Inva Mula, mrekullia e papërsëritshme e festivalit MIK në Korçë

367

5 netët e MIK-Festivalit dhe mikpritja e publikut korçar

E madhja Inva Mula, mrekullia e papërsëritshme e MIK-festivalit

 

Çdo sekondë e MIK Festivalit kishte vendin dhe bukurinë e vet; asgjë nuk ishte e tepërt dhe asgjë mangët. Netët kishin hijeshinë, të veçantën dhe surprizat që të linin pa frymë.

 

Nga Vepror Hasani

 

Edhe e shumëpritura, nata e katërt e MIK Festivalit (Muzika Internacionale Korçë), mbërriti. Në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, të qytetit të Korçës ishte ngjitur e madhja, sopranoja e mrekullueshme, me famë botërore, Inva Mula. Duartrokitjet ishin të shumta; shpërthim që dilte nga shpirti i spektatorëve. Emocioni drithëronte çdonjërin prej të pranishmëve. ovacionet dukeshin sikur nuk do të kishin të pushtuar për asnjë çast. E adhuruara e tyre ishte aty, vetëm për ta; do t’u dhuronte zërin e saj hyjnor, i cili do t’i shoqëronte edhe në ditët e mëpastajme, sepse gjithçka do të mbetej e paharrueshme; kështu kishte ndodhur edhe një vit më parë: Gjithçka e ndodhur në skenë, tingujt e orkestrës dhe mrekullia e zërit të sopranos Mula u përjetuan ditë me radhë. Në këtë edicion të dytë, artistja e madhe shoqërohej nga studentët e Akademisë së Arteve dhe sopranoja, Dëshira Ahmeti, e cila kishte ardhur enkas nga New York-u. Ishte hera e parë që vinte në Korçë, mikpritja, kultura, traditat, njerëzit e gjithçka tjetër e kishin lënë të mrekulluar. Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Genc Tukiçi. Ishte nata më e madhe e të gjitha netëve, një mbrëmje speciale, dhuratë për qytetarinë korçare. “Erdha nga New Yorku për të qenë pranë Invës”, – tha Dëshira Ahmeti. Në të vërtetë kjo ishte dëshira e çdo artisti pjesëmarrës. Gjithkush prej tyre e shihte si fat dhe mrekulli. Për të ndjekur nga afër nënën e vet, kishte ardhur nga Franca djali i Inva Mulës, Antoni Çako; kjo gjë e bëri festivalin edhe më hyjnor. Gjithashtu nga një video e siguruar prej mediave, sopranoja u pa duke kërcyer me vajzën e saj, Ninën, nën tingujt e muzikës. Në skenën e këtij Festivali u ngjitën 50 artistë, surprizat ishin të shumta.

Një Festival i shumëpritur

Gjithçka që do të ndodhte në MIK Festival u bë e njohur ditë më parë nga Drejtorja e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Korçës, Zamira Kita, njëkohësisht edhe aktore e talentuar. Gjithashtu u bënë të ditur emrat e artistëve që do të merrnin pjesë. Emri i Inva Mulës i jepte konferencës për shtyp rëndësi të veçantë. Gazetarët dëshironin të dinin çdo detaj. Zamira Kita luante rolin e një lajmësi të madh. Atë çast të gjitha të fshehtat i dinte vetëm ajo; çdo fjalë e saj ishte e rëndësishme.

“MIK Festival, – tha znj. Kita, – është një nga aktivitetet më të rëndësishme artistike që zhvillohen në Shqipëri. Është kënaqësi për ne që ky aktivitet i madh ndërkombëtar zhvillohet në Korçë. Ishte iniciativë e të madhes Inva Mula, dëshirë dhe ide e saj që ky festival të realizohej në qytetin tonë. Dashamirësia e artistëve korçarë, e bordit artistik, e Këshillit Bashkiak dhe e kryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo u shfaq e veçantë në të gjitha dimensionet e saj. Në këtë festival, muzika, arti, kultura do të shpalosen përgjatë 5 netëve, 24-28 korrik, të cilat do të jenë të mbushura me emocion dhe ngjarje të bukura. Artistët e talentuar do të sjellin jo vetëm muzikë klasike dhe qytetare, por dhe serenatë korçare.”

Ato që ishin thënë ditë më parë, tashmë ishin realitet. Inva Mula ishte në skenë. Salla ishte e mbushur plot. Shpirtrat e njerëzve provonin kënaqësi të veçantë. Ishte zëri i Inva Mulës ai që drithëronte çdo zemër. Përmes interpretimit të shkëlqyer, ajo mundi t’i dhuronte publikut korçar një natë elektrizuese tejet mbresëlënëse.

Minuta të mrekullueshme!

Minutat kalonin me shpejtësi. Kur gjithçka merrte fund, të gjithë pyesnin veten: “Si kaluan kaq shpejt dy orë!” Donin që artistja e madhe, Inva Mula dhe kolegët e saj të qëndronin edhe një çast më shumë; magjia e interpretimit të zgjaste edhe pak, edhe pak, por gjërat e bukura që lindin prej shpirtrave të artistëve gjithnjë janë çaste që ikin shpejt; fluturojnë si zogjtë. Për gjithçka ishte treguar kujdes i veçantë deri në imtësi. Çdo sekondë e MIK Festivalit kishte vendin dhe bukurinë e vet; asgjë nuk ishte e tepërt dhe asgjë mangët. Netët kishin hijeshinë, të veçantën dhe surprizat që të linin pa frymë.

