Forma i mjafton mendimit

643
Sigal

Piktori Gëzim Llalla, në ekspozitën e çelur në Galerinë “FAB” ka ekspozuar dyzetegjashtë punime të ndara në dy cikle ose dy lloje teknikash. Në teknikën e mozaikut (gur, qeramikë, beton) dhe në teknikën e aplikacionit ku alternon materien e gurit dhe atë të drurit, pra dy objekte të ndryshme por që janë të pranishme kudo në natyrë. Frymëzimin për mozaikët e realizuar në këtë ekspozitë, të cilat janë të përmasave jo shumë të mëdha por të realizuara me shumë mjeshtëri nga autori, e ka marrë nga relievi i thyer i tokës. Prandaj në funksion të kësaj ideje ai ka krijuar një mozaik me forma të çuditshme me një reliev e hapësira të vogla, ku të bën të prekësh një pjesëz toke. Diku në një pjesë të mozaikut, apo në thellësi të tij, ai ka vendosur objekte të vërteta të cilat janë figura mitike, diku një sferë, në një tjetër një gur, objekte të cilat janë shumë në harmoni me mozaikun por njëkohësisht e bëjnë edhe më të çuditshme. Me këto do të tregoje ato pasuri që janë të fshehura nën tokë, por njëkohësisht edhe një homazh për artistët e periudhave të hershme të njerëzimit. Një ndër mozaikët e këtij cikli “Udhëtim në Tokën Shqiptare” ishte dhe mozaiku që i dhuroi Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, me rastin e vizitës së tij historike në Shqipëri. Me vlerë të madhe ishte vendosja në qendër të mozaikut një gur natyral, i cili kishte të instaluar brenda vetes një kryq, simbol i krishtërimit. Por e rëndësishme është se ky kryq ishte dhuratë nga toka shqiptare. Ndërsa në ciklin me tridhjeteshtatë punimet e realizuara në teknikën e aplikacionit dru dhe gur, autori thotë se ideja për këto punime i lindi natyrshëm, si rezultat i vëzhgimeve të herëpashershme gjatë shëtitjeve eksploruese nëpër lumenj, kodra e male ku i bënin përshtypje këta gurë të copëtuar, por brenda tyre zbuloi gjera të ndryshme si: silueta njerëzish, kafshësh, pamje betejash, ngjarje e pamje të pazakonta. Pamja e këtyre objekteve të frymëzojnë me prezencën e dizenjove dhe subjekteve të përsosura që natyra mban në gjirin e saj, të cilat, ashtu si edhe ne, janë krijesa të universit. Zgjidhja qe autori ka dhënë në qartësimin e formave të bukura të këtyre gurëve ishte telajoja prej druri, nga ku gjithashtu i është dashur shumë punë që ai të harmonizonte qartë këto dy objekte, për t’ia përcjellë shikuesit bukur estetikisht e me profesionalizëm. Diku, ndonjë gur mban edhe nënshkrimin e personit nga krahina apo vendi ku është marrë, gjë që do të theksojë se shpesh herë guri ka shërbyer si vend për lënie apo marrje mesazhesh të ndryshme, të fshehura nën gurë apo të shkruara mbi to. Sipas kritikut italian F. Bruno, Llalla arrin të skalisë kompozicionin kromatik në një paletë që pasqyron me besnikëri shpirtin prej artisti. Ai di të kapë aspekte kompozitive të planeve që mbivendosen duke ndërtuar një glomerat me volume e hapësira të vogla, me një teknikë jo fort të zakonshme “Mozaiku Piktoresk”. Sipas tij, gjendemi përballë një dialogu me një artist të vërtetë, me aftësi të veçanta prej piktori e me talent që e dallon nga rrymat e ndryshme në pikturë. Në mënyrë të veçantë ai dallon në hedhjen e ngjyrave, e cila krijon transparencë me penelata herë delikate, herë të forta që mbivendosen duke rritur forcën krijuese në ngjyrat e zgjedhura, deri në dhënien e një imazhi kompozitiv.Gjithashtu, gjatë inaugurimit të ekspozitës, piktorit Gëzim Llalla iu dorëzua titulli i akorduar nga Akademia Europiane e Arteve, “Artist pa kufij”. Çmimi u dorëzua nga përfaqësuesi i kësaj akademie për Shqipërinë, me motivacionin për suksesin e treguar në krijimtari gjatë vitit 2014.