Koha e artë e kinemave në qytetin e Vlorës

1735
Sigal

Intervista/ Historia e kinemasw nw qytetin bregdetar. Flet kinooperatori veteran Asllan Muçaj

Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë në këto 100 vitet e fundit, madje, në këto 50 vitet e fundit dhe akoma më shumë në këto 25 vitet e fundit, i dha një goditje të rëndë kinemasë në botë. Shpikja e televizorit, shpikja e internetit dhe shpikja e teknologjisë dixhitale kanë bërë që kinemaja të rrudhet shumë. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri, sidomos pas viteve ‘90 kur tregu u lirua nga futja e teknologjisë së zhvilluar. Kjo situatë u pasqyrua edhe në qytetin e Vlorës, ku nga 8 kinema që kanë qenë dikur, sot nuk ka asnjë. Kjo edhe sepse tregu është i mbushur me disqe dhe kaseta të gjithfarë filmave, por edhe sepse kanalet televizive dhe interneti, shfaqin në çdo 24 orë një lukuni filmash nga e gjithë bota. Megjithatë kinemaja në qytetin e Vlorës ka një histori, e cila duhet njohur nga brezi i ri, i cili nuk e ka idenë se sa i madh ka qenë interesimi për kinemanë përpara viteve ‘90 në këtë qytet. Personi, që u tregua i gatshëm për të na folur për historikun e kinemasë në qytetin e Vlorës është kinomekaniku Asllan Muçaj, vëllai i regjisorit të ndjerë Ibrahim Muçaj, i famshëm sidomos për filmin “Dimri i fundit”.

Asllani na tregoi se, qyteti i Vlorës ka pasur 8 kinema, që nga viti 1944 e këtej. Kinemaja e parë ka qenë tek Sheshi “Avni Rustemi” dhe quhet Kinema REX, në vendin ku gjendet sot shtatorja e tij dhe ne i thoshim “kinemaja e djegur” pasi u dogj në vitin ‘43-‘44. Kjo kinema ka qenë në pronësi të Beshirit, por e ndërtuar nga italianët. Djegia e saj u bë nga njësitet guerile të qytetit me qëllim që rinia të mos shkonte në kinema, por të dilte malit për liri. Këtë aspekt e mori vesh Hysni Kapo dhe i kritikoi, duke thënë se kinemaja nuk duhej të digjej pasi pas çlirimit ajo do të ishte e jona dhe në shërbim të popullit. Në atë kinema punonte babai im, Xhemal Muçaj, si operator, por operatori i parë i saj ka qenë Kojdhel Zilja një nga ndihmësit e Ismail Qemalit pas shpalljes së Pavarësisë. Kinemaja e dytë më e madhe pas asaj që u dogj ishte kinema “Ali Demi”. Kjo kinema legjendare u ndërtua qysh në kohën e Italisë  nga Shyqyri Çupishti, i cili pas kinemasë kishte një klinikë private spitalore në lagjen “Karabash”. Më pas, pas çlirimit të Shqipërisë  u ndërtua kinoteatri “7 nëntori” sipas një projekti sovjetik. Aty shfaqeshin filma tre herë në javë, të shtunë, të hënë dhe të martë. Dy kinema të tjera kanë qenë në afërsi të xhamisë së plumbit, njëra dimërore e tjetra verore, ku ka qenë shtypshkronja “Piro Palla”. Në katin e dytë të kësaj kinemaje shfaqeshin edhe pjesë teatrale nga aktorët e qytetit si Gaq Vishi, Myqerem Ferra, Leka Kruta etj. Kinemaja kishte aparatura italiane, ndërkohë që në qytet ka qenë edhe një kinema tjetër verore tek tregu i madh, tregon zoti Asllan Muçaj. Gjithashtu, thotë ai,  ne ndërtuam edhe një kinema tjetër atje ku kanë qenë kazermat e italianëve pas shkollës së mesme “Industriale” sot. Ne punuam atje së bashku me nxënësit e shkollës së rezervave. Një tjetër kinema në qytetin e Vlorës mbahet edhe ajo e Kinoklubit “Perlat Rexhepi” në Skelë, ku shfaqte filma kinooperatori Fahri Beqiri. Po ashtu në qytet u ndërtua edhe një kinema e re nga fundi i viteve ‘80, por që u privatizua dhe u prish gjatë kohës së lulëzimit të firmave piramidale, ku në vendin e saj u ndërtua qendra e biznesit e firmës piramidale “Gjallica”, por që pas shembjes së saj kjo godinë mbeti e papërfunduar dhe si një gërmadhë përgjatë Bulevardit “Ismail Qemali”, tregon zoti Asllan Muçaj. Ai thotë se, e ka filluar aktivitetin si kinooperator që në moshën 16 vjeçare. Kam mbaruar shkollën e rezervave të punës në lagjen “Çentrale”, ose “10 korriku” sot në vitet 1953-55 dhe u punësova në fabrikën e ekstrataninit për elektrobobinator. Shkoja dhe shfaqja filma në Nartë jashtë në terren të hapur, ndërkohë që atëherë nuk kishte energji elektrike. Ne përdornim gjenerator, ndërkohë që kinemaja e nartës ishte në ndërtim e sipër në vitet 1957-58. Kur shkonim të shfaqnim filma jashtë qytetit të Vlorës, ne kinooperatorët, na prisnin si të ishim shpëtimtarët e tyre. Kështu ishte koha atëherë, varfëri dhe ringritje e vështirë. Ne shkonim dy-tri herë në javë për të shfaqur filma në fshatra dhe repartet ushtarake. Zoti Asllan Muçaj na tregoi se si thirrjen për të shfaqur filma për anëtarët e Byrosë Politike tek vilat e Ujit të Ftohtë në Vlorë gjatë sezonit të verës.

