Bashkim Hoxha: Do doja që libri të lexohej, askush nuk do zhgënjehej

856
Engjëll Musai

Këto ditë libraritë e Kryeqytetit kanë pasur më shumë vizitorë. Dhe arsyeja e vërtetë se përse qytetarët dhe dashamirësit e librit iu kthyen librarive, ka të bëjë me një nga modelet e publicistikës dhe të jetës sociale e politike në Shqipëri, Bashkim Hoxha. Madje ishte kjo arsyeja që gazeta “Telegraf” bashkëbisedoi me mikun e shtypit, artit, letërsisë, kinematografisë dhe emisionit simbol, që na zgjon çdo mëngjes “Koha për t’u zgjuar” nga Bashkim Hoxha. Pse “Gruaja e shiut”, pse i futët në roman artistët që bënë epokë në letërsinë dhe artin shqiptar, pse Marjeta mendon se ka lindur me “fat të vdekur”, pse Nora martesën e kujton si një stinë shiu, pse Natasha trembet nga një flutur kur bën dashuri? Cila nga këto është “Gruaja e shiut”? “Kur ta gjeni, më njihni dhe mua me të”, thotë Arseni K. Pikërisht për këto dhe të tjera ne intervistuam autorin e librit Bashkim Hoxha, i cili na rrëfeu një pjesë të përgjigjeve, në pamundësi për të treguar të gjithë librin, i cili nga sot gjendet në çdo librari të vendit.
Sapo ka dalë në librari romani juaj, “Gruaja e Shiut”. Çfarë përfaqëson në rrugën tuaj krijuese ky roman?
Çdo krijim është i rëndësishëm dhe të gjithë bashkë plotësojnë fizionominë e autorit. Por këtë roman mund ta shkruaja vetëm tani, në këtë moshë, me përvojën dhe njohjet që më ka sjellë jeta në rrjedhën e viteve, kur edhe unë si personazhet jam përballur me tema dhe dilema jetësore. Edhe pse nuk ka asgjë personale në historinë që rrëfehet në roman, nuk di pse e ndjej si krijimin tim më personal, jo aq shumë në historitë dhe rrethanat që jetojnë personazhet, sesa në ndjesinë që përshkon gjithë romanin.
Është ndjesia e përjetshme e kohës që ikën. Në roman ju thoni se shkrimtari Arsen K. u arratis nga letërsia prej tallavasë. Mos doni të thoni, se edhe ju jeni ndjerë i thyer si personazhi juaj nga kaosi i kohës së sotme?

Nuk e di, por i thyer nuk jam ndjerë. Unë sapo kam shkruar këtë roman dhe kjo do të thotë, se nuk jam arratisur nga letërsia.

Atëherë tek cili personazh i romanit e shihni ju veten tuaj? 

Ndoshta tek të gjithë dhe tek asnjeri. Çdo personazh ka jetën e tij të pavarur nga unë si autor.

Në roman vijnë me emrat e tyre realë, mjaft personazhe të njohur: Lasgushi, Kadareja, Ndoc Gjetja, Saimir Kumbaro, Nina Mula, Kadri Roshi. Ata bashkëveprojnë me personazhe që bartin emra letrarë, si Arsen K. Nora, Marjeta, Natasha, Keldi, bashkëveprojnë edhe me shumë të tjerë me iniciale.
 
Përse e keni bërë këtë kombinim?

Sepse personalitetet e njohura kanë qenë pjesë e realiteteve ku kanë jetuar e vepruar edhe njerëzit e tjerë, le t’i quajmë pa emër, kanë ndarë të njëjtin realitet të trishtë apo të gëzuar, kanë ndarë të njëjtin fat të përbashkët në kohë të ndryshme. Përveç të tjerash, personalitetet e shquara i kanë dhënë tonin epokës dhe kanë qenë pika referimi për të tjerët e pavënëreshëm, që kanë qenë po kaq të rëndësishëm në jetën e tyre.
Por edhe tek personazhet e trilluar, unë vura re mjaft histori të njerëzve të njohur.

Në fillim të romanit kam shkruar: “Çdo ngjashmëri me ngjarje dhe persona realë është e rastit”. Megjithatë më mirë këtë mund ta shpjegonte një frazë e avokatit tek romani “I huaji”, i Kamysë. Ai thotë: Çdo gjë është e vërtetë, asgjë nuk është e vërtetë.

