Rezarta Reçi: Kërkimi dhe etja për ndryshim është pjesë e imja dhe e punës time

940
Sigal

Rezarta Reçi, moderatorja e “Arratisja e peshkut të kuq” të News 24

Është më tepër një komunikim shpirtëror dhe psikologjik, jashtë pompozitetit dhe klisheve…këtë do të dalloja si një aspekt të veçantë..

Sot, mbush 10 vjeç emisioni i NEWS24 “Arratisja e peshkut të kuq” e moderatores Rezarta Reçi. Një emision krejt ndryshe, që ka sjellë risi, pasi aty personazhet janë njerëzit e thjeshtë, por që  thjeshtësia dhe puna u ka madhështuar personalitetin dhe spektatori udhëton së bashku me moderatoren dhe personazhin në një kohë, në një botë të përbashkët shpirtërore. Moderatorja e këtij emisioni, Rezarta Reçi, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, është për herë të parë, personazhi që rrëfehet dhe i afron lexuesit  botën dhe filozofinë e “Arratisjes së peshkut të kuq”, duke na lënë, veçse enigmë arratisjen se në kë horizont do të ndodhë arratisja e nesërme e peshkut të kuq.

– Zonja Reçi, sot  emisioni juaj  në News 24  “Arratisja e peshkut të kuq” është 10 vjeç. Cili është, së pari, këndvështrimi juaj, vlerësimi, kritika, por edhe reflektimi për të festuar ditëlindjet e së ardhmes?
– Realisht ndjehem e befasuar nga rritja ime përmes emisionit që sot ka 10 vjetorin e ti. Më ngjan e afërt ajo ditë e emetimit për herë të parë në ekranin e vogël, por simpatik të News24 që ndiqej kryesisht për shkak të aktualitetit dhe lajmit të fundit që e sjell i pari. Tashmë jemi rritur të gjithë së bashku, unë, Arratia e Peshkut të Kuq dhe ekrani i News24. Por ndjehem edhe modestisht krenare për këtë rrugëtim të paqtë, përzgjedhës dhe me shije, që më ka dhënë vlera mua, “Arratisë” dhe teleshikuesit që më ndjek. Nuk kam abuzuar për asnjë moment të punës sime me pushtetin që të jep mikrofoni, ekrani, vëmendja e publikut…përkundrazi jam vënë në shërbim të tyre, pasi misioni i çdo gazetari profesionist mendoj se është i tillë.

– Arratia e Peshkut të kuq? Si lindi si ide? Si u konceptua?
– Gjithçka ka lindur nga dëshira për të komunikuar, për të komunikuar në mënyrë të kulturuar dhe me etikë me atë target njerëzish që kanë dëshirë t’u përçosh vlerat vërteta të njerëzve që jetojnë në një shoqëri në transformim, siç është shoqëria shqiptare. Për fat, u gjet një dritare, vërtetë e vogël fillimisht, por që mua ma lejoi të vazhdoj komunikimin e nisur hershëm, përmes valëve radiofonike në emisionet e dashura të asaj kohe, Bota ime dhe Paralele, që priten që në vitin 1992.

-Përse ky titull, duke qenë se është, pse jo, edhe pak intrigues?

– Sa për titullin…është gjetje e rastësishme, por që tashmë ka fituar qytetarinë e vet dhe duke e lënë sërish sekret shpjegimin, e bëjmë sërish intrigues…edhe sot, pas 10 vitesh…

– Çfarë e bën të veçantë këtë emision, nga gjithë zhanri i emisioneve televizivë shqiptarë?
–  Përmes minutave të ARRATISË unë synoj përmes fjalës dhe imazheve, bashkëbisedimit me personazhin, të depërtoj në mënyrë delikate në ato cepat më të thellë të shpirtit njerëzor dhe të shpalos për publikun shtysat e brendshme të një rrugëtimi kontribuues për shoqërinë shqiptare në fusha të ndryshme të artit, kulturës, shkencës, mjekësisë, sportit etj. Është më tepër një komunikim shpirtëror dhe psikologjik, jashtë pompozitetit dhe klisheve…këtë do të dalloja si një aspekt të veçantë..

– Cilët janë personazhet e emisionit?
– Njerëz që kanë kontribuar me vepër dhe me qenien e tyre sociale, duke e vënë rrugëtimin e tyre profesional në shërbim të një vendi si Shqipëria, që ka pasur dhe ka nevojë për dritë diturie, kulture, qytetërimi, iluminimi mendor dhe shpirtëror.

