Enada Hoxha:Të jesh balerinë do të thotë jo jetë nate, jo alkool dhe ushqim të tepërt

210

INTERVISTA/ Flet balerina Enada Hoxha:  Sot baleti ka fituar shumë terren

Ajo se njeh duhanin, as pijet alkoolike. Madje, s’bën kurrë jetë nate. Profesioni i të qenit balerinë e ka privuar nga shumë gjëra. Madje, dhe ushqimin  e përzgjedh. Sipas Enadës sot baleti po fiton shumë terren, madje kërkesat e prindërve për fëmijët e tyre në këtë drejtim, për të mësuar balet janë jashtëzakonisht të mëdha. Sot femra shqiptare, në sajë të punës, studimit, kërkesave ndaj vetes, ndihet më e respektuar dhe më e pavarur. Asaj i pëlqen baleti parizien dhe pse pedagogët e saj kanë nostalgji për shkollën ruse të baletit.

 Përse zgjodhët “La Traviata” për të sjellë në skenë?

 Me Traviatën kam një marrëdhënie paksa ndryshe. Jam e dashuruar me këtë rol, me këtë Opera, ndihem mjaft mirë dhe mund të them se është një nga pjesët më të bukura dhe për publikun shqiptar, pa diskutuar për mua konkretisht. Unë kam pasur jashtë shtetit mjaft eksperienca me balete të huaja  dhe koreografë me të cilët kam punuar dhe kam parë se si është vënë kjo vepër në skenë.  Në momentin e parë që e kam parë këtë shfaqje u dashurova me të dhe madje kam shkuar tek koreografi duke i thënë të lutem përveç roleve të tjerë që më ke besuar  mund të më besosh dhe këtë rolin e “Traviata”-ës sepse duke e parë jam ngazëlluar së tepërmi. Kështu që në momentin që m’u dha mundësia, apo u diskutua me koreografin italian për të ardhur për ta vënë këtë vepër, në atë moment i thashë vetes, përse të mos e vë vetë këtë shfaqje? Atëherë fillova të bisedoj me Maestro Zhani Cikon duke pasur parasysh se ky vit është dhe viti i Verdit, ku koincidoi dhe me 60- vjetorin e TOB-it, kështu që me këtë rast do t’ju bëhet një homazh të gjithë balerinëve që e kanë luajtur Traviatën. Pra ishte momenti i duhur dhe kështu Ciko ra dakort me dëshirën time dhe të Gertit dhe ja tani po bëhet realitet.

 Kjo ishte premierë për ju?

Po. Kjo ishte premierë absolute pasi  “La Traviata” tek ne nuk është luajtur balet përveçse opera.  Dhe ajo që më bën të ndihem mirë së bashku me bashkëshortin tim Gertin (balerin) është se tashmë vënia në skenë është një vepër krejt e jona, d.m.th, e krijuar nga ne.

 Kush ishte vështirësia më e madhe e kësaj vepre?

 Si çdo balet tjetër vështirësia është në zbërthimin e personazheve, i historisë që ka personazhi.  Është  një rol kompleks i Violetës, pasi ajo është një kurtizane, ku përveçse e adhurojnë dhe e dëshirojnë shumë të rinj,  ajo bie në dashuri, e cila është dashuria e saj e parë me një njeri që e do shumë. Por ajo ka disa gjendje emocionale, pasi është e sëmurë dhe dashuria e parë në jetën e saj ja vështirëson këtë dashuri. Pra, një rol kompleks pasi duhet një pjekuri artistike dhe në moshë në  balet që ta nxjerrësh në pah dashurinë, por dhe problemet e tjera.  Vështirësia vjen kur t’i e krijon të tërën vetë, pasi ta bësh në kompleksitet është vështirësi dhe përgjegjësi, por edhe nga ana regjisoriale, pasi në këtë rast ne jemi dhe regjisor. Regjia bëhet duke ju përshtatur libretit dhe pjekurisë së personazhit dhe historisë. Vështirësia tjetër është se  në këtë rast ti nuk punon vetëm për veten tënde, për rolin tënd, por punon edhe për një trup baleti.

 A po fiton terren baleti në Shqipëri?

 Baleti ka qenë prezent gjithmonë në publikun e Tiranës pavarësisht se në kalendarin  e TOB ka më shumë vepra operistike se sa baleti, por kjo vjen për disa arsye të tjera. Pra, baleti është më pak prezent pasi është shumë i kushtueshëm, baleti  do një mori skenografish,  kostumesh, pra  ka disa vështirësi specifike. Por gjithsesi, baleti në TOB ka vendin e tij, ka simpatizantët e tij që vijnë duke u rritur dhe prezenca e tij vjen duke u shtuar. Unë mendoj se aktualisht përveçse është prezent në publik, ai ka një peshë të rëndësishme. Publiku vjen me dëshirë të madhe për të parë, baletin sepse baleti përveçse të ofron një vepër shumë të bukur,  skenografi shumë të bukur, kostumografi shumë të bukur, por  i dhuron spektatorit një mori lëvizjesh të ndryshme  që e tërheq shumë publikun. Këto lëvizje janë shumë elastike, shumë profesionale, shumë të veçanta. Me ide që të befasojnë. Të gjitha këto elementë sjellin afrimin e publikut. Ky fakt duket qartë se salla po mbushet çdo ditë dhe më tepër, por nga ana tjetër janë rritur shumë kërkesat e prindërve për të aktivizuar fëmijët.

