Bujar Nishani: Marrja e statusit nuk duhet të na përgjumë, të çelim negociatat për anëtarësim

485
Sigal

 “Të çelim sa më parë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Ky ishte mesazhi që Presidenti Bujar Nishani përcolli gjatë pritjes dje pasdite që kreu për ambasadorët e Republikës së Shqipërisë. Sipas kreut të shtetit, marrja e statusit si vend kandidat për anëtarësim në BE nuk duhet të përjetohet si vetëkënaqësi as përgjumje. “Realizimi i këtij objektivi madhor nuk duhet të na çojë në përgjumje e vetëkënaqësi. Duhet të luftojmë më shumë për plotësimin e prioriteteve, e duhet të çelim me shpejtësi negociatat për anëtarësim. Sepse BE, ashtu siç e vërtetoi javën e kaluar do e mbajë premtimin për të hapur dyert e Shqipërisë, ndaj ne presim nga ju si çdo ditë, çdo orë të punë t’ia dedikoni këtij objektivi ne mënyrën më përparësore”. Sipas Nishanit, për diplomatët sot dyfishohet në radhë të parë sepse Shqipëria sot është vend kandidat për anëtarësim në BE si dhe vend anëtar i NATO-s. “Të nderuar diplomatë ju tashmë jeni ambasadorë të një vendi kandidat anëtar të NATO-s, ky është status i ri për vendin, por dhe për çdo ambasador në vend kjo përkthehet në përgjegjësi shumë herë më të mëdha për të qenë në lartësinë e detyrave që burojnë nga ky status”. Por, Presidenti theksoi se, që një vend të pretendojë diplomaci aktive, duhet ta mbështesë dhe jo ta dekurajojë. “Zhvillimi i një diplomacie të suksesshme, aktive dhe efeciente kërkon sigurisht mbështetje solide financiare dhe njerëzore. Nuk mund të pretendosh një diplomaci cilësore, aktive dhe profesioniste pa e mbështetur atë, e aq më keq duke e dekurajuar atë”.