  Vitin e shkuar, shkrimtari kinez MoYan mori çmimin “Nobel për Letërsinë” dhe botuesit pyetën “kush është ky? Dekadën e fundit, Çmimi “Nobel” në vitin 2010 për Mario Vargas Llosa-n ishte ai më i afërti për një vepër të njohur. J. M. Le Clezio (Nobel 2008), Herta Muller (2009) dhe Transtromer (2011) ishin emra të vështirë për t’u shqiptuar dhe librat e tyre të vështirë për t’u gjetur. Pas marrjes së çmimit, veprat e tyre filluan të botoheshin dhe, të paktën, u kuptua se çmimi “Nobel” ka një efekt komercial: ndihmon që laureatët e tij të shiten. Por përtej kësaj, çmimi “Nobel”, që është ndoshta çmimi më i madh në botën e letërsisë, çmim që është dhënë duke filluar nga viti 1901 nga Akademia Suedeze, e ka humbur njëfarësoj relevancën e vet. Sepse thuhet që çmimi jepet më shumë për shkaqe joletrare, apo jashtë letrare. Kritikat u përsëriten pas zgjedhjes së laureatit të ri, e cila u shpall dje.

Arsyet e fitores

Nuk dihet saktësisht arsyeja më e veçantë, e cila mund të çojë dikë tek titulli. Faktori gjeopolitik është një nga kritikat më të shpeshta: Vargas Llosa e mori çmimin 20 vjet pas meksikanit Octavio Paz. A do të duhet të kalojnë dy dekada të tjera që një shkrimtar latino-amerikan të marrë çmimin? Komponenti ideologjik është një tjetër faktor: Kritiku Harold Bloom ka thënë se Philip Roth (1933), i cili nuk botoi më pasi kishte shkruar 31 vepra, dhe nuk do të botojë më, sepse “shumë pak korrekt politikisht ndërsa Akademia është kaq korrekte politikisht, saqë ngjan e pamundur”. Në vitin 1993, Toni Morrison ishte autori i fundit që iu dha çmimi. Këtë vit, lista udhëhiqej sërish nga Murakami. Për “Guardian”-in, autori i Tokios është një nga romancierët më të mëdhenj të ditëve të sotme. I parapëlqyeri i dytë në radhë është autori amerikan Joyce Carol Oates (1938)dhe më pas dramaturgu dhe romancieri hungarez Peter Nadas (1942).

Kritikat për “Nobel”-in

Kritika kryesore për Akademinë e përbërë nga 18 anëtarë të përjetshëm, ndër të tjera është se nuk ka nderuar figura kyçe të letrave, si: Tolstoi, Prusti, Xhejms Xhojsi, Kafka, Nabokovi dhe Borgesi. “Tolstoi u skualifikua si pesimist”, tha Kjell Espmark, ish-kryetar i Komitetit për çmimin “Nobel”, në librin e tij çmimi “Nobel për letërsinë” (2008). “Nëse nuk ia jepni kurrë çmimin Borgesit, atëherë nuk dua t’ia di fare se kush e merr çmimin Nobel”, thotë autori amerikan Francisco Goldman. Skepticizmi dhe pakënaqësia ndaj Akademisë shtohet. Këtu, një sërë shkrimtarësh dhe kritikësh japin mendimin e tyre për të parapëlqyerin e tretë në radhë. A do të jetë ai vallë emri i të cilit do të shpallet të enjten në Stokholm? Shqiptari Ismail Kadare dhe amerikani Cormac Mçarthy janë të preferuarit e autorit salvadorian Horacio Castellanos Moya. “Megjithëse shumë të ndryshëm për nga tematika, që të dy kanë një vepër komplekse, që zbulon marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet njerëzve. Secili nga të dy e meriton çmimin”, thotë ai. Kritiku i “The Nevv Yorker”, James Vvood, gjithashtu i ka hedhur “fishat e bastit të vet” për Kadarenë. Në librat e tij më të famshëm, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”, autori pasqyron kohërat e turbullta që përjetoi populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Më pëlqen për alegoritë e tij të errëta, zbavitëse, frikësuese dhe komplekse për efektet e deformimit të tiranisë së shtetit tek individi”, thotë Vvood-i, i cili veçon titullin autobiografik “Kronikë në gur” (1970) të Kadaresë. “Është një tablo shumë e bukur e një qyteti shumëfetar të fëminisë së tij”, shton ai. Nëse “Nobel”-i do të rezultojë sipas këtij sondazhi, ata që kanë grumbulluar më shumë vota janë Philip Roth dhe antipoeti kilian Nicanor Parra. Për autorin amerikan, të vetmin shkrimtar të gjallë të botuar nga “The Libraryof America”, kritiku spanjoll Ignacio Echevarria thotë: “Kanë të drejtë ata që sugjerojnë se ai nuk do të zërë asnjëherë vendin e mjeshtrit të vet, Saul Belloë, në tablonë e letërsisë së madhe”. Kritiku peruvian, Julio Ortega  dhe kiliani Marcelo Soto zgjedhin autorin e “Poema dhe antipoema”, dhe shtojnë edhe Echevarrian. “Parra jo vetëm që e meriton çmimin “Nobel”, por Nobel-i nuk ka kuptim pa të”, thotë Ortega. “Nobel”-in e vetëm për Izraelin e ka marrë Shmuel Yosef Agnon në vitin 1966. Kandidati i përjetshëm ishte izraeliti AmosOz. “Vepra e tij është një testament për historinë e rajonit dhe një eksplorim brilant i gjendjes njerëzore”, thotë kolumbiani Santiago Gamboa.

