Bardhyl Berberi/ Një dramë mbinjerëzore greke në një fshat të Pogradecit

840
Kosta Tanellari një burrë i moshuar ish-funksionar, një buzëmbrëmje më tregoi një dramë greke të luajtur në një fshat të thellë malor të rrethit të Pogradecit. Ngjarja gati dukej e pabesueshme, por Kosta më propozoi të shkonim vetë pikërisht në fshatin Niçë të takonim njerëz dhe rrugën për në Niçën e thellë malore, e cila gjendet në krahinën e Gorës e kemi bërë që nga Qafë–Panja. Kalojmë njëra pas tjetrës lugina të bukura me male alpine të mbuluara me kurora të gjelbëra të aheve dhe të pishave. Jemi futur në mbretërinë e pyllit. Nga larg dëgjohet zhurma e ndonjë motorsharre dhe të trokiturat ritmike të sëpatës e cila përzihet me këmborët e tufave të mëdha të bagëtive dhe me këngën e pafund të zogjëve. Një simfoni e vërtetë. Shiu që ka rënë e ka harlisur së tepërmi gjelbërimin në këtë pranverë të hershme. Ndalojmë makinën. Burime të pafund me ujra të kristalta që nuk ndjen të ngopur. Në pyll fryjnë erëra dhe korente që vijnë nga larg. Dikur kjo zonë ka qënë një stabiliment i madh sharrtarësh, ishte një qytezë e vërtetë na thotë Petraq Shkëmbi, një bari nga Niça “me këto pyje dhe këtë blektori kemi mbajtur familjet por në vitet e trazicionit ky pyll ka pësuar jo pak dëmtime nga njerëz të papërgjegjëshëm që shfrytëzuan situatën atëherë kur nuk kishte shtet”… Nga çdo familje ka patur një ose dy sharrtarë që punonin në shtet… Papritur lugina me pyje merr fund dhe në këmbët e një masivi të pyjeve shtrihet hija e tyre drejt një peisazhi të gjelbër me kumbulla të shumta, arra dhe mollë e shtëpi… Fshati është i ngjeshur dhe shtëpitë qëndrojnë njëra pas tjetrës të ndara nga ndonjë avlli.
Sigal

