“Hana e janarit”- një kërkim zanafillor i teatrit antik

571

Këto ditë u luajt në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës drama “Hana e janarit” e autorit Lisandër Kola me regji të artistit Fatbardh Smaja. Poetika e tekstit dhe magjia e teatrit transmetuan për spektatorin mesazhe dhe emocione të veçanta.

Sigal

Teksti i dramës me një profil të spikatur poetik është një prurje e veçantë dhe një përpjekje disi e rrallë, sidomos në kohët tona ku dominon prozaizmi dhe eksperimentet nga më absurdet, si dhe kuturisjet ekstravagante që shpesh kanë populluar skenat e teatrove tona.
Autori Kola ka proceduar me një subjekt të thjeshtë, vendosur në një sfond me elemente dhe emra biblikë, por nëpërmjet trajtimeve autoriale janë çmistifikuar dhe depersonalizuar për të kumtuar dramën e ndërgjegjes, dramën e individit dhe shoqërisë; zbrazëtinë shpirtërore që kthehet në një tragjedi moderne, në një pasqyrim të trazirave të njeriut arketipal, të atij që nuk është zhveshur akoma nga çdo gjurmë humaniteti.
Luka dhe Mateu këtu janë vetëm fiksione. Gjurmët biblike të tyre janë vetëm emrat. Një transmodelim i vënë në shërbim të mesazheve universale. Edhe skenat tipike të botës biblike, tashmë të shekullarizuara janë fiksione. Çdo gjë fillon me paraqitjen e një lufte vrasëse të energjive shpirtërore të Lukës në një atmosferë rrëqethëse, ku ky personazh i vetizoluar nga koha dhe njerëzit shkarkon jermin e një njeriu,shpirti i të cilit është zbrazur nga çdo dilemë apo dëshirë për jetë dhe, duke u mbushur me vrerin e ndërgjegjes së vrarë,është prishur e rrënuar, është përçartur dhe çekuilibruar tragjikisht. Lëvizje, fjalë, gjeste, që variojnë nga çmenduria në një hipokondri të thellë brenda një hapësire vetburgimi mbushur me libra e fletë të shkapërdarë, me shishe alkooli e molla gjysmë të kalbura e gjysmë të kafshuara. Brenda kësaj kalbnaje ia beh miku i tij Mateu. Në pamje të parë biseda e tyre duket si ajo e Vladimirit me Estragonin. Por jo. Ky do të ishte perceptimi më i gabuar. Sepse jemi përballë një tjetër realiteti, të tjerë njerëzish, të tjerave shkaqe dhe tjetër filozofie. Luka dhe Mateu janë dy antipode. Te i pari dallohen gjurmët e njeriut të përkorë, të kulturuar e me shpirt artisti. Për rrjedhim drama e tij është më e madhe. Mateu është hedonisti i shkujdesur, në shpirtin pragmatist të të cilit është e vështirë që e kaluara të lërë vraga. Biseda mes tyre nuk ka kurrfarë kohezioni apo logjike lineare. Por në këto biseda që janë copa realitetesh,autori ka shkarkuar me mjeshtëri poetikën e veprës. Kjo poetikë vjen kryesisht nga përjetimet e Lukës. Fjalët e tij kanë logjikën e brendshme të atij që ka pasur një mendje të zgjuar. Dhe drama zhvillohet në “pluhnajën” e një antifraze të mbushur me grimca urtësie, deri në çastin kur jermi shkundet nga zbulimi tronditës i ngjarjes që e ka shkaktuar atë. Hija e Pezhishkës,që rri pezull gjatë gjithë dramës,hyn në lojë, materializohet si imazh personazhi, duke shkaktuar me tragjedinë e saj të dyfishtë vdekjen shpirtërore të dy personazheve,sado të ndryshëm që i kanë shpirtrat. Një finale, ku vdesin të gjithë. Dy të vrarë fizikisht dhe dy të vrarë nga ndërgjegjja. Si Oresti. Një clou gjenial. Si në tragjeditë greke me efekte tronditëse dhe situata lugubre, me jehona korale dhe gjurmë të triadave jambike, por mjaft natyrshëm. Një lojë aktoriale plot ndjenjë dhe shumë e arrirë. Autori i dramës luan vetë Lukën dhe partneri i tij, Emiliano Palalaj është në harmoninë dhe nivelin e duhur. Muri i ajrit është zhdukur dhe spektatori bëhet pjesëmarrës. Gjuha e veprës është spërkatur me një gegnishte elegante plot frazeologji e neologjizme, që transmeton maksimalisht ngarkesat emocionale dhe mençurinë e frazës.

Lizandri Kola