Panairi i produkteve bio në Skrapar, event me impakt kombëtar, nis të shtunën

508
Sigal

 

Projektet dhe
resurset e pashfytëzuara, në vëmendje të bashkisë


Gazeta Telegraf/ 


Në këtë eveniment përveç fermerëve të shumtë nga e
gjithë zona e Skraparit, do të marrin pjesë edhe Kryetari i Parlamentit Ilir
Meta, ministra, përfaqësuesit më të lartë të TAP-it, si dhe personalitete
lokale

 

Panairi i
produkteve bio në Skrapar, si një eveniment shumë i rëndësishëm lokal, tashmë
është bërë pjesë e kalendarit të festave lokale. Në këtë eveniment përveç
fermerëve të shumtë nga e gjithë zona e Skraparit, do të marrin pjesë edhe
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministra, përfaqësuesit më të lartë të
TAP-it, si dhe personalitete lokale. Në panair do të marrin pjesë 100 prodhues
lokalë që do të ofrojnë produkte tipike të zonës si, djathë, mjaltë, arrë,
mollë, ftonj, raki, rehani etj. Bashkia ka menduar që në të ardhmen këtë
aktivitet të suksesshëm ta organizojë në të gjitha qendrat e ish komunave me
qëllim që, ky eveniment të shndërrohet në një pikë takimi për gjithë fermerët e
Skraparit.


Panairi, pjesë e kalendarit festiv lokal


Panairi i
produkteve bio, si pjesë e kalendarit festiv lokal, është një rast shumë i
rëndësishëm, ku prodhuesit skraparllinj mund të promovojnë produktet e tyre.
Prodhimet bujqësore dhe blegtorale të Skraparit, prej kohësh kanë krijuar
identitetin e tyre në tregun lokal, kombëtar e më gjerë, si produkte origjinale
bio, çka ka mundësuar që kërkesat ndaj këtyre produkteve të shtohen në mënyrë
të ndjeshme.

Skrapari nga një
zonë e largët periferike, me mungesë investimesh, me infrastrukturë tejet të
amortizuar dhe me një nivel të lartë papunësie, brenda një harku kohor shumë të
shkurtër është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku po zbatohen projekte me
rëndësi strategjike. Përmendim projektin TAP, disa projekte në fushën e
turizmit,si ai DEVOPS dhe disa projekte në infrastrukturë, si rikonstruksioni i
sheshit të qytetit, hyrja e re e qytetit etj.

Të gjitha këto
projekte kanë pasur ndikimin e tyre pozitiv në zhvillimin e zonës duke ulur
ndjeshëm nivelin e papunësisë, ndërkohë që ndërtimi nga TAP-i i urave dhe
rrugëve të aksesit sipas standardeve më të mira, kanë ndikuar drejtpërsëdrejti
në jetën e komuniteteve në njësitë administrative Potom, Vëndreshë dhe Qendër,
duke u rikthyer shpresën dhe besimin se e ardhmja e tyre është këtu në vendin e
tyre.


Potencialet e jashtëzakonshme turistike të Skraparit

Potencialet e
jashtëzakonshme turistike që zona e Skraparit ofron, si kanionet e Osumit, mali
i Tomorrit, shpella e Pirogoshit etj., kanë qenë dhe mbeten gjithmonë atraktive
për turistët dhe turizmin. Për herë të parë, në bashkëpunim me CESVI-n,
bashkinë e Atesa-s dhe Ministrinë e Turizmit, në këtë zonë është implementuar
me sukses projekti DEVOPS, (Zhvillimi i Mundësive të Krijimit te Vendeve te Punës
për Zhvillimin e Skraparit) në fushën e turizmit. Falë tij, është krijuar
infrastruktura e mirëfilltë turistike për zhvillimin e tij, si broshura
informative, logoja, website vizitskrapar,
kampingu në Hambull, pikat hyrëse dhe dalëse të Rafting, agjencitë turistike, kurset trajnuese. Ndërkohë  janë 
konkretizuar edhe dy projekte të tjera, njëri me një  Fondacion Amerikan dhe tjetri me TAP-in për
ndërtimin e dy pikave panoramike mbi kanione, ndërtimi i të cilave do të
fillojë shumë shpejt.

Sipas
statistikave të operatorëve, ndikimi i këtij investimi vetëm për vitin që jemi
ishte i ndjeshëm, duke e rritur numrin e turisteve nga 6000 në 8000.

Duke qenë se
turizmi mbetet një nga sektorët prioritarë për zhvillimin e zonës, Bashkia e
Skraparit së bashku me Bashkitë e Beratit, Gjirokastrës dhe Përmetit, ka
aplikuar edhe në projektin e ri “Udhëto sipas mënyrës tënde”. Përmes tij
synohet trefishimi i pranisë së turistëve nëpërmjet shitjes së ofertave
turistike, të cilat do të jenë shumë atraktive, pasi do të konsistojnë në një
përzierje të turizmit historik me atë kulturor, natyror dhe prodhimeve bio.


Bashkëpunimi i
bashkisë me donatorët e huaj

 

Bashkia e
Skraparit është duke bashkëpunuar edhe me Shoqërinë Gjermane GIZ, për mundësinë
e dhënies fermerëve të granteve për përpunimin e prodhimeve të tyre me
teknologjinë më të mirë të kohës, si dhe për krijimin e infrastrukturës
akomoduese të tipit GuestHouse, duke
u dhënë mundësinë atyre që të vetëpunësohen dhe të krijojnë të ardhura të mira
për familjet e tyre.

Bashkia e Skraparit
ka gati projektet e rrugëve që do ta lidhin atë me Përmetin dhe Gramshin. Këto
projekte u janë prezantuar komuniteteve dhe janë në pritje të lëvrimit te
fondeve nga Qeveria.

Po kështu kjo
bashki është duke lobuar fuqishëm edhe për pjesën e segmentit qe e lidh me
Korçën, një segment prej 15 km, në mënyrë që edhe kjo rrugë e shumëpritur nga
të gjithë të realizohet.

Skrapari është
një zonë vitale me njerëz mikpritës dhe punëtorë, me energji të mëdha të
pashfrytëzuara në shumë fusha, ndaj ka ardhur koha që investitorët vendas dhe
të huaj të mendojnë për t’i investuar kapitalet e tyre në këtë zonë. Po kështu,
një alternativë tjetër janë fermerët vendas, të cilët duhet të rrisin
investimet në mikrofermat e tyre, për ta ruajtur traditën dhe për ta zhvilluar
atë në kushtet e realitetit të sotëm.