Ermira Babamusta/ Bukuria arkitektonike nën kamerën e fotografit Ilir Rizaj

778
Sigal

Ilir Rizaj është një mjeshtër i fotografisë, i cili me krijimtarinë e tij promovon bukuritë arkitektonike. Fotografitë artistike të tij ilustrojnë objekte me rëndësi historike, etnografike, gjeografike dhe arkitekturale. Kulturën profesionale dhe artistike Ilir Rizaj e kultivoi duke fotografuar kullat klasike të Pejës, mrekullitë arkitektonike të New Yorkut, pallatet madhështore të Stambollit dhe perla të tjera botërore.

 Ilir Rizaj ka lindur në vitin 1960 në Pejë, ku kaloi fëmijërinë deri sa familja e tij u shpërngul në Prishtinë. Ka studiuar Fakultetin Juridik dhe pak kohë mbas diplomimit shkon në vizitë në New York, ku vendoset përhershëm. Atje njoftohet me fotografin e njohur Fadil Berishën dhe fillon bashkëpunimin me të. Me nxitje nga Fadili, Ilir Rizaj i kthehet fotografisë në mënyrë profesionale. Tani merret kryesisht me fotografi arkitektonike dhe fotografi portretesh të aktorëve dhe muzikantëve. (www.ilirrizaj.com).

 Iliri është anëtar i përhershëm i AIAP (The Association of Independent Architectural Photographers), Shoqata e Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës. AIAP ka në rrjetin e saj fotografët arkitektural më të respektuar dhe talentuar të fushës. Fotografitë e tij të suksesshme janë publikuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.

 Pasioni i Ilir Rizaj për fotografi reflektohet nga veprat e tij mahnitëse duke i dhënë një jetë dhe histori interesante objekteve që ai fotografon. Planet e tij të së ardhmes përfshijnë restaurimin e objekteve tradicionale me vlerë kulturore dhe historike në Kosovë, me ndihmën e fondacionit amerikan Aventurat në Prezervim (Advetures in Preservation) me drejtore Judith Broeker. Ka dëshirë të realizojë një projekt të ri në Shqipëri, për të fotografuar Kullën e Sendulit në Gjirokastër, restauruar nga Aventurat në Prezervim. Gjithashtu ka në plan të bashkëpunojë me arkitektin e talentuar Përparim Rama, për të fotografuar projektet e tij dhe së bashku kanë dëshirë të botojnë një libër që ilustron historinë e arkitekturës në Kosovë.

 

Intervistë me fotografin e talentuar Ilir Rizaj

 Kur e zbuluat fotografinë së pari?

 Ilir Rizaj: Isha pesëmbëdhjetë vjeç, kur u bëra fotograf “zyrtar” i familjes sime, mbasi unë tregova më së shumti interes të luaj me kamerën e re. Mora një kurs të fotografisë në Prishtine dhe fillova të fotografoj shokët, shoqet dhe natyrën përreth Prishtinës. Dhomën e errët e krijova në bodrum të shtëpisë, krijimi i fotografisë ishte një proces magjepsës për mua. Një vizitë në Stamboll ndikoi shumë që kamerën time ta drejtoj në objekte arkitektonike, ishin këto ndërtimet madhështore si: Topkapi dhe Dolmabahçe Sarayi, Xhamia e Kaltër e të tjera.

  Vitet fëminore i keni kaluar në Pejë dhe në Prishtinë. Si kanë influencuar këto dy qytete në artin tuaj të fotografisë?

 Ilir Rizaj: Peja e fëmijërisë sime ka qenë një qytet që ka ofruar një peizazh natyror jashtëzakonisht të bukur, qytet me famë turistike ndërkombëtare, edhe në atë kohë Peja ka pas shumë turistë nga Evropa, sidomos Italia. Arkitektura në Pejë ka qenë një kompozicion i kullave klasike autoktone, shtëpive dhe dyqaneve me ndikime arkitektonike Otomane dhe objekte të stilit Austro-Hungarez si Hoteli Korzo. Stili Otoman karakterizohej me një elegancë dhe bukuri tërheqëse, gati misterioze. Stili Austro-Hungarez ishte grandioz, impresionues, por më i ftohtë. Kështu që “syri” im fotografik u formua në një mjedis tejet të begatshëm natyror dhe arkitektonik. Prishtina, nga ana tjetër, nuk e kishte bukurinë natyrore të Pejës dhe nga aspekti i arkitekturës së vjetër ishte pak më e varfër, sidomos pasi qeveria komuniste e shkatërroj çarshinë e vjetër, por kishte ndërtime moderne që ishin mjaft interesante, si ato afariste ashtu edhe shtëpia private.

  Tani jetoni në SHBA. Si ndikoi ky ndërrim i mjedisit në fotografinë e juaj?