 Në sa vepra baleti keni realizuar së bashku me Gertin?

Veprimtaria jonë është e mjaftueshme për kohën që po flasim.  Kemi një pjesë të numrave solistikë, në koncerte të ndryshme që janë krijimtari tonat, ndërsa balet i mirëfilltë janë “Dhimbje dhe dashuri”, jeta e Shopenit,  “La Traviata”  Opera e Dhora Lekës “Vjeshtë dhe stuhi”

 Krijimtarinë e baletit në operën “Aida”, pra këto janë më të rëndësishmet. Krijimtaria jonë, ka qenë e përhershme dhe vazhdon të jetë e tillë?

 Në sa skena të huaja keni luajtur dhe ku jeni ndjerë më mirë?

Unë kam luajtur në skenat më të rëndësishme të Italisë, sepse lidhja ime kryesore është me koreografët në Itali, ku baleti gjallon. Më ka rënë  rasti jo me balet klasik, të kërcej, në shumë vende të tjera europiane.

 Është e vështirë të jesh sot balerinë?

Jo. Sot klima ka ndryshuar. Baleti po pëlqehet çdo ditë dhe më shumë. Sot shoqëria shqiptare është e emancipuar dhe konservatorizmi nuk ka vendin në pjesën dërrmuese të shoqërisë. Kush di ta kuptojë dhe të marrë kulturë për baletin, nuk humbet asgjë, por vetëm ka për të fituar. Është art shumë i bukur, arti i perfeksionit dhe harmonisë. Ku ka gjë më të bukur se kaq?

 Mendoni se ky art është më i volitshëm për femra se sa për meshkujt?

 Ja dhe ju në pyetje jeni paragjykues (qesh). Jo absolutisht jo. S’e di si aludojnë, mendojnë, perceptojnë njerëzit, por mendoj se është një art i të dy gjinive, pasi dhe ky art është gjithmonë në duet apo më shumë. Por femra ka më prezencë, sepse ka sharm, vishet më bukur, ka më sharm dhe paraqitje. Kur kërcen ndërron fustane, bën më shumë makijazh.

 Ku qëndron vështirësia e të qenit balerinë?

 Qëndron në shumë gjëra, pasi në radhë të parë duhesh të kesh një disiplinë të fortë të hekurt, të punosh orë,  e pa orë, të kesh kujdes që nga menaxhimi, ushqimi dhe deri tek  vizitat, apo dëfrimet në orët e vona. Ka një regjim punë-shtëpi dhe anasjelltas që jo çdo njeri mund ta përballojë.

 Mendoj se regjimi më i fortë është ai i ushqimit?

 Besoj për pjesën më  të madhe, pasi ka dhe balerina me metabolizëm shumë të mirë që mund të hanë çdo gjë dhe të mos shëndoshen, ashtu sikundër ka me metabolizëm që duhet të jenë shumë të kujdesshëm.

 Dita më e vështirë në skenë?

Unë çdo gjë e bëj të vështirë, s’e bëj asnjëherë të lehtë asgjë. Të vështira janë momentet kur rrëzohesh në një shfaqje, kur një skenë për disa kohë nuk realizohet si duhet etj…ose kur të ndodh  një incident të griset një fustan etj…

 Mendoni se femra shqiptare ndihet  e vlerësuar?

Sigurisht që sot femra shqiptare nuk është e shumë viteve më para,  sa vjen për çdo ditë shihet një evoluim. Femra bëhet më e guximshme më e arsimuar, më kërkuese….Pra femra me punë dhe dinjitet po fiton disa të drejta të mohuara

 Cilat janë trupat më të mira të baletit në botë?

Unë për vete kam si shembull trupën e Parisit, Amerikën (kjo ka shumë trupa), ndërsa shumë koleg të mi dhe pedagogë janë të dhënë pas baletit rus, pasi dhe aty janë shkolluar, janë nostalgjik.  Në trupën e Parisit, shikon art, elegancë.

Marrëdhëniet me librin?

Ah, kam studiuar shumë, po shumë. Sot puna më ka larguar disi. Por di të them që sado pak kohë që të kem rrëmbej librat e baletit dhe mbyllem në qetësinë time. Lexoj çdo gjë që ka me baletin, të koreografëve  të shquar. Nga ana tjetër merrem me djalin tim, të cilin e edukoj shumë në marrëdhëniet e mira që duhet të ketë me librin.