Ansambli “Skampa”, grupi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Greqisë

845

INTERVISTA/  Flasin dy drejtuesit e ansamblit “Skampa”:  Blerim Narazani dhe Ruzhdi Veshi

Me ansamblin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, i cili përbëhet nga artistë shumë të shquar, me një trupë baleti shumë profesionale, me këngëtarë shumë cilësorë, djem e vajza të rinj, me valltarë shumë cilësorë, u njoha para disa ditësh. Sipas drejtuesve, Blerim Narazani dhe Ruxhdi Veshi, Ansambli ka marrë pjesë në shumë festivale lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare siç ishte rasti i fundit në pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar në edicionin e 11-të që u zhvillua në qytetin e vogël Elasona të Greqisë, një qytet i mbushur me histori, i cili shtrihet shumë pranë malit të Olimpit, që është vendlindja  e perëndive greke. Kjo pjesëmarrje ishte shumë dinjitoze, pasi aty kishte 59 grupe që vinin në kohështrirje të ndryshme, pas 5 apo gjashtë ditësh për arsye të pjesëmarrjes së lartë dhe kohës së gjatë të zhvillimit të Festivalit afërsisht një muaj.  Në përditshmëri çdo trup bënte prezent të gjithë repertorin e saj në një qytet shumë afër Elasonës, ku për çdo ditë kishte seleksionim deri në finale.

 Sa grupe arritën në finale të këtij Festivali, ku ju arritët një rezultat të shkëlqyer?

Në finale arritën katër grupet më të mira, të cilat u përzgjodhën nga një juri shumë profesionale. Pra, në këtë finale u përzgjodhën dy grupe greke, një peruane dhe ansambli ynë “Skampa”. Në fund të festivalit, Ansambli ynë u shpall dhe grupi më i mirë i këtij kompeticioni. Dua  të theksoj se, ky është kompeticioni më i rëndësishëm në Europë prej 19 vitesh dhe quhet Festivali Internacional i Muzikës dhe i Dancit Botëror.

 Sa zgjati koncerti i ansamblit tuaj?

Në ditën e parë të festivalit, Ansambli ynë, zhvilloi një koncert rreth një orë.  Pra një koncert të plotë mjaft të kompletuar.

 Çfarë e dalloi koncertin tuaj apo ansamblin nga ansamblet e tjerë në këtë kompeticion kaq serioz?

 Ajo që e dalloi ansamblin tonë ishte se ne kishim  repertor nga të gjitha trevat e rëndësishme të Shqipërisë, repertor që nuk e ka asnjë ansambël apo shoqatë kulturore. Pra ne në këtë Festival nuk sollëm vetëm Elbasanin, por sollëm tërë Shqipërinë ndaj dhe patëm një sukses të padiskutueshëm. Kemi valle tropojane, “valle e shqipeve” që e ka vënë në skenë i madhi Panajot Kanaçi, kemi vallen e famshme devolliçe, vallen më të bukur të trevës së Elbasanit atë të Dumresë, si dhe vallet e traditës së Shqipërisë së mesme, kolazh me motive të ndryshme dhe vallen e famshme të Librazhdit. Pra kishim në program, apo në repertor 6 valle. Nuk ishin pak në krahasim me të tjerët.

 Çfarë risie tjetër kishit si ansambël?

Risi tjetër ishte dhe kostumografia jonë, ku të gjitha veshjet ishin sipas trevave për të cilën interpretohej kënga ose vallja. Edhe këngët ishin shumë karakteristike, si këngët e Shqipërisë së Mesme, që janë këngët e Isuf Myzirit, mjeshtër i këngës popullorë qytetare elbasanase, Aleks Vini, etj.. Ne kryesoheshin në këtë festival nga këngëtari i mirënjohur Medi Zena. Ndërsa këngët korçare dhe të Shqipërisë juglindore këndoheshin nga këngëtarja me shumë të ardhme Silvana Hysaj. Kishte dhe këngë në formë kolazhesh popullore, ku nuk mund të lë pa përmendur dhe kabatë me klarinetë, të interpretuara me mjeshtëri nga instrumentisti i talentuar i Elbasanit Kastriot Zylali, etj.. Elbasani dallohet në vite për këngëtarë dhe për instrumentistë virtuoz, të zotë dhe kjo tashmë kjo ka fituar një traditë falë këmbënguljes së koreografëve, falë punës së instrumentistëve, këngëtarëve. Ne tashmë në qytet kemi pesë koreograf që kanë sjellë krijime të reja dhe kjo bën që të kemi larmishmëri vallesh, por dhe shumë dendësi që na bën me repertor të pasur. Grupi ynë mund të bëj katër premiera në vit që është e rrallë sot. Këto bëhen me donacione por dhe në mënyrë vullnetare falë pasionit  të këngëtareve të reja, valltarëve të rinj, apo instrumentistëve të rinj.

Çfarë interpretime të tjera keni në ansambël?

