Emin Qamil Kuzumi, themeluesi i 100-vjetorit të dentistikës vlonjate

37
Rilindasi patrioti pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 , pjesëmarrës në luftën e Vlorës ,e në atë të luftës ANÇ, themelues i shërbimit mjekësor stomatologjik në Vlorë. Dr. Emin Qamil Kuzumi është një nga figurat me emblematike të vendit. Dr Emin Qamil Kuzumi lindi në qytetin e Gjirokastrës në 1886 . Arsimin fillor e mori në vendlindje ndërsa atë të mesëm e kreu në Idadie, Janinë .Shkollën e lartë për mjek stomatolog e kreu në Stamboll. Gjatë kryerjes së studimeve në Turqi bie në kontakt me patriotët intelektual shqiptarë, midis tyre me Ismail Qemalin të cilët e frymëzojnë për çështjen kombëtare shqiptare më 1908 bëhet pjesëtar i lëvizjes xhonturke, si të tillë autoritetet vihen në ndjekje , por Ai i shpëton arrestimit dhe largohet për në Trieste, e cila ndodhej në mbretërinë Austrohungarese. Aty hynë në punë në klinikën dentare “Rein hold”. Nuk gjen qetësi, sepse brenda shpirtit i vlonte një zjarr. Ishte zjarri i atdhedashurisë. Si shumë patriotë të tjerë me ideale kombëtare “Se Shqipëria meriton të bëhet dhe do të bëhet nga ne shqiptarët”, me këtë motiv bëhet mbështetës i shpalljes së pavarësisë në vitin 1912. Evidentohet si i pari mjek dentist në Qeverinë e parë të Shtetit Shqiptar, në Vlorë. Bashkëkohësit e tij, në profesionin e dentistit, e konsiderojnë, falë përvojës dhe kompetencës shkencore, edhe si profesorin e parë të tyre. Midis klinikave shtetërore e atyre private të kohës, njerëzit gjenin tek ai shërbimin shembullor në profesion, gjenin njeriun e mençur në bashkëbisedim, gjenin dhe atdhetarin e duhur në krijimin e mendimit themelor që “Shqipëria do bëhet”. I urtë, i sjellshëm, i dashur, human, i edukuar, përparimtar, estetik, korrekt e, mbi të gjitha, patriot i demonstruar pro Ismail Qemalit, pro Fan Nolit, antizogist, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, jo vetëm, por dhe fëmijët e tij, përbëjnë portretin shumëdimensional të Emin Kuzumit. Po të kishim kohë të flisnim për veprimtarinë e tij te Shoqata “OPINGA” etj, për pjesëmarrjen në veprimtari dhe lëvizje përparimtare, do të duheshin faqe të tëra. Dëshmi e gjallë janë medaljet dhe urdhrat që i janë akorduar nga autoritetet e kohës që jetoi. Ne jemi punonjës dentarë dhe ajo që na intereson më shumë është modeli që na ka lënë në këtë profesion, por na gëzon pa masë një traditë tjetër që Dr. Emin Kuzumi la pas, që është trashëgimia profesionale në trungun familjar në tre breza. Ai iu futi dashurinë për dentarinë djemve Qamil, Gjon e Agron dhe fëmijëve të tyre, duke krijuar kështu, që nga viti 1900 e deri më sot, një përvojë të suksesshme të shërbimit dentar për një periudhë më se një shekull. Po të gërmosh më tej në dokumente, bashkëbisedime, fotografi, shënime të tij dhe kujtime të bashkëkohësve të tij, arrin në një përfundim, se figura e Emin Kuzumit mund të quhet një figurë poliedrike. Këtu ndofta influencuan atdhedashuria, humanizmi dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja, vjelja e përvojave të vendeve ku u shkollua dhe u punësua dhe, mbi të gjitha, dashuria për zhvillim e përparim të vendit të tij. Këto vërtetojnë se njerëzit e mëdhenj bëhen të tillë që kujtohen edhe pas vdekjes, si në rastin tonë me punonjësin e parë dentist në Vlorë Dr. Emin Qamil Kuzumin. Ata mbeten të tillë, sepse i karakterizon thjeshtësia e tyre në sjellje. 

Dr. Asqeri Llanaj