Gazeta Telegraf/ Prof. Lush Susaj: Modeli i shtetarit në 26 vjet, poshtërimi dhe pandeshkueshmëria e korrupsionit

687

Prof Dr.
Lush SUSA)

 

Orhan Pamuk (Nobel 2006) tek
libri me titull “Unë jam e kuqja”, ndër të tjera shkruan: “Nuk duroj dot më. Po pres me padurim sa të me gjejnë…… Dhe, më e rëndësishmja,
të gjejnë vrasësin tim. Edhe sikur të më groposni në varrin më madhështor që
mund të kenë zënë sytë e njeriut, duhet të dini, se do të pres me padurim duke
u sjellë e përsjellë brenda tij dhe do t’ju poshtëroj të gjithëve si të pafe, për
sa kohë nuk do të gjendet ai maskara. Gjejeni atë bir bushtre që më mori jetën
dhe ju premtoj se edhe unë do t’jua tregoj një për një të gjitha ç’kam parë….
Kam edhe një shpresë të fundit, vazhdoj të ëndërroj torturat që do të heqë
vrasësi im nga dora e ndonjë zemërgjeri pasi ta kenë zënë ”

 

Domosdoshmëria e zbulimit dhe
ndëshkimit të krimit, korrupsionit, nepotizmit, fiktivitetit, etj dhe shpresa për
drejtësi janë të rëndësishme dhe të përbotshme. Punë, pronë dhe zhvillim të qëndrueshëm
ka dhe do të ketë vetëm atje ku njerëzit e njohin forcën zhvilluese të ligjit,
të lirisë dhe detyrën qytetare për të reaguar ndaj arrogancës dhe pandëshkueshmërisë
së dhunës, hajnisë dhe korrupsionit. Në Shqipëri, ndryshe nga bota që na
rrethon dhe më gjerë, pandëshkueshmëria ndaj krimit, nepotizmit, krahinizmit,
imoralitetit dhe ligësisë duket sikur ka marrë përmasa të mëdha dekurajuese, poshtëruese,
shkulturuese e shkombëtarizuese. Injoranca, psikopatia, ligësia dhe egërsia, për
fatin e keq të administratës dhe institucioneve tona, duket sikur janë kthyer në
kritere konkuruese e përzgjedhëse. Të tilla vese diskredituese e degraduese, më
shumë se asnjëherë tjetër duket se po bëjnë karrierë e karshillëk përkundrejt meritës,
intelektit, njerëzillëkut dhe sjelljes demokratike. Shembuj të shumtë të këtyre
dekadave, tregojnë se sa më e lartë që ka qenë doza e mediokritetit,
kriminalitetit, dhunës dhe egërsisë së politikanëve tonë, aq më e shpejtë dhe e
lartë ka qenë edhe karriera e tyre shtetërore e politike si dhe shkalla e dëmit
të tyre në ekonomi, politikë, kulturë, demografi dhe imazh.

 

Modeli i politikanit

 

Modeli i politikanit dhe shtetarit
të këtyre dekadave është model që ka për bazë shkatërrimin e punësimit dhe mirëqenies
përmes korrupsionit, shpërdorimit dhe vjedhjes së fondeve publike, investimeve,
projekteve, donacioneve, pasurive natyrore, etj.

Politikani dhe pushtetari i këtyre
dekadave, si askund tjetër në botë, është shquar për nivel të lartë të injorancës,
anonimatit, fiktivitetit, hipokrizisë, uturimave dhe demagogjisë. Është shquar
për ato kopërturat dhe fasadat mashtruese ndaj publikut dhe institucioneve vendore
dhe ndërkombëtare të monitorimit dhe zhvillimit. Kudo dhe kurdoherë, despotët e
propagandojnë vetën e tyre si gjeni të dijes dhe veprimit, si model për të tjerët,
si shpëtimtarë, si progresistë e si të pazëvendësueshëm e të pagabueshëm.
Delirantët dhe despotët nuk e pranojnë dhe as që e njohin lirinë, demokracinë, debatin
dhe as zhvillimin demokratik. Shkenca e psikologjisë ka provuar se nga botëkuptimi
dhe sjellja psikopate e despotëve, gjithnjë ka buruar dhe buron pandëshkueshmëri,
shkatërrim, varfëri, dhunë dhe turma duartrokitëse dhe uluritëse.

