1 Prilli, prejardhja dhe historia e ditës së gënjeshtrave

803
Në Evropë, sikurse edhe në Shqipëri, 1 prilli njihet gjerësisht si dita e gënjeshtrave apo më mirë dita e shakave. Kjo shaka, që përsëritet çdo vit, sipas historisë ka nisur nga romakët e lashtë, të cilët në këtë datë festonin një festë luksoze për nder të perëndeshës Venus.  Një shpjegim tjetër është ai i parlamentit të Augsburgut i vitit 1530, me anë të të cilit duhej të unifikohej i gjithë sistemi monetar. Një prilli u caktua si dita e posaçme e monedhës, por që pak orë para kësaj dite u shty, kështu që shumë persona i humbën paratë e tyre dhe për këtë u tallën dhe u përqeshën. Por më e besueshmja është se shakaja e 1 prillit vjen nga mbreti francez Karli IX. Kur reformoi kalendarin gregorian në 1564, ai e kaloi në datën 1 janar festën e Vitit të Ri, që deri atëherë festohej më 1 prill, por që shumë vetë deri atëherë nuk e kishin marrë vesh. Ata pastaj, prej atyre që e dinin, uroheshin në prill për vitin e ri, që në fakt ishte i vjetri. 
Në kohët e hershme shakatë ishin krejt ndryshe. Kështu, ai që gënjehej dërgohej ndonjëherë në një udhëtim të gjatë për të marrë diçka që nuk ekzistonte. Në shekullin e 17-të dhe 18-të kishte rregulla të qarta të shoqërisë, mbi të cilat ishin të bazuara shakatë. Kështu një i rritur mund të bënte shaka me një fëmijë, por një fëmijë nuk mund të bënte patjetër shaka me një të rritur. Ata që e kanë bërë edhe më të këndshme ditën e gënjeshtrave janë edhe mediat. P.sh. rrjeti televiziv “BBC” në 1 prill 1957 publikoi një kronikë sipas së cilës fshatarët zviceranë korrnin makarona nga pema. Sipas sociologëve e psikologëve, në jetën e përditshme, shakatë janë bërë të rralla, kjo për shkak të presionit dhe ritmit të punës. Ata që ende sot e kësaj dite e festojnë në mënyrën më të këndshme ditën e shakave apo gënjeshtrave janë francezët.
Sigal