Fshati i dikurshëm me 160 shtëpi

Kjo është Niça dikur në vitet 1990 me 160 shtëpi dhe me gati 600 banorë kurse sot ka vetëm 30 shtëpi me rreth 100 banorë. Eksodi e ka zënë edhe Niçën… Në këtë fshat është shumë e lehtë të dallosh ata që kanë ikur. Oxhaqet e tyre jo vetëm që nuk nxjerrin tym por edhe çatitë e atyre që kanë ikur kanë ngelur ende të mbuluara me plloça guri sipas traditës së ndërtimit në Gorë kurse shtëpitë e atyre që jetojnë aty kanë çatitë e kuqe të mbuluara me çati metalike. Niçarët mbahen me blegtori dhe me kurbet. Por ne kësaj radhe në Niçë kemi ardhur për diçka krejt tjetër, kemi ardhur për tu interesuar për jetën e Milto Qefallës, i cili ka ardhur në fshatin e tyre që fëmijë i vogël 7 vjeç dhe aty u rrit, u burrërua krijoi famijen e tij… Takojmë Josif Gjinin, plaku më i vjetër i fshatit, i cili i ka kaluar të 85 vitet e jetës… Ai është një burrë i shtruar, dhe pasi mendohet disa na thotë …- Dëgjo more djalë, fqinji është si vëllai apo motra, i do ose nuk i do ti ata i ke aty në çanak si themi ne nga fshati edhe fqinjin e ke aty për jetë dhe e rëndësishme është që me fqinjin duhet të shkosh mirë se jeta të sjell lloj-lloj të papriturash dhe duhet t`i gjendesh njëri tjetrit… 
Eh, shton Josifi, historia e ardhjes së grekëve në fshatin tonë në vitin 1940 dhe historia e Milto Qefallës duket si një legjendë por është gjithçka e vërtetë… Nga dashuria lind jeta, more bir dhe ne duhet ta duam njëri tjetrin por kohët e reja dhe vrulli që ecim çdo ditë në luftën për mbijetesë sikur i ka zbehur ato tradita dhe atë dashuri e bujari që kemi pasur për njëri-tjetrin sikur është zbehur nga këta të rinjtë. Por le të kalojmë tek Milto Qefalla ose siç i thoshim kur ishim të vegjël Milto greku dhe ai na zemërohej dhe thoshte jo unë jam shqiptar… Ka qënë viti 1939-1940 kur Greqia atëherë ishte përfshirë në një varfëri të tejskajshme dhe ishte shfaqur kriza e bukës, ku shumë njerëz vdiqën nga uria. Prindërit të paaftë për të mbajtur fëmijët i nisnin ata në këmbë në drejtim të Shqipërisë. I tillë ishte edhe rasti i disa djemve të moshës nga 7, 10 apo 15 vjeçare, të cilët nga zonat e thella të Janinës e sidomos nga Konica kalojnë malin e Gramozit futen në Ersekë më pas në Vithkuq–Voskopojë kalojnë në zonën e Gorës dhe më pas nga rruga e vjetër Egnatia mbrijnë këtu në fshatin tonë që kryesisht banohet nga vllehë. Në shtëpinë e Petro Haliçes (Kutelit) u strehuan tre vëllezër grekë. Më i vogli i tyre Miltiadhi vetëm 7 vjeç, shumë i sëmurë nga të paushqyerit me barkun e fryrë dhe dyllë i verdhë. Destinacioni i vëllezërve grekë ishte Myzeqeja apo Berati. Gjëndja e rënduar nuk e lejonte dhe vëllai i madh i tyre Kostandini e la Miltiadhin tek familja e Petro Kutelit, pasi qëndroi tre ditë sëbashku me vëllain tjetër Dhimitrin më pas ata të dy u larguan. Pas një muaj Kostandini u kthye në Niçë, ai Miltjadhin e gjeti të tjetërsuar krejt dhe tepër të kënaqur dhe vetë Miltiadhi nuk pranoi të lëvizte nga Niça se ishte shumë i kënaqur nga familja e Petros dhe veçanrisht nga gjyshja Maga Kuteli. Kostandini shkon në Greqi dhe kthehet pas një viti përsëri në Niçë dhe donte t`i bashkonte të dy vëllezërit, që ta çonte Miltiadhin tek Dhimitri në Berat por ai përsëri nuk pranon por kur shkon tek familja ku e kishte lënë në zonën e naftës siç thotë Kostandini nuk e gjen të vëllanë. Ai ishte larguar pa adresë, që atje ku e kishte lënë i vëllai. Kjo e pikëllon pamasë Kostandinin.

Pas luftës Nacional- Çlirimtare

Pas përfundimit të LANÇ, Miltjadhi mbaron në Niçë shkollën fillore duke qënë një nxënës shëmbullor. Më pas familja ku banonte Miltjadhi, ajo e Petros merrej me blegtori kështu që Miltjadhi fillon të merret më blegtori dhe kishte një tufë të madhe bagëtish nga më të mirat në Niçë. Miltiadhi kishte shpresa pas luftës së dytë botërore se një ditë do të hapeshin kufinjtë, por ata u mbyllën më keq ..Shpresat që Miltiadhi do të takonte familjen në Greqi po veniteshin çdo ditë, madje ai kishte frikë tu shkruante edhe letra se mos i bënte dëm vetes, por edhe familjes së Petros që e kishte birësuar si djalë. Në vitin 1949 në fshatin Niçë erdhën nga Greqia pas provokacioneve greke 40 familje greke nga lufta civile që zhvillohej në Greqinë e veriut. Në këtë kohë Miltiadhi rifreskoi gjuhën greke me grekët e ardhur dhe u interesua për të mësuar diçka për familjen por nuk mësoi gjë. Grekët që kishin ardhur sëbashku me tufat e bagëtive pas tre muaj që qëndruan në fshatin tonë u larguan më pas sepse nuk kishin se me çfarë t`i dimëronin bagëtitë e tyre në dimër … Por, Miltiadhi jetonte me shpresë. Atëherë kur rrinim bashkë Miltiadhi na fliste me dashuri për babain e tij Pandelinë, nënën Vasiliqinë, vëllain e madh Kostandinin, motrën e tij Athinanë dhe për Dhimitrin që i përshkronte të gjithë ashtu siç i kishte lënë. Miltiadhi burrërohet dhe shkon të kryejë shërbimin ushtarak një pjesë në Tiranë dhe pjesën tjetër në Gjirokastër. U kthye nga ushtria më i pjekur dhe më i burrëruar dhe më pas i lindi dashuria për një vajzë fshati pikërisht këtu në fshatin Niçë, me emrin Frosina Petro Spirollari .U fejuan dhe pas një viti u bë dasma e djalit të vetëm të Petro Kutelit,Miltiadh Qefallën …Në momentin e ceremonisë së dasmës a i drejtohet të shoqes së Petros: -Unë kam një nënë që më ka lindur në Greqi, por ti je nëna që më ke rritur dhe më bërë burrë. Miltiadhi krijoi familjen e tij dhe shtëpinë e tij të re duke sjellë në jetë katër fëmijë:,Vasilikën, Kozetën, Kristaqin dhe Piron. Në këtë kohë Miltiadhi punon si gjeolog në fshatin Petrushë të Pogradecit pranë minierës së qymyrgurit. Në këtë kohë malli për familjen e gërryente çdo ditë dhe pasi konsultohet me Kosta Tanellarin në atë kohë me një funksion të rëndësishëm partiak, të cilin e njihte nga fëmijëria vendos ti shkruajë rreth vitit 1970 letër familjes. Letrën e shkroi në shqip dhe më pas e përktheu në greqisht një zonjë e martuar nga Dropulli në Pogradec. E nisën në Greqi letrën. Midis të tjerave Miltiadhi i kërkon familjes në Greqi edhe adresën e Dhimitrit që ndodhej në Shqipëri dhe ai kishte shkëputur lidhjet nga viti 1940… 