Nata e parë: U çel nga familja Papadhimitri ose më saktë nga djemtë e Sofia Zengo Papadhimitrit, të cilët kishin ardhur nga Kanadaja. U interpretuan pjesë të zgjedhura të muzikës klasike. Koncertin ia dedikuan nënës së tyre, Sofia Zengos dhe tezes, Androniqit; dy motrave Zengo, të cilat ishin të parat femra që hodhën themelet e artit pamor. Spektakli ishte sa i mrekullueshëm aq dhe dinjitoz. MIK Festival ka aftësinë t’i bëjë bashkë artistët e mëdhenj, të cilët lartësojnë emrin e Shqipërisë kudo që ata ndodhen. Po kaq e lartësuar ndihet edhe Korça. Festivali do të jetë i pranishëm nga njëri brez te tjetri. Ndërkaq, instrumentistët Zengo, shprehën kënaqësinë për publikun e Korçës:

Publiku na priti shumë ngrohtë. Këtu konstatova një gjë: Publiku kupton shumë si luhet, është publik që i do shumë artistët dhe i duartroket me shumë ngrohtësi”.

Sopranoja e mirënjohur shqiptare Inva Mula, e cila është organizatore e këtij festivali vinte në Korçë për të dytën vit radhazi. E pranishme do të jetë edhe në vitet që vijnë.

Nata spanjolle dhe ajo vjeneze

 

Nata e dyta, u quajt “Nata spanjolle”. Koncerti instrumental u dha në teatrin “Andon Zako Çajupi”, kurse Flamengoja e famshme në sheshin e Pazarit të Vjetër të qytetit të Korçës. Nga gjithkush u quajt, spektakël fantastik. Interpretues të kësaj nate ishin mexosopranoja Etleva Shemai në violinçel dhe Florian Vlashi në violinë. Repertori i përzgjedhur u dha për herë të parë në qytetin e Korçës.

“Mendoj, tha Inva Mula, se sonte ishte një natë e paharruar, ia kushtuam Spanjës, muzikës së bukur spanjolle që nuk ka fund dhe na vjen kaq për shtat me temperamentin, me karakterin me gjithë feminitetin e kësaj muzike që u soll kaq bukur në këtë sallë që u ndez me publikun bashkë me këngëtaren tonë të shkëlqyer Etleva Shemai, me tingullin e mrekullueshëm të Florian Vlashit dhe Juliana Laskës me violonçelin e saj. Të gjithë ishin një buqetë e bukur e muzikës spanjolle, të shoqëruar nga Fjorda Veizaj. Është një natë e paharruar, edhe për një arsye tjetër, sepse është një repertor që luhet për herë të parë në Korçë për herë të parë në këtë sallë. Ne duam nëpërmjet festivalit tonë të përcillet edhe karakteri edukativ që publiku korçar, publiku artdashës t’i hyjë thellë edhe muzikës klasike spanjolle”.

Kurse violinisti Florjan Vlashi shprehu kënaqësinë e tij që ishte pjesë e këtij festivali dinjitoz dhe i ftuar nga mikja e tij, Inva Mula:

Me Invën unë kam lidhje të vjetra dhe një propozim nga ana ime është i pakundërshtueshëm, ashtu si edhe Inva do të vinte tek ne dhe ky lloj këmbimi, kjo muzike, miqësie, artistësh, njohjesh etj., etj., më duket gjëja më bukur që mund të ketë një festival”.

Nata e tretë, u quajt “Nata Vjeneze”, ishte vërtet një superspektakël. Valset vjeneze përcollën kënaqësi të shumta. Kjo natë filloi me koncertin recital në piano, luajtur nga Konstandin Tashko, që zgjati për më shumë se një orë. Studentë nga filarmonia e Universitetit të Arteve “Ibrahim Madhi” sollën repertorin më të mirë të muzikës austriake. Ndërsa Gert Vaso, Enada Hoxha dhe artistë të Ansamblit “Skënderbeu”, me valset vjeneze mahnitën publikun.

Nata e katër ose Nata e sopranos Inva Mula

Mbrëmja gala e natës së katërt, si e përshkruam edhe më sipër, ishte një nga netët me të bukura dhe të shumëpritura. Ishte nata, ku kulmoi mrekullia e quajtur Inva Mula, e shoqëruar nga 15 artistë. Kori ishte përgatitur nga Zana Turku, gjithashtu edhe orekestra ishte sjellë prej saj. Spektatori mbajti frymën për dy orë me radhë. Në përfundim të spektaklit Mula tha:

“MIK Festival, edicioni i dytë i tij, i dedikohet talentit të ri shqiptar për ta inkurajuar dhe mbështetur.” Ndërsa në vijim të fjalës së vet theksoi: “Mik Festival ndodh në Korçë se këtu është djepi i kulturës, këtu është gjithë historia, këtu janë gjithë artistët që kanë dalë, energjia e tyre na thërret që ne të vijmë në Korçë. Jam shumë e lumtur që Mik Festival bën përpara me energjinë e studentëve, këngëtare dhe instrumentistëve të rinj, të cilët do të jenë stafeta e vazhdimësisë së artit në Shqipëri”,- përfundoi Inva Mula.

Pas çdo interpretimi të Mulës, publiku përfshihej prej ngazëllimit të papërmbajtshëm, ndërsa Dëshira Ahmeti, në shenjë respekti për qytetarinë korçare, tha:

“Është hera e parë që vij në Korçë, por di shumë për këtë qytet me tradita, me kulturë, me njerëz kaq të dashur dhe me kaq pasion për artin”.

Nata e fundit u mbyll në pazarin e korçës me serenatat korçare. Për 5 net me radhë Korça u bë qendra e artit shqiptar.