 Ilir Rizaj: Që nga dita e parë, jeta në New York ishte një eksperiencë magjepsëse – dinamika e qytetit, jeta e bujshme kulturore – po çka ishte më impresionuese për mua, arkitektura eklektike dhe grandioze e Mollës së Madhe më përcillte në çdo hap. Me 1993 pata fatin të njoftohem me fotografin Fadil Berisha, i cili menjëherë më ofroi të më bëhet mentor i fotografisë, bashkëpunim që u shndërrua në një miqësi të përjetshme. Nga Fadili mësova shumë, leksioni më i vlefshëm, padyshim, ishte si ta zbuloj esencën e subjektit dhe ta regjistroj atë në mediumin e fotografisë. Së shpejti, përveç punës së rregullt në restorant dhe si përkthyes gjyqësor, merresha me fotografi të ndryshme të modës, portrete, fotografoja veprat artistike të artistëve figurativ për portofoliot e tyre. Ishte shumë vështirë të depërtohej në larminë e fotografisë arkitektonike. Mbas një kohe, punova në një restorant që ishte dizenjuar nga Bijan Safavi, një arkitekt me prejardhje Iraniane. Ai ma dha shansin e parë të fotografoj dizajnët e tij dhe kështu kuptova që ajo ishte fusha e fotografisë që kisha pas më së shumti dëshirë ta specializoj.

 Rrethanat jetësore bënë që ta lë anash fotografinë për karrierë në restorant. Pasi bëra një pauzë mjaft të gjatë nga fotografia aktive, ishte Fadili që më shtyri t’i qasem dhe ta mësoj tani aspektin dixhital të fotografisë. Në fillim fotografoja portrete aktorësh, por gruaja ime Luljeta më tha se zemrën e kam në foto të arkitekturës dhe se duhej të orientohem në ato. Së shpejti e krijova një portofolio nga fotot e vjetra, i bëra disa të reja të disa restoranteve që ishin të shokëve të mi, një nga ta ishte edhe restoranti Lumi që ishte pronë e shoqes sime, Lumi Hadri. Krijova një portofolio modest, me të cilin arrita të gjej klientë, arkitektë dhe dizajnerë interieri. Dhe kështu filloi karriera ime e vërtetë si fotograf i arkitekturës.

 Fadili gjithnjë vazhdon të më përkrahë si mentor i përkushtuar, edhe pse ai është fotograf i modës, ka një sy të mprehtë për çdo lëmë të fotografisë, është artist i vërtetë, kështu që edhe lidhur me foto të arkitekturës, di të më këshillojë, kritikojë dhe nganjëherë të më lavdërojë.

  Cilat janë disa struktura dhe ndërtime të veçanta që ju kanë bërë përshtypje në New York?

 Ilir Rizaj: Në New York përshtypje të veçantë më kanë bërë Muzeumi Guggenheim i arkitektit legjendar Andrew Lloyd Wright, Lipstick Building dhe AT&T Building që janë ikona të New Yorkut, të dizenjuara nga Philip Johnson, me të cilin kam pas nderin edhe të takohem personalisht, mbasi e kisha mysafir të rregullt në restorantin Remi, ku punoja një kohë. Prej arkitektëve modernë kam shumë admirim për Zaha Hadid, si dhe Frank Gehry, ndërtesa e tij në 8 Spruce Street është mahnitëse, ku edhe kam pas’ rastin ta fotografoj një banesë.

  Po në Kosovë, cilat ndërtime karakteristike ju kanë lënë më së shumti përshtypje dhe cilat keni patur mundësi t’i fotografoni?

 Ilir Rizaj: Arkitektura është një formë e të shprehurit njerëzor që përveç estetikës, pasqyron rrethanat historike në të cilën është krijuar. Në Kosovë, padyshim kullat janë ndërtime unike, ku mjeshtri popullor e ka minimizuar dhe përshtatur konceptin e kështjellës për përdorim të familjes apo klanit. Ne si popull gjithmonë kemi qenë te detyruar të mbrohemi nga invazionet e ndryshme, prej Romakëve, Sllavëve dhe Otomanëve, kullat e manifestojnë këtë rrethanë historike me materialin e ndërtimit nga guri dhe me dritare të vogla. Vitin e kaluar i fotografova disa nga kullat në Isniq dhe Drenoc. Fatkeqësisht shumë prej tyre u shkatërruan nga vandalet serb gjatë agresionit të vitit 1999.

 Një mbresë të posaçme më la shtëpia ku gjendet Muzeumi Etnologjik në Prishtinë, të cilin gjithashtu e fotografova detajisht dhe, ku hasa një mikpritje të vërtetë kosovare nga kuratorët Valon Shkodra dhe Ilir Sopjani.

 Së fundi, në këtë vizitë ishte kënaqësi e posaçme ta fotografoj Hamam Jazz Bar, të dizenjuar nga Përparim Rama dhe kompania e tij 4M Group në Londër. Ky është një dizajn gjenial që fitoi çmim ndërkombëtar me meritë. Mënyra se si Përparimi i ka bashkëdyzuar elementet e drurit, llaçit, kashtës, çimentos dhe hekurit në këtë lokal është mbresëlënëse.

 Në Prishtinë kam parë gjithashtu punët e arkitektëve që më kanë lënë shumë përshtypje për origjinalitet dhe për bukuri të dizenjos, sidomos ato nga Gëzim Puka dhe Ilir Murseli, dizajnet e të cilëve shpresoj do ta kam kënaqësinë t’i fotografoj një ditë.