Por, ne shkonim dhe shfaqnim filma edhe tek vilat e partisë në Ujin e Ftohtë dhe unë kam punuar edhe atje si kinooperator. Unë kam shfaqur filma përpara Enver Hoxhës, Beqir Ballukut, Ramiz Alisë dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike për 15 vjet më radhë, tregon zoti Muçaj. Dua të them se, Enver Hoxha shikonte edhe filma sekretë. Më kujtohet se kur u pushtua Çekosllavakia më lajmëruan të shkoja urgjent tek vila ku pushonte Enver Hoxha për të shfaqur një film të rëndësishëm. Ndërkohë, dua të theksoj faktin se ish-Kryeministri Mehmet Shehu s’para shikonte filma, ai më shumë lexonte. Ata që shikonin më shumë filma, kur vinin me pushime në vilat e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ishin Ramiz Alia, Beqir Balluku, Haki Toska, Abdyl Këllezi dhe fëmijët e Hysni Kapos dhe fëmijët e tjerë të tyre. Vilat kishin aparatin e tyre të shfaqjes së filmave, i cili ishte i markës ‘Xais’ gjerman. Filmat vinin nga Tirana, të zgjedhur, kurse unë shkoja vetëm për t’i shfaqur ata. Njëherë jam ndjerë në vështirësi kur erdhi për të pushuar në vilat e Ujit të Ftohtë në Vlorë princi kamboxhian Norodom Sihanuk. Ishte hera e parë që do shfaqja një film përpara një princi të huaj dhe kisha emocione dhe përgjegjësi. Unë shfaqa për Norodom Sihanukun dhe gruan e tij Monika filmin me ngjyra “Skënderbeu”, i cili u pëlqye shumë nga princi i Kamboxhias. Në përfundim ai më falënderoi dhe më dhuroi një pako, u shpreh zoti Asllan. Më kujtohet një herë që po xhiroja një film të huaj në tarracën e vilës mbi tunelin e ujit të ftohtë ku gratë dhe fëmijët e udhëheqjes po e ndiqnin me interes, por ai film kishte dy-tri skena me puthje. Pas përfundimit të filmit njëra nga gratë e tyre, që s’ia kujtoj emrin, mu afrua dhe më tha: “Po ti çfarë filmi na shfaqe, do na prishen fëmijët”. Unë i zënë ngushtë ia ktheva: “Këtë film nuk e kam sjellë unë, por ma kanë sjellë nga Tirana”. Atëherë ajo më kërkoi falje dhe u largua. Në atë kohë çdo gjë kontrollohej rreptësisht dhe filmat që kishin skena të nxehta ndaloheshin, ose skena të tilla priteshin, thotë kinooperatori i vjetër zoti Asllan Muçaj.

Më kujtohet në vitin 1958 kur në ishullin e Sazanit ishin sovjetikët dhe kishin mbetur pa film për shkak të marinarit që punonte edhe si kinooperator, i cili ishte liruar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Në këto rrethana një oficer i flotës shkon dhe takon babanë tim Xhemal Muçaj dhe e pyet nëse ka ndonjë kinooperator që është në moshën e shërbimit ushtarak. Babai i tregoi për mua. Kam djalin tim, i tha babai, dhe ata më rekrutuan jashtë radhe, ende pa u shpallur mobilizimi i radhës. Kështu unë shkova në ishullin e Sazanit dy vjet rresht, ku më dhanë në ngarkim bibliotekën e ishullit, një radio të madhe italiane si dhe sallën e mbledhjeve dhe shfaqjeve, ku organizoheshin edhe mbrëmjet e famshme të vallëzimit, që kulmonin ditëve të shtuna me oficerët dhe gratë sovjetike. Unë i bija edhe firzamonikës dhe ç’pyet për atë punë, tavernë e kishim ne atje. Atje në ishull kisha edhe ping pongun, shahun, bilardon, tregon Asllan Muçaj.