Ndarja e çmimit

“Mendoj se është koha për t’ia dhënë çmimin një shkrimtari kanadez”, thotë EdmundoPazSoldan, i cili përzgjedh Alice Munro dhe Margaret Atvvood. “Nga të dy, unë parapëlqej Atvvood-in, pavarësisht nga cilësia stilistikore, ka demonstruar një variacion të shkëlqyer regjistrash, duke nisur letërsia realiste deri te distopia post-apokaliptike”. Në gjuhën frënge, Maurico Electorat përzgjedh Patrick Modiano. “Ai ka ndërtuar një univers narrativ unik, që bazohet në fëmijërinë traumatike si një bir çifutësh. Veprat e tij fiction lëvizin në një identitet të fragmentuar”, shprehet ai për autorin e Trilogjisë së pushtimit. Ndërsa Richard Ford dërgon vetëm një mesazh të shkurtër: “Kushdo që ta fitojë çmimin “Nobel” do të ketë një ditë të mirë. Për të gjithë kolegët e mi, një ditë e mirë është mjaft e rrallë”.

 Dritëro Agolli shkëlqen në Aliano Matera të Italisë dhe fiton çmimin letrar “Carlo Levi”

Botuesja Irena Toçi: Faleminderit për vlerësimin e poetit që ka shkruar mbi 1500 poezi e poema!