  Si mund ta përshkruani stilin dhe teknikën tuaj të fotografisë së arkitekturës?

 Ilir Rizaj: Si fotograf i arkitekturës, mundohem ta zbuloj dhe të interpretoj identitetin, përmasat dhe estetikën që arkitekti e ka paramenduar për një hapësirë. Stili im i fotografisë është që sa më pak të ndikoj në këto elemente të dizajnit, pra t’i ruaj dhe t’i shpreh në mënyrë autentike. Gjithnjë nisem nga ideja se gjenialiteti gjithmonë gjendet në thjeshtësi.

 Sipas meje, sfida më e madhe është të ruhet ndriçimi origjinal i hapësirës, që e përcakton edhe atmosferën e një dizajni. Prandaj, nëse vendos të përdor ndriçim shtesë, e bëj në mënyrë që aspak mos të vërehet, pra, të duket si pjesë integrale e ndriçimit origjinal.

 Pas ndriçimit, kompozicioni është esencial për ta portretizuar një hapësire apo objekt. Sa për fotografi eksterierë të objekteve, specializoj në foto të bëra gjatë muzgut, kur qielli merr një ngjyrë të kaltër intensive, që shkon tepër bukur me ndriçimin e verdhë të ngrohtë që vjen nga dritat e interierit.

  Me cilët arkitektë dhe dizajner interieri bashkëpunoni në New York?

 Ilir Rizaj: Si anëtar i përhershëm i AIAP – (The Association of Independent Architectural Photographers) – Shoqatës së Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës, më bie të fotografoj për një numër të mirë të arkitektëve dhe dizajnerëve të interierit këtu në New York dhe New Jersey.

 Nga arkitektët që kam privilegj të bashkëpunoj është Sokol Malushaga, me prejardhje nga Peja, që së bashku me Edi Malushagen e kanë kompaninë ndërtimore Ari Group. Projektet e Sokolit të shtëpive dhe banesave super-luksoze në Manhattan janë të jashtëzakonshëm. Talenti i tij, vizioni artistik dhe syri i tij që nuk lëshon asnjë detaj pa e perfeksionuar është inspirim i veçantë për mua.

 Jam fotograf ekskluziv edhe i arkitektit Jordan Rosenberg, i cili projekton pallate multi-milionëshe në New Jersey, Jason Landau të kompanisë Amazing Spaces LLC, Rinat Tahar që është me origjinë Izraelite dhe me Erik Galiana që është modelues interieri shumë i njohur që përveç në New York, vepron edhe në Miami dhe Los Angeles.

  A është botuar fotografia juaj deri tani diku?

 Ilir Rizaj: Po, fotografitë e mia janë botuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.

  Çfarë këshilla i jepni fotografëve të rinj në Kosovë?

 Ilir Rizaj: Edhe pse fotografia si medium, me avancimin e teknologjisë dixhitale, është bërë më lehtë të zotërohet, aspekti artistik ka mbetur gjithmonë i njëjtë: talenti duhet të ushqehet me pasion dhe studim të pandërprerë.

 Ndoshta do t’ju duket sugjerim i çuditshëm, por sipas mendimit tim, krejt çka na duhet që të mësojmë për aspektin artistik të fotografisë, mund të arrihet nga studimi i veprave të ndryshme të artit figurativ, sidomos ato të Renesansës. Se si të kuptojmë ndriçimin, relacionin mes dritës dhe hijes, pra efekti chiaro-scuro më së lehti mësohet nga veprat e Caravaggios dhe Rembrandtit, kurse kompozicioni, relacioni hapësinor në mes të subjekteve kuptohet shumë lehtë duke studiuar skulpturat dhe pikturat e artistëve të mëdhenj si Michelangelo, Degas, Van Gogh etj.. Shumë mund të mësohet edhe nga shkrimet e autorit Rudolf Arnheim që ka bërë studime të thella në fushën e natyrës së artit dhe perceptimit vizual.

  Cilat objekte keni dëshirë të realizoni në fotografinë tuaj të ardhshme? Planet e juaja për të ardhmen?

 Ilir Rizaj: Dëshira ime e kahershme ta vizitoj Shqipërinë do të më realizohet këtë verë, jam i ftuar ta fotografoj restaurimin e Kullës së Skendulit në Gjirokastër, projekt i fondacionit Adventures In Preservation (Avanturat në Prezervimi) që është një fondacion amerikan që bën restaurime arkitektonike anembanë botës. Mbas këtij projekti, do ta sjelli drejtoreshën e AIP, Judith Broeker me bashkëpunëtorët e saj në Kosovë për vizitë pune, ku së bashku do të hulumtojmë objekte potenciale për restaurim.

Në anën tjetër, më arkitektin Përparimin Rama, përveç që do ta kam kënaqësinë t’i fotografoj projektet e reja të tij në Londër, kemi plan të bashkëpunojmë në një libër që përfshin historinë e arkitekturës në Kosovë.