Isa Alibali/ Opera Mrika” pas njëzet e pesë vjetësh

780
Në dhjetor të vitit 1983 u mbushën 25 vjet nga shfaqja e parë e operës “Mrika”. Kjo ishte një ngjarje që duhej festuar. Në atë kohë isha drejtor i shkollës së mesme artistike që mbante denjësisht emrin e Prenkë Jakovës. Këtë emër shkolla e mori në të njëjtën kohë me dhënien e titullit të lartë “Artist i Popullit” kompozitorit tonë të shquar në vitin 1979. Edhe Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore në periudha të ndryshme kishte përkujtuar përvjetorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Por këtë herë ishte edhe një institucion tjetër artistik që mund të përtërinte atmosferën e vitit 1958, me një kuptim dhe përmbajtje tjetër. Ishte shkolla e mesme artistike “Prenkë Jakova”. Në shtator të atij viti, më vijnë në zyrë një grup mësuesish dhe drejtuesish të shkollës, ndër të cilët zv/drejtoresha Marita Vuksani, drejtuesi i sektorit të kantos Ferit Bala, dirigjenti i sapoardhur nga studimet Aleksandër Qyteza e të tjerë dhe më kërkojnë takim për një mendim që u kishte lindur ato ditë.
– Kemi menduar, – filloi bisedën Marita Vuksani, – që me rastin e 25-vjetorit të operës “Mrika” të vëmë në skenë, me nxënësit tanë, aktin e parë të saj. Kërkojmë mendimin dhe miratimin tuaj.
Ndjeva një drithërimë të lehtë në trup nga emocionet që më krijoi kjo kërkesë e guximshme. 
Për një moment të gjithë heshtëm. I vështrova me dashamirësi.
– Mundësitë i kemi të plota, – e theu heshtjen Ferit Bala, – si nga ana vokale, ashtu edhe nga ana e shoqërimit orkestral. Kemi dirigjentin e ri, Aleksandrin, tek i cili kemi shumë besim.
Për të kisha dëgjuar fjalë shumë të mira që kur ishte student në konservator. Menjëherë ishte emëruar në shkollën e mesme artistike dhe, kuptohej, kishte etje për të bërë diçka të bukur dhe për t’u afirmuar. Vështrimet tona u kryqëzuan dhe që në momentin e parë u kuptuam.
– Mund ta realizojmë me sukses, – tha ai.
Të entuziazmonte besimi në mundësitë dhe aftësitë e nxënësve dhe të mësuesve të shkollës për të përgatitur dhe shfaqur aktin e parë të operës “Mrika”, aktin më të gjatë dhe më të vështirë të të tre akteve të saj.
Ndërkohë që të tjerët flisnin dhe kërkonin të argumentonin pse duhej vënë në skenë kjo operë, si në film më dolën përpara syve të gjitha momentet qw lidhen me kwtw shfaqje, kur e kisha parw premierwn e saj nw dhjetor 1958, mw dolw pwrpara njohja e afwrt me këtë kompozitor të madh, puna qw kisha bwrw pranw tij dhe të gjitha ato që dija e kisha dëgjuar për të.Ndjeva ngazëllim si rrallë ndonjëherë. Po kalonin njëzetepesë vjet nga ajo ditë historike kur ishte shfaqur opera e parë shqiptare “Mrika” dhe kjo ngjarje duhej përkujtuar. I takonte kësaj shkolle që të bëhej organizatorja kryesore e këtij evenimenti me rëndësi historike, sepse kjo shkollë ishte krenare se kishte emrin e atij, që ishte edhe një nga themeluesit e kësaj fidanishteje tepër të frutshme. Dhe a kishte gjë më të bukur se të përtëriheshin edhe një herë emocionet e premierës së parë të “Mrikës” duke e vënë në skenë edhe një herë me filizat e kësaj shkolle. Mendoj se po të ishte gjallë, vetë Prenkë Jakova do ta kishte pranuar me ngazëllim këtë ide të këtyre njerëzve mirënjohës dhe kaq dashamirës. 
Nuk e di sa kohë më zgjati kjo gjendje meditimi dhe nuk mund të them se ç’mendonin të tjerët duke më parë si të përhumbur. Pasi e pashë se “erdha në vete”, thashë: – Më emocionuat me këtë mendim dhe besim që keni. Ideja juaj është tepër entuziaste. Ju lumtë! 
Sigal