–  Cilat janë kriteret që ju zgjidhni personazhet?
– Kriteret pak a shumë janë të qarta. Vlera, vlera, vlera! Ndjek me vëmendje dhe në salla jetën kulturore të kryeqytetit, por jo vetëm. Lexoj shumë, vlerësoj së tepërmi të gjithë ato figura personalitete të kulturës, artit shqiptar dhe sportit, që ndonëse punuan në kushtet e një Shqipërie të varfër dhe në diktaturë, kontribuuan me pasion në fushën e teatrit, kinematografisë, muzikës etj, duke kultivuar një popull me kontributin e tyre. Kam një arkiv shumë të pasur me një pjesë të mirë të këtyre personaliteteve, dhe thjesht më vjen mirë që i kam pasur pjesë të jetës sime.

–  Po tematikat, cilat janë?
– Emisioni është i ndërtuar pa një tematikë. I kushtohet një personazhi të zgjedhur dhe duke ndjekur në 24 orë fragmente të jetës së tij, shpalosim në ekran fragmente domethënëse të jetës personale dhe profesionale të secilit prej tyre. Emisioni është i përjavshëm, realizohet nga një grup i vogël dhe dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, operatorin dhe montazhierin besnik të disa viteve, Armand Hallvaxhiun dhe Ervin Murati, si dhe gjithë ato operatorë që kanë ndarë me mua imazhin e fiksuar përmes kamerave të News24.

–  Si i shmangeni monotonisë, përsëritjes nga një emision në tjetrin?
– Shmangia e monotonisë fillon me përzgjedhjen e personazhit, që ndryshon nga njëra javë në tjetrën, ndryshimi i sheshxhirimeve, respektimi i natyrës individuale të çdo personazhi etj. Por kërkimi dhe etja për ndryshim është pjesë e imja dhe e punës time.

–  Ju adresojnë kritika për çdo emision?
– Realisht, analizat më të specifikuar i kam pasur nga Artistja e Popullit, Drita Pelinku, e cila, pas çdo emisioni të transmetuar, më merrte në telefon dhe më bënte një analizë të detajuar të çdo emisioni. Më mungojnë telefonatat e saj. Kritika? Kur fillojnë dhe më komplimentojnë njerëz të ndryshëm, replika ime është: Cila është vërejtja juaj? Çfarë mund të bëj më shumë, a më ndryshe? Por, ne e kemi thënë prej kohësh, që kritika tek ne mungon në çdo aspekt. Do të ketë kohë besoj edhe për kritika…

Cilën ngjarje, cilin personazh, ju keni përjetuar dhe që ju ka mbetur e paharruar?

– Janë shumë ngjarje, episode, personazhe që kanë lënë gjurmë në memorien time. Do të thosha këtu që më vjen mirë që me pjesën kryesore të tyren tashmë jemi miq, ndajmë gëzime festash të përbashkëta, por edhe momente hidhërimi , pra në njëfarë mënyrë, me “Arratinë”, jam bërë pjesë e jetës së tyre.

Cili është privilegji më i çmuar që ju ka dhënë puna juaj, përmes këtij emisioni?

– Ridimensionimi im si njeri përmes kontaktit tim profesional me personalitete të spikatura të fushave të ndryshme. Kam fituar një pasuri shpirtërore përmasat e së cilës ndjej në çdo moment.

–   Çfarë kërkoni më shumë te vetvetja juaj?

– Kërkesa ime ndaj vetes lidhet edhe me “Arratinë”…Dua” të arratisem” më shumë me mikrofonin e News24  në trevat përtej kufijve të Shqipërisë, ku punojnë dhe kontribuojnë shumë shqiptarë të talentuar dhe me vlerë, që vazhdojnë të lënë gjurmë pozitive atje, ku jetojnë dhe punojnë.

–  A mund të ndodhë që edhe për shkaqe subjektive, një emision të bëhet edhe për inerci?

– Mund të ketë ndodhur ndonjëherë, dikur, diku…tani është tepër e vështirë të bëhen për inerci. Dhe a e dini pse?

– Jo, ja ma thoni…

– Teleshikuesi  është shumë i ndjeshëm ndaj asaj çfarë ofrohet, dhe këtë bankoprovë unë tashmë e di mirë!