Pas lirimit nga ushtria në ishull, u ktheva përsëri në fabrikën e ekstrataninit, por duke qenë mjeshtër në rregullimin e aparateve të filmit, më kërkoi i paharruari Ferhat Çakërri që ishte drejtor i kinemave të qytetit. Duke qenë se babai im kishte punuar aty, por edhe vëllai im Ibrahim Muço ishte regjisor në Konostudion “Shqipëria e Re”, edhe mua më bëhej mirë si specialist që të angazhohesha përfundimisht me filmin dhe kinemanë si kinoteknik. Unë riparoja të gjitha aparatet e kinemasë, që nga Novosela në Qeparo e deri në Kuç, por hera herës edhe të reparteve ushtarake. Një nga kinooperatorët e vjetër të Vlorës ka qenë edhe Qani Sulejmani, ku breza të tërë vlonjatesh e njohin tek Kinema “Ali Demi” kur thërrisnin në kor, “kuadro Qani” ngaqë dilte ndonjëherë gjatë xhirimit filmi nga ekrani. Më kujtohet një episod, për të cilin sot më vjen për të qeshur. Dihet se në atë kohë përpara se të shfaqej filmi artistik, shfaqej në fillim një dokumentar mbi zhvillimin e vendit. Në Himarë përpara shfaqjes së një filmi artistik po shfaqej një dokumentar, ku në qendër të tij ishte Beqir Balluku dhe stërvitjet ushtarake të ushtrisë. Kinooperatori nga pakujdesia e kishte vendosur dokumentarin me kokë poshtë dhe kështu Beqir Balluku doli në ekran me kokë poshtë. U bë problem i madh dhe ne na thirrën 4 veta në Komitetin e Partisë në Vlorë së bashku me drejtorin tonë Ferhat Çakërri, ku pasi na morën në pyetje një e nga një, na dhanë një vërejtje në përfundim. Më kujtohet kur në kinematë e Vlorës po shfaqej filmi “Dimri i fundit” i vëllait tim Ibrahim Muço. Tek Kinema “Ali Demi” pas përfundimit të filmit del në skenë drejtori kinemave, i miri dhe i paharruari Ferhat Çakërri, dhe u drejtohet spektatorëve: “Ky film është bërë nga dy vlonjatë, regjisori Ibrahim Muço dhe Kristaq Mitro. Babai i Ibrahim Muços, Xhemal Muçaj, ka punuar gjithë jetën në kinema, por edhe vëllai i Ibrahim Muços punon këtu tek ne dhe ishte ai që e shfaqi sot filmin “Dimri i fundit” për ju. E gjithë kinemaja u ngrit në këmbë dhe duartrokiti. Dua të them se, në filmat e bukur biletat shiteshin edhe me autorizim. Theksoi se në të gjithë filmat shqiptarë mbushej salla plot. Filmat që pëlqeheshin shumë ishin filmat sovjetikë, pasi ishin shumë edukativë dhe familjar, ose filmat indian që shqyheshin dyert, tregon veterani i kinemasë Asllan Muçaj.

Më vjen keq që sot nuk ka më kinema në qytet. Ndoshta sot televizioni ka bërë punën e tij, por unë mendoj se, kinemaja duhet të funksionojë nëpër shkollat e qytetit. Në palestrat e shkollave duhet të shfaqen filma dhe dokumentarë në mënyrë të organizuar. Është shumë e domosdoshme që Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve të investojnë në shfaqjen e organizuar të filmave edukativë nëpër shkolla. Unë mendojë se në këtë mënyrë kinemaja mund të mbijetojë, sepse vlera e shikimit të filmit në mënyrë të organizuar ka më shumë përparësi se sa një film që e ndjek në shtëpi i vetëm apo me 3-4 pjesëtarët e familjes, dhe ndonjëherë edhe jashtë çdo kontrolli moral dhe shoqëror. Mungesa e shikimit të filmave edukativë dhe në mënyrë të organizuar ka bërë që, sot të kemi mungesë të madhe edukate dhe sjelljeje nga ana e të rinjve, shprehet kinooperatori veteran Asllan Muçaj. Në përfundim ai na përmendi me respekt emrat e kinooperatorëve veteranë të kinemave të qytetit të Vlorës, duke filluar me baban e tij Xhemal Muçaj dhe duke vazhduar me Qani Sulemjanin, Sotiraq Koçin, Asllan Muçaj, Fari Beqiri etj. Duket se koha dhe teknologjia e nxorën në pension kinemanë, por ka ende nostalgjikë që mendojnë se kinemaja nuk duhet të vdesë.

box

Episodi me Beqir Ballukun

Më kujtohet një episod, për të cilin sot më vjen për të qeshur. Dihet se në atë kohë përpara se të shfaqej filmi artistik, shfaqej në fillim një dokumentar mbi zhvillimin e vendit. Në Himarë përpara shfaqjes së një filmi artistik po shfaqej një dokumentar, ku në qendër të tij ishte Beqir Balluku dhe stërvitjet ushtarake të ushtrisë. Kinooperatori nga pakujdesia e kishte vendosur dokumentarin me kokë poshtë dhe kështu Beqir Balluku doli në ekran me kokë poshtë. U bë problem i madh dhe ne na thirrën 4 veta në Komitetin e Partisë në Vlorë së bashku me drejtorin tonë Ferhat Çakërri, ku pasi na morën në pyetje një e nga një, na dhanë një vërejtje në përfundim.