Kemi dhe interpretime të këngës klasike, të cilën e drejtoj vetë, pasi kam mbaruar shkollën për dirigjim orkestër të harqeve, ka muzikën e lehtë, artet figurative, ka trio kuartete, ka formacione të tjera. Ne menaxhojmë dhe jetën artistike të qendrës së artit, si dramat, komeditë. Estradën që bën Pallati Kulturës.

Në sa vende të botës ju kanë ftuar për festivale apo konkurse?

Kemi 5 vjet që drejtojmë këtë Ansambël dhe së bashku me kolegun Ruxhdi Veshi, kemi marrë pjesë në shumë Festivale në Ballkan dhe në Europë. Këtu do të veçoj pjesëmarrjen në Festivalin e Napolit të Selanikut, Festival Ballkanik, në Veria të Greqisë kemi marrë pjesë në dy takime, kemi marrë pjesë në të gjitha festat kombëtare që zhvillojnë shqiptarët e Kalkidhiqisë në Greqi.  Kemi marrë pjesë në festivalin e Tuzit në Mal të Zi që është më i madhi pas atij të Gjirokastrës. Në Festivalin e Drenicës (Drenas) të Kosovës që zhvillohet njëherë në katër vjet. Kemi marrë pjesë në Festivalin Botëror të muzikës, Sagrada Gorrica në Itali dhe në shumë vende të tjera, në Maqedoni (disa qytete).

 Ruzhdi Veshi (valltar, koreograf)

Cili është pozicioni juaj në ansamblin “Skampa”?

 Unë jam koreograf dhe valltar në këtë ansambël. Pra unë jam koreograf i shumë prej këtyre valleve që janë interpretuar, por në disa valle interpretoj dhe vetë. Në Festivalin e Greqisë, ku ne zumë vendin e parë, ballët zunë vendin kryesor. Në këto interpretime unë shihja me shumë vëmendje lojën e valltarëve. Në të gjashtë vallet unë pashë një lojë të shkëlqyer, me disiplinë,  duke  u përmbajt në folklorin shqiptar dhe duke vënë në skenë me përpikëri atë çka unë u kam thënë në prova.

 Çfarë ke pas parasysh në shumëllojshmërinë e valleve?

 E para lëvizjet burimore që janë baza e një valleje. Kam pas parasysh gjeografi-shtrirjen e valleve, duke filluar që nga vallja tropojane, duke marrë për bazë, traditën, lëvizjet.  Njëkohësisht unë vura në skenë dhe “vallen e shqipeve” që e ka vënë në skenën i madhi Panajot Kanaçi (koreografi e tij), kemi vallen e famshme devolliçe, vallen më të bukur të trevës së Elbasanit atë të Dumresë, si dhe vallet e traditës së Shqipërisë së mesme, kolazh me motive të ndryshme dhe vallen e famshme të Librazhdit.

 Ku e keni mësuar profesionin e bukur të koreografit?

Unë në fillimet e mia kam qenë në Shtëpinë e Pionierit në Elbasan, ku kam marrë mësimet e para si valltar, por në vitet e para të demokracisë, unë kam takuar të madhin Panajot Kanaçi aty, i cili për tre muaj më ka dhënë mësim special. Ai më fali çdo gjë me dëshirë duke parë talentin tim si valltar, por dhe dëshirën e madhe për t’u bërë koreograf.

 Cilat ishin të veçantat e Panajot Kanaçit?

 Ai ishte një njeri dhe koreograf i përmasave botërore. Kur shikoje atë si luante në mënyrë virtuoze, s’e besoje se ç’moshë kishte. Njeriu i madh duket dhe çfarë të jep. Ai atë çka dinte ta jepte me zemër, pa lutje. Një fabul të re që gjente ai dinte se si ta çonte në veshin dhe këmbët e valltarëve. Fabulat ai i kishte simbolike dhe me anë të figuracioneve ai donte ti thoshte valltarit që me kërcimin tënd duhet t’i thuash publikut, se çfarë tregon kjo fabul dhe çfarë përmban kjo histori. Përcillte çfarë tregon ky figuracion. Ai më dha çdo gjë pa doreza, me dëshirë, pasi donte që profesionin ta transmetonte. Një tjetër koreograf tjetër që më dha mësimet e para ka qenë Skënder Verçani, i cili kur mbaroi shkollën e lartë e caktuan koreograf në Elbasan. Isha 9 vjeç kur ai erdhi tek ne në Shtëpinë e Pionierit dhe më mbajti shumë afër.

 Cilat valle janë krijime koreografike tuajat?

Vallja “Mall për Çamërinë” , “Pavarësia e Kosovës”,  “Valle me motive të Elbasanit”, të cilat i kam vënë në skenë me ansamblin “Skampa” ku unë kam valltarët e mi, të cilët më dëgjojë dhe kanë harmoni.  Dua të them se unë kam qenë valltar, por dhe daullexhi, pasi Skënder Verçani e vuri re këtë dëshirë apo prirje timen.