– Rrjedha e emisionit është e paracaktuar, kur bisedoni me personazhin, apo ngjarja dhe rrëfimi janë natyrshëm?

– Unë nuk xhiroj nëse personazhin e zgjedhur nuk e kam takuar më përpara, kam ndjekur aktivitetin e tij qoftë drejtpërdrejtë, apo përmes materialeve që tashmë ofron interneti, bëj bisedë paraprake…por gjatë xhirimeve krijoj një atmosferë relaksuese dhe shumë të qetë për bashkëbiseduesin, përballë në mënyrë që rrëfimi të rrjedhë…dhe ndodh!

Cili ka qenë për ju urimi, mirënjohja që keni marrë nga personazhi juaj, që ju ka bërë më shumë përshtypje?

– Momenti pas çdo transmetimi ka duartrokitjen e vet, vjen përmes një sms, a një telefonate, një kafeje, apo ndonjë buqete lulesh surprizë…do të veçoja komplimentin e një kineasti shumë vite më parë. “Në ekran takova veten time, thelbin tim…e kjo falë teje, Rrez!”

–  Shumë pak personazhe keni nga VIP dhe politikanë. Kjo përse?

– Është një fushë që deri më tani nuk më ka joshur shumë, pasi politikanët shfaqen shpesh e shpesh në ekran, për shkak të profesionit që kanë dhe misionit që kanë marrë përsipër…ku kanë kohë ata të arratisen me mua??? (qesh)

Ka shumë mendime, që çelësin e suksesit të një emisioni televiziv e kërkojnë ta japë më shumë emri dhe publiciteti i personazhit, sesa përmbajtja e emisionit. Kjo përse nuk ndodh te ju?

– Mendoj që emrin, “Arratia”, e ka vendosur si ato milingonat punëtore, këmbëngulëse dhe pa zhurmë, duke ruajtur cilësinë dhe integritetin e figurave të përzgjedhura, që në më të shumtën e rasteve kanë qenë dhe mbeten personalitete..

–  E ka arrirë moshën e pjekurisë emisioni juaj?

– Mendoj që po, po rritemi dhe piqemi së bashku…

–  Çfarë më tepër mund të kërkoni te vetvetja dhe te emisioni juaj?

– Qëndrueshmëri, të njëjtën dashuri për profesionalizmin, kurajën për të mos u dorëzuar para mediokritetit dhe meskinitetit…

– Faleminderit dhe edhe 100 festime paçi në emisionin e “Arratisjes së peshkut të kuq”!

Udhëtim dhe bashkëbisedim në shpirtin e njeriut

–  Çfarë kërkoni nga personazhi që të na përcillni neve, teleshikuesve?

– Një  “gërmim” në brendësi të qenies së vet, të asaj që ka ëndërruar dhe asaj që ka mbërritur, një shpalosje të anëve më domethënëse të personalitetit të tyre, të zbulojë njeriun , të thjeshtin, të mençurin, fisnikun, mirënjohësin, të lumturin, të trishtuarin,..

Pasqyra e së vërtetës
Emri: Rezarta
Mbiemri: Reçi
Vendlindja: Shkodër
Ditëlindja: 7 Mars…

– Çfarë pëlqeni dhe vlerësoni në natyrën tuaj?
– Pozitivitetin më të cilin e shoh botën

– Ka gjëra që nuk ju pëlqejnë në natyrën tuaj?
– Tolerancën e tepruar

– Besoni dhe ku?

-Besoj tek njeriu!

 Pasione të tjera tuajat…

– Të jetuarit aktiv shumëplanësh.

– Nga se keni frikë?
– Nga ligësia njerëzore, më duket e pakuptueshme dhe njëkohëshëm, e papërballueshme

– Çfarë është dashuria për ju?
– Çelësi magjik që shkyç botën..

– Raporti juaj me paranë
– Fantazoj gjithnjë për dhurata dhe surpriza befasuese për njerëzit e mi të dashur…dhe ato bëhen me para!

– Cila ka qenë dhe mbetet filozofia e jetës suaj?
– Mbill gëzim, korr dashuri!

– Koncepti juaj për jetën dhe vdekjen..
Jetën e përqafoj bukur në çdo segment të saj…dhe dua të vdes e re dhe mundësisht në rrugë, në lëvizje…

– Cilat janë tre arsye për të cilat mendoni se ia vlen të jetosh?
Dashuria, Dashuria, Dashuria!