Ishin në garë 19 krijime të dramaturgjisë mbarëkombëtare

629
Sigal

INTERVISTA/ Flet drejtori i Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami: “Ky festival është i pari në llojin e vet dhe një nxitje për dramaturgët dhe regjisorët”

Për herë të parë në historinë e teatrit shqiptar, këtë vit me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë po zhvillohet Festivali i parë Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe. Në këtë festival janë 19 krijime të dramaturgjisë mbarëkombëtare. Sipas Skramit, ky lloj formati i këtij festivali  do të vazhdojë dhe të jetë mbi dy vjet me idenë dhe qëllimin që të vendosë një moto lëvizëse më shumë mes dramaturgëve  dhe teatrove.

Çfarë risie solli ky festival?

Ky festival, i pari në këtë format do të thotë që për herë të parë mblidhen të gjithë trupat profesioniste shqipfolëse nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe  dhe për herë të parë performohet një festival  i  tillë vetëm në dramaturgjinë mbarëkombëtare vetëm me autorë shqiptarë. Natyrisht që, unë kam idenë dhe mendimin  që ky lloj formati i këtij lloj festivali  të vazhdojë dhe të jetë mbi dy vjet me idenë dhe qëllimin që të vendosë një moto lëvizëse  më shumë mes dramaturgëve dhe teatrove. Mbas një viti apo dy vjetësh të kemi një festival për dramaturgjinë kombëtare, ku të jenë më të angazhuara trupat. Kjo është një shtysë shumë e mirë për dramaturgjinë mbarëkombëtare brenda këtij lloj formati.

Ku është pengesa që s’mund të realizohet i përvitshëm?

E para, nuk mendoj që mund të jetë i frytshëm dhe cilësor n.q.s realizohet çdo vit. Mund të kemi prurje nga dramaturgjia, por unë jam dakord vetëm me atë që për premierat që mund të vihen në Teatrin Kombëtar me dramaturgjinë kombëtare duhet të jenë shumë cilësore, konkurruese dhe me veprat e huaja. Kjo arrihet vetëm n.q.s vihet vetëm pjesë nga dramaturgjia kombëtare që kanë nivel artistik se vetëm kështu ne do t’i afrohemi  dramaturgjisë cilësore. N.q.s ne vëmë vepra të nivelit nën mesatar ne  i bëjmë një shërbim të keq dramaturgjisë tonë.

-Sa drama janë këtë vit nga të gjithë autorët shqiptarë?

Janë 19 drama. Janë 19 krijime të dramaturgjisë mbarëkombëtare. Është tjetër gjë, kur i ndajmë në komedi dhe në dramë. Risia është që janë 19 prurje nga dramaturgjia mbarëkombëtare, si asnjëherë tjetër në shumë organizime të ndryshme që kanë bërë grupet teatrore.

-Pse shpeshherë tentohen të vihen vepra të huaja në teatër ?

Këto përgjithësisht janë zgjedhjet e regjisorëve. Ata e  shikojnë se në dramaturgjinë e huaj janë më të sigurt dhe shikojnë  që në problematikat  e  këtyre veprave  që ata  zgjedhin,  ne  iu kemi vënë edhe  si një lloj kriteri në  bordin e teatrit që veprat që do të vijnë nga dramaturgjia e huaj duhet që t’i flasë spektatorit shqiptar, duhet që të thotë diçka me tingëllim problematikën shqiptare, me shijet e spektatorit shqiptar.  Dhe mendoj që këto vepra që janë nga dramaturgjia e huaj  në teatrin kombëtar duke dëshmuar me sallën plot në shumë  shfaqje  mendoj se i kanë folur spektatorit në teatrin  shqiptar me atë gjuhë që ai kërkon. Spektatori është shumë delikat, ai nuk të fal n.q.s nuk i përshtatet shijes së tij. Pra, kjo është arsyeja që regjisorët zgjedhin drama të huaja.

Në këndvështrimin  tuaj kush është problemi më i madh i dramës shqipe sot?

Cilësia, sepse n.q.s do t’i referohemi konkursit  të fundit që ne zhvilluam për dramat që është anonçuar gati 1 vit  përpara, në garë erdhën rreth 16 vepra nga dramaturgë shqiptarë. Unë nuk dua të paragjykoj njeri dhe as nuk dua që të fyej njeri, por nga këto 16 vepra mund të jenë maksimumi 5-6 vepra të mira. Edhe kështu vijmë gjithmonë tek ajo ideja që kam unë që në skenën e teatrit kombëtar  duhen  vënë  vepra nga dramaturgjia kombëtare që janë shumë cilësore që të përballen denjësisht me veprat e huaja.

-Kush është mesazhi i këtij festivali?

 Ky ishte një manifestim kulturor  mbarëkombëtar në kuadër të 100-vjetorit. Ishte një nga festat kulturore artistike më të mëdha në kuptimin  jo vetëm të  pjesëmarrjes, por edhe të shtrirjes në kohë duke pasur parasysh që janë gati 12 ditë të festivalit dhe mendoj  që dramaturgët që edhe me këtë  ide që kam unë që të zhvillohet të paktën një në dy vjet, mendoj se do të ketë një nxitje edhe për dramaturgët e tjerë shqiptarë. Kjo është një garë nxitjeje si për dramaturgët ashtu edhe për regjisorët.