Elvira Dones shkrimtarja që shkëlqeu pas ikjes nga Shqipëria

1013

Nga Durrësi në Zvicër mes pasioneve letrare dhe dinjitetit të gruas

Një mëngjes ajo së bashku me një grup kineastësh iku nga Shqipëria me shërbim dhe pastaj, kur grupi i kthye, ajo mungonte midis tyre. Ishte akoma viti 1990, kur për gjëra të tilla, duhet ta merrje parasysh pasoja të rënda, për jetën dhe të ardhmen. Por sidoqoftë gjërat në atë periudhë lëvizën me shpejtësi dhe diktatura nuk pati kohë për ndëshkime, ndaj guximtarëve. Kështu Elvira Dones kaloi përtej hekurave të burgut komunist dhe ikja e saj i dha një goditje të caktuar regjimit që mezi mbahej në këmbë. Por ajo, përtej këtij burgu nisi planet e saj letrare, të cilët i kishte fshehur me kohë në sirtarët e ëndrrave. Elvira Dones u lind në Durrës në vitin 1960. Ajo është diplomuar në Letërsi Shqipe dhe Letërsi Angleze në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nga tetori i vitit 1988 jeton dhe punon në Zvicër. Shumë rrallë mund të gjendet ndonjë rast tjetër, kur një grua shqiptare, brenda një kohe të shkurtër është bërë shkrimtare e njohur në Europë dhe në botë. Por kjo ka ndodhur me Elvira Donesin, e cila në një kohë rekord shkroi shumë romane dhe libra artistikë, apo autobiografikë. Dhe ajo u pëlqye menjëherë nga lexuesit, të cilët thanë se, Dones ra mbi universin letrar si një meteor. Donesi, e nisi rrugën e karrierës së saj si shkrimtare me një roman, në formën e biografisë. Megjithëse ka shkruar që në moshë të re, ajo vendos të botojë shumë vite më vonë. Kur punonte në Kinostudio ajo njihej si një përkthyese e përkryer dhe si njohëse e shkëlqyer e letërsisë botërore. Romani i saj i parë “Dashuri e huaj” botohet nga shtëpia botuese “Çabej” në vitin 1997, dhe më pas e botoi atë edhe në italisht. Ky libër renditet në një nga prozat më tërheqëse të botuara këto vitet e fundit. Me stil të veçantë, me frazë të zhdërvjellët, me dialog të natyrshëm ai rreshtohet me dinjitet midis romaneve më të mirë.. pas këtij romani Dones boton romanin e saj të dytë “Kardigan” po nga shtëpia botuese “Çabej” në vitin 1998. Në vitin 1999 “Onufri” boton vëllimin me tregime “Lule të gabuara”. Ndërsa më tej vjen edhe romani më i suksesshëm i saj. E titulloi “Yjet nuk vishen kështu”. Në faqet e këtij romani zënë vend ngjarje të hidhura, të errëta, e të dhimbshme, zënë vend ngjarje krejt afër reales. Fenomeni i prostitucionit, “mishi i bardhë” shqiptar që tregtohet rrugëve të Italisë… shkruar me një stil të veçantë e përpirës, të rrëqeth. I botuar në italisht nga shtëpia botuese “Feltrinelli” dhe me titull “Sole bruciato” (Diell i djegur) ky roman vlerësohet lart, sidomos nga kritika e huaj.

  Vlerësimet për librat e Donesit

 “Një zbulim i bukur, me shije njëherazi epike dhe lirike. Një zbulim i bukur sepse hap një dritare mbi letërsinë e sotme shqiptare, sepse na mëson ne italianëve që t’i shohim fqinjët shqiptarë me më pak paragjykime idiote, por mbi të gjitha, sepse është një vepër me forcë tregimtare të fuqishme e të rafinuar.” Kështu shkruan Mario Fortunato në një artikull në gazetën “L’Espresso”, për romanin e suksesshëm të Elvira Donesit, “Yjet nuk vishen kështu”. Kurse në “Ëorld Literature today”, SHBA, Robert Elsie shkruan: “Me këtë libër Elvira Dones arrin një majë të re të karrierës së saj letrare. Një roman i pjekur që të ngul kthetrat dhe që e ka bërë autoren një ndër më të lexuarat pena shqiptare”. E ndërsa “Yjet…” u prit shumë mirë nga lexuesi, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë, në dy vitet e fundit Dones boton dy librat e saj të fundit romanin “Ditë e bardhë e fyer” dhe “I Love Tom Hanks”.

“Ditë e bardhë e fyer” është romani i dytë nga “Trilogjia e dhimbjes”. Ndërsa romanin e tretë të kësaj triologjie e ka titulluar “Më pas, heshtja”.

Një përgjigje e mençur

 Në një emision televiziv, kur shkrimtarja  u pyet nga gazetarja Rudina Xhunga se kur erdhi libri i vërtetë i parë për Elvira Dones, ajo iu përgjigj: “Libri realisht i parë erdhi si divan i psikoterapistit sepse kur unë u largova nga Shqipëria dhe lashë një fëmijë, të cilin nuk do kisha menduar kurrë se do ta bëja atë lloj gjesti dhe unë nuk e kisha menduar kurrë që po ikja, absolutisht. Dhe ai ka qenë një vendim i marrë në 30 sekonda për herë të parë në jetën time sepse ne, shumë vajza shqiptare, lindëm të plakura në një farë mënyre. Flas për brezin tim sepse sot për fat të mirë gjërat janë ndryshe dhe vajzat kanë liri të tjera sot, por për ne ishte gjithçka shumë e ndrydhur dhe ne lindëm vajza, por u bëmë gra shumë shpejt me përgjegjësitë që na jepnin sepse vajza duhej të ishte në shtëpi të ndihmonte nënën pra, kishte tjetër përgjegjësi dhe këtë lloj lirie që vajza ime sot, këtë lloj papërgjegjshmërie, këtë lloj shpërthimi të rinisë së saj, ne nuk e kishim pasi ne duhej të ishim të përgjegjshme për gjithçka. Kështu që unë, në atë moment, kam përshtypjen se ishte i vetmi 30 sekondash në jetën time që unë mendova për veten time në mënyrë instiktive dhe pastaj e pagova dhe e paguaj edhe sot sepse të bësh llogarinë me atë lloj hapi ku të duket vetja një mostër për vite të tëra për fëmijën tënd, them që ka qenë shumë e vështirë derisa mora tim bir, derisa u lidhëm bashkë dhe marrëdhënia filloi tamam aty ku ishte lënë. Por ama m’u desh mua të bëja një punë të jashtëzakonshme dhe libri i parë nuk kishte si të mos kalonte që aty.

 Në gjuhën shqipe ka publikuar :

 DASHURI E HUAJ, roman, Tiranë, 1997 (Botuar në italisht, në vitin 1998, me titullin Senza Bagagli)

 KARDIGAN, roman, Tiranë, 1998

 LULE TË GABUARA, vëllim me tregime, Tiranë, 1999

 YJET NUK VISHEN KËSHTU, roman, Elbasan, 2000 (Botuar në italisht me titullin SOLE BRUCIATO, Milano, 2001

 DITË E BARDHË E FYER, roman, Elbasan, 2001

 I LOVE TOM HANKS, tregime, Elbasan, 2002

 MË PAS HESHTJA, roman, 2004

 Romanet Yjet nuk vishen kështu, Ditë e bardhë e fyer dhe Më pas heshtja, janë pjesë të trilogjisë “Trilogjia e dhimbjes”.

 Elvira Dones është anëtare e Shoqatës Zvicerane të Shkrimtarëve (SSV-SSE-SSS).