 

Orhan Pamuk ka shkruar..

Për këtë specie mashtruesish,
duartrokitësish dhe uluritësish, Orhan Pamuk ka shkruar: “Nuk mund të fsheh faktin se ai ishte një kokëgdhë. Është e çuditshme
se si ky njeri kishte vetëm dy bërthama mend në kokë, por, për atë Zot, nuk i
mungonte forca. Në predikimet e çdo të premteje, i nginte njerëzit peshë dhe i
bënte të qanin asisoj, sa shumë syresh u binte të fikët dhe u tereshin lotët
nga ngashërimi. Kur të tjerët qanin me ngashërim, atij nuk i luante qerpiku dhe
vazhdonte t’u fliste më me vrull dhe me zë qortues të pranishmëve….Siç dukej,
kësaj turme ….u pëlqente t’u bërtisnin e të vazhdonin t’i bëheshin urë këtij
njeriu”.
Të tillë njerëz, më shumë se askund tjetër, formohen dhe rritën në
vende të varfra e me histori të gjatë tranzicioni, pushtimesh dhe sundimesh
diktatoriale. Të tillë njerëz, zhvillohen me shumicë atje ku ligësia dhe dhuna
e gjithanshme (ordinere, ekonomike, politike e shtetërore), prevalon mbi vlerat
e dashurisë, qytetarisë, respektit dhe sjelljes demokratike.

 

Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë

Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të
jetë në një kondicion të tillë historik e shoqëror të karakterizuar nga mosreagimi
qytetar, gojëkyçja dhe heshtja masive e vetëshkatërruese. Kjo nuk duhet të bëhët
pengesë që të tillë sundimtarë, shtetarë dhe politikanë dhunues, mashtrues e
uluritës të tipit “kokëgdhë”, në emër të një zhvillimi të qëndrueshëm të
shtetit demokratik, të përbuzen dhe braktisen sa më parë. Konfliktet dhe
vrasjet e shumta në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë, si dhe pandëshkueshmëria
e tyre, nuk mund të adresohen e as të justifikohen më duke përdorur ato
shprehjet bajate si: “për motive të dobëta”, “në drejtim të paditur”, “mungesë
provash materiale”, etj. Shkatërrimi i punësimit, pagave dhe mirëqenies përmes
vjedhjes dhe shpërdorimit të vazhdueshëm të investimeve, donacioneve dhe
aseteve të pasurisë kombëtare nuk mund të mbulohet as të zëvendësohet me
kultivimin masiv të drogës nga ku ka buruar e do të burojë vetëm mjerimi, varfëria,
krimi ordiner, korrupsioni dhe diskreditimi shtetëror.