Në roman flitet për një poezi të famshme me titullin ‘Gruaja e shiut’. Keni pasur parasysh ndonjë poezi antologjike kur flisni për të?
Ka shumë të tilla. Por në këtë rast më ka shërbyer thjesht për vetë domethënien që ka imazhi i një gruaje në shi me një çadër të shkatërruar. Secili i jep kuptimin e vet dhe kjo ndodh edhe me personazhet e romanit.

A mund të themi se ky është një roman i Fatit?

Po.

Po mund të themi se është edhe roman i zhgënjimit?

Po. Më vjen mirë që e këndvështroni në mënyra të ndryshme. E konsideroj vlerë, nëse këtë mundësi jua ka krijuar romani. Një kolegu im i ri, kineast e ka quajtur atë një roman të përballjeve kulturore. Dikush tjetër thotë se është një roman për mënyrën si e shkruajmë ne historinë. Ka këndvështrime të ndryshme dhe mua më vjen mirë që secili e lexon në mënyrën e tij.

Kjo ndodh edhe për faktin se romani është kompozuar në një mënyrë interesante, si një kombinim i mjaft shqetësimeve dhe këndvështrimeve. A e keni pasur të vështirë të sillni dy kohë, kaq shumë njerëz dhe kaq shumë ngjarje? 
Jo. Ndoshta më ka ndihmuar fakti që jam përqendruar terk historitë njerëzore, që edhe pse shtrihen në shumë vite dhe hapësirë i unifikon ajo që quhet jeta njerëzore, ku fatet e njerëzve herë kryqëzohen dhe herë ndahen.

Një mësuese fshati, një aktore teatri, një parashikuese moti ruse e mbetur e ve në Shqipëri, tre gra të shiut. Përse kjo përzgjedhje?

Është rrugëtimi jetësor i poetit që na sjell këto personazhe, që unë asnjëherë nuk i kam parë me vëmendje, se çfarë profesioni kanë. Më shumë më kanë interesuar simbolika që ato bartin, njeriu i ëndrrës, njeriu materialist i karrierës, njeriu i kushtëzuar nga fati. Po në mënyrë jo të qëllimtë këto personazhe ma kanë krijuar mundësinë për të depërtuar në sfera të ndryshme të jetës, për të sjellë personazhe të kategorive të ndryshme sociale.

Jam kureshtar të di, se cili është Pirro, spiuni i poetëve?

Ai e ka një emër në libër. Pirro.
Po në jetë?

Librat kanë një të mirë. Është lexuesi që personazheve u vë emrat e vërtetë të jetës. Varet nga njohja që ka secili. Le ta emërtojë lexuesi sipas përvojës, nëse e gjen të ngjashmin në këtë roman.

Mua, dikë më kujton Moana e shou bizit. Po kështu Esmeralda, gazetarja mediokre, politikani që i bie dajres. Kam përshtypjen se shumëkush do të gjejë mjaft njerëz të njohur personalisht në këtë libër. Prek shumë sfera të jetës, sjell personazhe të shumtë, psikologji të vërteta, ku historia ngatërrohet me ndjesinë. Unë përsëri insistoj: Në qoftë se nuk jeni ju, çfarë emri do t’i vinit poetit?

Unë e kam bërë pagëzimin e këtij personazhi: Arsen K. 

Prisni sulme nga njerëz, që mund të gjejnë veten në ndonjë personazh dhe nuk do t’u pëlqejë që e keni parë në këtë mënyrë?

Unë do të dëshiroja që romani të lexohet. Pastaj, flasim. Besoj se lexuesit nuk do të zhgënjehen!

Sigal

Publicistika  e
Bashkim Hoxhës

Heronjtë e Viagrës

Romancë në Ditën e
Krimit

Sakrifica

Lakuriq

Ground Zero

Dëshmitari i
Shkretëtirës

Hotel
“Ballkan”

Mbreti i Vesës

Mot i Keq për Dashuri

Fjalë të ndyra dashurie

Njeriu tjetër

Një lolo dhe një mbret

Unë dhe Mefistofeli

Ftesë për gjyq

Këngë dashurie dhe
korba

Qyteti pa dashuri

Ne të gjithë kënduam
Margaritën

Udhëtimi pa vizë i një
alieni

 

SKENARE FILMASH

Valsi i ngrirë në Prishtinë

Kronika e një nate

Një vonesë e vogël

 Në çdo stinë

Një udhëtim i vështirë

Zemrat që nuk plaken