Harresë ndaj themeluesit të Flotës së Peshkimit në Sarandë

604
Sigal

IN MEMORIA/ Koço Nikollo, njeriu që transportoi Hrushovin, Enverin dhe Kadri Hazbiun në Butrint nëpërmjet detit

Festa më e madhe e shqiptarëve, 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, po nxjerr ne skenën e historisë shumë ngjarje, personazhe, personalitete dhe figura që kanë dhënë kontributin e tyre në shumë fusha të jetës dhe aktivitetit shoqëror e politik të vendit, por për shumë arsye objektive e subjektive kanë mbetur në sirtaret e pluhurosura të historisë. Një nga këto figura, viktimë e harresës së pamëshirshme, është edhe Koço Nikollo, themeluesi i Flotës së Peshkimit në Sarandë. Koço Nikollo lindi në fshatin Piqeras të Komunës së Lukovës më 1883. Fëmijëria dhe rinia i kaluan pranë detit, në gjirin e bukur të Bunecit, ku ishte e vetmja pikë doganore me Italinë dhe Greqinë dhe i vetmi pontil, pas atij të Sarandës me 45 felluka (varka të vogla që përdoreshin për peshkim dhe tregti dhe përdoreshin me lopata-kupi). I ati e merrte me vete në hapjen e rrjetave, selektimin e peshkut dhe tregtimin në Korfuz. Piqerasi ishte i vetmi fshat që përdorte peshkimin e organizuar në të gjitha fshatrat e bregdetit që nga Dhërmiu në Sarandë. As Himara që qe kryeqendër nuk pati 45 mjete lundruese. Kjo traditë e fshatit të lindjes (sot e braktisur tërësisht që pas vitit 1975 kur u mbyll edhe varka e fundit peshkatare me nostrom Koço Memin) ushqeu tek Koço Nikollo ndjenjën e dashurisë për punën e peshkatarit. Shpejt merr rrugën e migrimit në qytetin e Sarandës, ku fillon punë si detar me anijen e Bektash Beut aty rreth vitit 1910, e më vonë me anije me vela duke udhëtuar drejt porteve kryesore të Evropës duke përvetësuar edhe profesionin sëbashku me traditën e vendeve, ku shkelte për organizimin dhe ushtrimin e zanatit të peshkimit. Në këtë gjendje e gjeti çlirimi i vendit, ku nuk vonon, por menjëherë futet në peshkim si kapiten i së vetmes anije peshkimi që kishte Saranda, duke shënuar kështu fillimin e themelimit të flotës së rregullt të peshkimit në qytetin e Sarandës që më vonë me ritmet e zhvillimit që mori, ndërmarrja e peshkimit ishte nga më të fuqishmet në vend dhe e para në realizimin dhe tejkalimin e planit të zënies së peshkut. Me ardhjen e Hrushovit në Shqipëri dhe vizitën e tij në Sarandë e Butrint, Koço Nikollo do të zgjidhej si kapiteni i motobarkës që transportoi Nikita Hrushovin, Enver Hoxhën dhe Kadri Hazbiun nga Ksamili në Butrint pasi mungonte rruga automobilistike nga Ksamili në Butrint. Për këtë, djali i tij, Sarand Nikollo tregon se i ati tregonte gjithmonë. Ishte udhëtimi më i frikshëm në jetë. Tre personalitete: Një Hrushov të qeshur që s’i bëhej vonë për ftohtësinë dhe zymtësinë e Enverit dhe një Kadri që lëvizte sytë me dinakëri pa vendosur, se ku t’i përqendronte. Koço Nikollo punoi si kapiten në anijet e peshkimit “Korça”dhe “Merluci” deri sa doli në pension, ku për punën e mirë e të lavdërueshme u vlerësua me mjaftë dekorata e medalje nga sistemi i kohës. Koço Nikollo, ky plak i urtë nga Piqerasi i bukur e piktoresk i bregdetit jugor shqiptar, i mbylli sytë në moshën 94 vjeçare duke u përcjellë nga sarandjotët me nderime dhe respekt. Por këtu mbyllet edhe kapitulli i tij për të përfunduar në harresën e pluhurosur të historisë. Asnjë interesim për të, asnjë fjalë. Shohim që shumë emra, me apo merita që shumicën qyteti nuk i njeh, po vendosen në rrugët dhe sheshet e qytetit, ndërsa për themeluesin e flotës së peshkimit, Koço Nikollo vijon persekutimi i dënimit me harresë. Pse? Çfarë bëri? Ndërkohë që Saranda ka një port detar dhe një tjetër është gati të përurohet dhe do të ishte mirë që emri i themeluesit të flotës moderne të peshkimit në Sarandë të vendosej në flotën apo një nga portet e peshkimit të qytetit apo diku tjetër, mjafton që emri i tij të dalë nga sirtarët e harresës dhe kontributi i tij të njihet nga të gjithë edhe si akt historik.