Nga dhuna ndaj biznesit, bisnesmenëve,
elitës, studentëve, pronarëve, mjedisit, universiteteve, drejtësisë, etj, nuk
mund të burojë asgjë më shumë se varfëria, konfliktualiteti dhe shkombëtarizimi.
Varfëria, dhuna, hajdutëria dhe fiktiviteti së bashku me pandëshkueshmërin e
autorve të tyre, nuk mund të mbulohet me demagogji për gjoja ligje, as me marrëveshjet
e ‘lugës bosh” dhe as me të tjera zhvillime virtuale në gjoja në dobi të
ekonomisë, infrastrukturës dhe jetës shoqërore të vendit. E gjithë ngrehina e
demagogjisë, sido që të kamuflohet, është e rrëzuar përpara situatës së rënduar
të drejtave të njeriut e ngarkuar me dhunime dhe vrasje mafioze, me zvarritje të
gjegjeve dhe me tjetërsim të pronave, me mungesë arsimimi dhe shërbimesh shëndetësore,
me sorollatje dhe korrupsion në zyrat e administratës, etj. Atje ku dhunohen të
drejtat njerëzore dhe qytetare, atje ku nuk ka reagim dhe ndëshkim ndaj këtyre dhunuesve,
pavarësishtë nga tymnaja demagogjike, nuk ka dhe nuk mund të ketë mirëqenie, as
zhvillim dhe as paqe shoqërore e politike. Demagogjia nuk sjell asgjë të mirë,
ajo nuk ka asgjë të përbashkët me debatin dhe as me të vërtetën. Përkundrazi,
demagogjia sjell zhgënjim, regres e varfëri të thellë, sepse ajo godet dhe mënjanon
elitën dhe vlerat akademike e shkencore, demagogjia ka sherbyer dhe do të shërbejë
për të mpirë dhe për të shpëlarë trurin. Në lidhje me këtë fakt, Jean Paul, ka
shkruar: “Diktatori në fillim sulmon
trurin dhe pastaj trupin. Fillimisht ai provon që njerëzve tu shpëlaj trurin”.

Të drejtat e njeriut kanë një specifikë të madhe që lidhet me faktin se ato nuk
mund t’ia marrësh tjetrit. Ato mund të shkelen dhe të dhunohen, mënyra e
reagimit shtetëror dhe politik ndaj dhunuesve e bën dallimin më të mirë e të
shpejtë ndërmjet demokracisë dhe diktaturës. Pandëshkueshmëria është
karakteristikë e sistemeve despotike e diktatoriale. Kjo ndodh sepse në
diktaturë, despotët dhe diktatorët shpërdorojnë dhe injorojnë ligjet, të drejtën
njerëzore, moralin e deri dhe normat elementare të drejtësisë dhe etikës. Në
kushte të tilla, drejtësia goditët e para sepse fajësinë dhe pafajësinë e
shpallin despotët, sundimtarët dhe jo gjykatat. Në të tilla kushte, e drejta e
pronës, zbatimi i ligjit dhe barazia përpara tij mbetet slogan dhe demagogji për
njerëzit e varfër e të pambrojtur.

 

Pandëshkueshmëria është poshtërim

 

Pandëshkueshmëria është poshtërim,
dëshpërim dhe pasiguri, pa asnjë dyshim që është humnera që përpin, që shkatërron
dhe që denatyron çdo gjë, përfshirë edhe shpresën që thuhet që vdes e fundit.
Pandëshkueshmëria i ka shërbyer aq shumë edhe zhvlerësimit të skajshëm të punës,
të prodhimit, të resurseve prodhuese dhe të dëshirës për të ikur në ekzil.Në
lidhje me këtë, Orhan Pamuk, shkruan se: “Sikur
e ndjera nëna ime, të shihte se si shiteshin dymbëdhjetë vezë për tri akçe, do
të na thoshte me panik: Ejani të zhdukemi që këtu para se të na dhjesin pulat
mbi kokë”.
Me të tilla fenomene denigruese e shkurajuese, përballën çdo ditë
fermerët dhe prodhuesit shqiptarë që janë të detyruar të japin domatën për 5
lek/kg, patatën për 15 lek/kg, rrushin për 35 lek/kg, qumështin më lirë se ujin,
gjysmën e tokës e pronës së tyre për gjygjtarin që punon me “ligjet e Maliqit”,
etj. Nga pandëshkueshmëria buron poshtërimi, kaosi dhe pasiguria, buron dhunimi
i të drejtave themelore të njërit e deri dhe shkombëtarizimi dhe fiktivizimi i politikës
dhe institucioneve që në këto 104 vite, kurrë nuk u bën as demokratike, as
europiane, as kombëtare, as elitare, as ligjore dhe as gjithpërfshirësë.

 

 

Sigal