Artur Ajazi: Durrës, universiteti “Aleksandër Moisiu”, qendër e madhe me bazë kërkimi shkencor

70

Flet për “Telegraf” Rektorja e Universitetit të Durrësit Prof.Dr Kseanela Sotirofski

“Univesiteti ‘Aleksandër Moisiu’ një institucion me bazë kërkimin shkencor”

Në një intervistë për “Telegraf” zonja Kseanela Sotirofski, Rektorja re e Universitetit “A.Moisiu” në Durrës, ka renditur disa prej problemeve me të cilat ajo është ndeshur sapo ka ardhur në detyrën e re, arritjet, 10 vjetorin e UAMD, synimet dhe përparësitë e saj dhe stafit të atij institucioni të arsimit të lartë.
Zonja Kseanela ju keni fituar vitin e kaluar garën dhe jeni sot Rektorja e Universitetit “A.Moisiu” në Durrës, cilat janë impresionet e para, problemet , arritjet dhe synimet tuaja?
Universiteti i Durrësit, ka hapur dyert për studentët e parë të tij në vitin akademik 2006-2007, ku , filluan studimet rreth 1 mijë studentë nga i gjithë vendi. Ne sapo kemi kremtuar 10 vjetorin e UAMD, dhe mund t’ju them se, numri i studentëve ka arritur në mbi 15508, nëpërmjet statistikave vërehet dukshëm një rritje e kërkesave, standardeve dhe cilësisë së studentëve. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në gjithë veprimtarinë, ka synuar dhe synon, në mënyrë të vazhdueshme të arrijë standardet akademike bashkëkohore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të përkrahë aspiratat arsimore dhe arritjet e kujtdo që kërkon të përfitojë nga arsimi i lartë. Niveli i kualifikimit në rritje i stafit akademik efektiv, është pikë mjaft e fortë që garanton implementimin me sukses të programeve të studimit në të gjitha ciklet. Cilësia e programeve të studimit të ofruara, ka bërë të mundur që shumica e ish-studentëve të diplomuar, të punojnë duke ushtruar profesionin e tyre në kompani të ndryshme dhe të jenë pjesë e stafit akademik në Universitetin tonë si edhe në universitetet e tjera brenda vendit, duke dhënë kështu, kontributin e tyre në fushën e arsimit të lartë e shkencor. Mësimdhënia është themeli i ekzistencës të një institucioni arsimor dhe për këtë arsye, në UAMD i është kushtuar e gjithë vëmendja e duhur. Si objektivat kryesore, në kuadër të procesit të mësimdhënies, janë identifikuar, pajisja e studentëve me njohuritë më bashkëkohore, përfshirja aktive e studentëve në procesin e të mësuarit, nëpërmjet nxitjes së të menduarit kritik, angazhimi i studentëve në problematikat aktuale, orientimi i studentëve drejt kërkimit shkencor, si dhe zhvillimi i praktikave mësimore për studentët
Si e vlerësoni stafin tuaj akademik, dhe çfarë premtoni për të ardhmen për të bërë diferencën me universitetet e tjera ?
UAMD ka një staf të ri akademik, ndaj fuqia e stafit relativisht të ri në moshë, artikulohet në konvertimet pro-promovimeve më të mëdha në zhvillimin e mëtejshëm akademik. Inkurajimi dhe shpërblimi, në çdo aspekt të misionit të mësimdhënies, si dhe mbështetja drejt hulumtimit e kerkimit shkencor, përbën një tjetër drejtim të rëndësishëm në funksion të cilësisë në fushën akademike. Studentët e diplomuar, konsiderohen pjesë organike e komunitetit të “Aleksandër Moisiu”. Cilësia e marrëdhënieve të Universitetit me studentët që kanë kryer studimet, konsiderohet ndër kriteret bazë të vlerësimit të cilësisë së vetë institucionit tonë. Shndërrimi i UAMD dhe komunitetit “Aleksander Moisiu” jo vetëm në një qendër të madhe të arsimimit e të përfitimit të dijeve gjatë gjithë jetës, por edhe në një qendër të madhe të kulturës, e pse jo në një shkollë të mendimit. Objektivi kryesor i i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, është të synojë të mbetet një institucion elitar i arsimit të lartë në Shqipëri dhe në rajon, në krye të hierarkisë universitare shqiptare, një qendër e madhe e mendimit dhe përgatitjes profesionale e qytetare.
Duke folur në pozicionin e Rektores tashmë, si e vlerësoni nivelin akademik të stafit tuaj ?
Që nga dita e themelimit e deri sot, mund t’ju deklaroj se, UAMD ka njohur vetëm rritje dhe zhvillim në çdo aspekt. Në kremtimet e 10 vjetorit të themelimit të tij, UAMD kishte fatin të vizitohej nga grupi britanik i akreditimit për institucionet e arsimit të lartë , ku në raportin përfundimtar UAMD ka marrë një vlerësim pozitiv, dhe tepër të lartë duke u renditur ndër universitetet me të mira në vend. Nisur nga ky vlerësim mund të them e bindur se qyteti i Durrësit është i privilegjuar, që përfaqësohet denjësisht me një universitet me parametra modernë, bashkëkohor dhe të konsoliduar. Ne mbetemi gjithmonë në zhvillim duke punuar cdo ditë e me shume për përmbushjen e objektivave tona strategjike si dhe në promovimin e universitetit në nivel rajonal e me gjerë .Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, në këtë 10 vjeçar të funksionimit të tij, ka shënuar disa arritje, të cilat kanë sjellë zhvillimin institucional sasior por edhe cilësor. Sot UMD është e përbërë nga 6 fakultete, Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Shkencave Politike Juridike, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën , Fakulteti i Studimeve Profesionale, Fakulteti i Teknologjisë dhe Informacionit. Në të pestë fakultetet ka një gamë të gjerë programesh studimi. Sot UAMD ka 45 programe bachelor, 28 master shkencor dhe profesional dhe katër programe doktorale. Ndër veçoritë e UAMD-së mund të përmendim: Funksionon sipas parimit të kartës së Bolonjës që në ditën e parë të krijimit të tij; Sistemi i krediteve është i shprehur edhe sipas sistemit amerikan të krediteve. Sistemi i vlerësimit me notë, përveç se sipas sistemit shqiptar është I shprehur edhe sipas sistemit amerikan të vlerësimit. Diploma dhe suplementi i diplomës lëshohen në dygjuhë anglisht dhe shqip, gjë që lehtëson lexueshmërinë e tyre në mbarë botën, duke lehtësuar edhe integrimin e studentëve dhe të diplomuarve në tregun e punës apo në vazhdimin e studimeve të thelluara në universitete të tjera. Ka në strukturën e tij dy fakultete që janë risi në gjithë sistemin e arsimit të lartë në vend: Fakultetin e Studimeve profesionale, i cili është ekuivalenti i Community College dhe FASTIP, i cili, përfaqëson modelin e akademive profesionales tonë Gjermani të njohur me emrin “berufsakademie”. Është një insitucion që mundohet të përthithë në strukturën e vet staf të përgatitur, të kualifiuar në universitete perëndimore. Ka në filozofinë e vet të punës studentin në qendër të vëmendjes. Procedurat administrative por edhe mësimdhënia kanë në thelbin e tyre “studenti në qendër tëe vëmendjes”. Universiteti i Durrësit, megjithëse ka vetëm dhjetë vjet që funksionon, ka qenë shumë aktiv në projektet ndërkombëtare evropiane, duke i dhënë kështu një mundësi institucionit të modernizohet, të krijojë kapacitetet e duhura dhe të ketë një rrjet të gjerë partnerësh evropian me të cilët të bashkëpunojë në të ardhmen. UAMD ka pasur një partneritet të vazhdueshëm me biznesin, të cilin kërkon ta zhvillojë edhe më shumë. Kjo është shumë evidente tek Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën ku ka një partneritet të ngushtë me biznesin. Që në ditën e parë të krijimit të tij, falë filozofisë dhe misionit të qartë që kishte ky universitet, punoi për të afruar komunitetin durrsak në çdo qelizë të punës së tij. UAMD ka një partnerit të shkëlqyer me Bashkinë, me Qarkun, me autoritetin portual, me Dhomën e Tregtisë dhe industrisë, pra me ato që janë epiqendra e zhvillimit të qytetit. Po ashtu UAMD ka bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha institucionet dhe bizneset që kanë dashur të bashkëpunojnë për projekte, për ide të reja dhe bashkëpunime të natyrave të ndryshme. Për mua ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që në 10 vjetorin e UAMD-së kishte pjesëmarrje nga i gjithë komuniteti durrsak, që nga OJQ-të, autoritetet, mësuesit, njerëzit e kulturës dhe biznesi. Të gjithë duhet të kuptojnë se ky universitet është i gatshëm të punojë me të gjithë ata që duan të sjellin zhvillim, po ashtu duhet të gjithë të jemi të qartë se nëse ne nuk bashkëpunojmë do jetë e vështirë të mbijetojmë në kohët e një tregu global.
Cilat janë disa prej objektivave të punës tuaj si Rektore e UAMD ?
Unë jam e bindur se UAMD është përpara sfidash të shumta, ndaj dhe unë si Rektore e tij bashkë me stafin tij natyrisht, kemi objektivat tona, të cilat janë pjesë e strategjisë së zhvillimit të institucionit. Këtu mund të përmendim, shndërrimi i universitetit në një institucion me bazë kërkimin shkencor. Kjo do të thotë se institucioni nuk do të ketë mësimdhënien si aktivitet bazik, por kërkimin shkencor me të njëjtën peshë. UAMD duhet të jetë një aktor thelbësor në zhvillimin e rajonit. Në këtë kontekst kërkimi shkencor duhet të përshtatet ne nevojat dhe strategjitë e zhvillimit të rajonit por edhe të vendit. Në vitet e ardhshme synimi i universitetit, nuk do të jetë më zhvillimi sasior por zhvillimi cilësor i tij, duke nënkuptuar këtu rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe sigurimit të cilësisë në mësimdhënie. Gjithsesi rezultatet tona do të jenë vlerësimi më i mirë për ne, larg oratorisë boshe, pranë gjërave konkrete, pranë arritjeve cilësore , shkencore, bashkëkohore.
Ju Faleminderit
Faleminderit ju dhe gazetës tuaj “Telegraf”!.