Kërkimi i vëllait 40 vjet pa e parë

Mbas 2 muajsh vjen përgjigjja dhe i shkruajnë se Dhimitri është në një qytet të Shqipërisë ku nxirret naftë. Tashmë filloi kërkimi i vëllait të tij Dhimitrit që kishte 40 vjet pa e parë dhe që ndodhej në Shqipëri. Atëherë Miltiadhi sëbashku me Kosta Tanellarin i nisin letra qyteteve shqiptare ku nxirrej naftë si Fier, Ballsh, Patos, Kuçovë dhe Cërrik. Dhe pas pak muajsh vjen një përgjigje se Dhimitër Qefalla nga Pikalla e Greqisë banonte në Kuçovë, ishte i martuar me katër fëmijë, madje jepej edhe adresa e tij në Kuçovë. Ky ishte kulmi i lumturisë. Pas 40 vjetësh ai do të takonte vëllain.U nisën sëbashku tregon Kosta Tanellarin në drejtim të Kuçovës, por më përpara ishte përgatitur takimi nga drejtuesit e Kuçovës të asaj kohe sepse nga gëzimi dhe emocionet e mëdha mund të ndodhte diçka. Dhimitri punonte në ujësjellsin e Kuçovës dhe drejtoresha e ndërmarrjes së ujësjellsit pasi kishte mbritur Miltiadhi në zyrën e saj e njofton që ai të vinte sa më parë në zyrën e saj se një qytetar kishte vërenjte, pasi i ishin dëmtuar tubacionet e ujit të pijshëm. Pas pak minutash mbërrin në zyrën e drejtoreshës Dhimitri. Aty ndodhej Miltiadhi sëbashku me Kostën që e shoqëronte atë. Sapo futet në derë Dhimitri pa në zyrë dy zotërinjtë dhe drejtoreshën. Ai qëndroi një çast dhe iu drejtua drejtoreshës “kush është ai qytetari që ka vrejtje”.- Ja ky shoku , tha ajo… Ata u panë sy më sy për disa sekonda dhe në çast Dhimitri klithi “po ky është vëllaj im moj drejtoreshë”. Skena ishte e paparë tregon Kosta Tanellari, u përqafuan dhe u puthën për disa minuta. Ishin ndarë fëmijë dhe takoheshin burra pas 40 e ca vjetësh… Të dyja familjet e festuan me madhështi këtë ngjarie, madje familja e Dhimitrit erdhi edhe në Niçë për të vizituar vëllain.Vendosën që të bashkohen të dy vëllezrit dhe të jetonin në Kuçovë. Miltiadhi të vinte pranë Dhimitrit, por pengesat burokratike nuk ia lejuan pashaportizimin pranë të vëllait në Kuçovë. Dhimitri vetëm një vit pas bashkimit të dy vëllezërve vdes papritur. Gëzimi i bashkimit të tyre nuk qe e thënë të zgjaste. Më vonë pas ardhjes së demokracisë Miltiadhi shkon sëbashku me të shoqen në Greqi tek dy djemtë e tij dhe kemi marrë vesh se edhe ai para pak kohësh ka ndërruar jetë. Kjo ishte drama e jashtëzakonshme e vëllezërve Miltiadh dhe Dhimitër Qefalla. .