Ndërkohë, në një mjedis të ngrohtë artistik, poeti ynë i madh Dritëro Agolli ka fituar çmimin letrar “Carlo  Levi”. Në këtë takim, poeti ynë nuk ishte i pranishëm, por botuesja e Irena Toçi mbajti një referat falënderimi duke përshëndetur organizatorët. Në fjalën e saj, ajo tha:  “Falënderoj organizatorët për këtë veprimtari të njohur jo vetëm në Itali por edhe jashtë saj, si dhe mundësimin që i bënë grupit nga Shqipëria për të qenë pjesë e integrale e kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme. Një falënderim të veçantë për kryetarin e bashkisë, z. Luigi De Lorenzio, i cili një qendër banimi të vogël si Aliano, nëpërmjet organizimit të një evenimenti të tillë kulturor ndërkombëtar e ka bërë atë një emër të madh në kulturën italiane e më gjerë. Falënderoj Zotin që e bëri jurinë të kthejë sytë nga letërsia e vendit përballë dhe të vlerësojë me çmimin e këtij viti një prej penave më të ndritura të letërsisë shqipe bashkëkohore, poetin, shkrimtarin, publicistin, mendimtarin, personalitetin dhe, mbi të gjitha, intelektualin e një kohe të trazuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, Dritëro Agolli. Ne ndoqëm së bashku në këtë ceremoni sekuencat e një dokumentari të shkurtër të përgatitur me shumë përkushtim e dashuri, një sintezë e jetës dhe veprës së Dritëroit dhe mua më mbeten pak gjera për të shtuar në një rast të tillë, edhe pse për veprën e Dritëroit, vlerat, rëndësinë dhe vendin e saj në letërsinë shqipe është folur e do të flitet vazhdimisht. Poet i mbi 1500 poezive e poemave, pjesa më e madhe e të cilave me ndikime të ndjeshme nga krijimtaria dhe tradita popullore, vargjet e krijuara prej tij janë mësuar përmendësh dhe përdoren në jetën tonë të përditshme nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, nga kopshtet e shkollat, në fshatra e qytete, veprimtaritë e institucionet kulturore e deri në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët debatojnë midis tyre edhe me vargjet thumbuese e plot humor të Dritëroit. Të gjithë dëshironim që ta kishim sonte këtu Dritëroin, poetin simbol të ditëve tona, njeriun më të dashur ndër shqiptarët, engjëllin mbrojtës të shumë krijuesve gjatë regjimit të kaluar, që shpesh rrezikonin në kërkim të hapësirave të reja dhe jashtë sistemit që e kishte mbërthyer vendin duke kërkuar më shumë liri krijuese dhe mendimi. Por shëndeti i një 82- vjeçari me një jetë të trazuar mbi supe shpesh t’i prish planet dhe bën që dëshirat të mos realizohen gjithmonë. Këtë e thotë edhe vetë Dritëroi në letrën e ngrohtë drejtuar këtij takimi domethënës, veçanërisht për ne shqiptarët. Duke përfunduar, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e jurisë së çmimit letrar “Carlo Levi”, shkrimtarin dhe publicistin e njohur Raffaele Nigro, mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që ka pasur për vendin tonë gjatë këtyre 22 vjetëve. Në të vërtetë çmimi letrar “Carlo Levi” që i jepet sonte Dritëroit tonë të madh nuk është vlerësim dhe nuk i bën nder vetëm një autori si Dritëroi apo veprës së tij shumë të gjerë. Në fakt, ky është një çmim dhe vlerësim që i bën nder gjithë letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, duke e rreshtuar atë përkrah vlerave më të spikatura të letërsisë të vendeve mesdhetar.

MOTIVACIONI I ÇMIMIT PER Z. DRITERO AGOLLI
Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, gjithnjë ka vënë në pah me krenari origjinën e tij. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri tjetri për të ravijëzuar një identitet, i cili është fëmijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim. Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top” me kurajo të admirueshme i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti. Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet President i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri.

 Letra përshëndetëse e Dritëro Agollit: Poezinë shqiptare dhe atë italiane e ndan vetëm një mur uji!

 Të nderuar miq. Unë sot duhet të isha atje mes jush, por jam si një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbathen. Por të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falënderoj Jurinë e Edicionit XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumte dhe kritika letrare. Unë ndiej një kënaqësi të madhe të marr një çmim me emrin e Carlo Levit, piktorit, publicistit dhe shkrimtarit të shquar, luftëtarit antifashist dhe ëndërrimtarit për një botë të re pa varfëri, padrejtësi shoqërore dhe pa luftëra. Sikur të ndodhte një mrekulli që Carlo Levi të më shtrëngonte dorën, vetëm kjo gjë do të ishte çmimi më i madh që do të merrja ndonjëherë. Letërsia shqiptare që në fillimet e saj është ushqyer nga letërsia, arti dhe kultura italiane, sepse jemi fqinj dhe, siç thonë, na ndan vetëm një mur uji dhe mbi këtë mur uji, siç fluturojnë pulëbardhat në brigjet tona, ashtu fluturon poezia, proza, muzika dhe të gjitha artet e tjera. Edhe njëherë, nëpërmjet kësaj përshëndetjeje të shkruar dhe të përcjellë nga vajza ime Elona, ju falënderoj për nderin dhe emocionet që më dhatë me çmimin “Carlo Levi”. Pleqtë dhe fëmijët u gëzohen çmimeve.

Dritëro Agolli