Ani Laze 16 vjeçarja që po triumfon në botë

1816
Sigal

Vetëm 16 vjeç, por numëron 6 trofe në skena botëerore si në Gjeorgji, Antalya, Turqi, Maqedoni, Shqipëri etj,. Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” na rrëfen për suksesin e madh vetëm përgjatë një viti.

Jeni vetëm 16 vjeç dhe në CV-në tuaj artistike numëroni shumë suksese. Çdo të thotë kjo për një vajzë të moshës suaj?

Mund të them që është një ëndërr e bërë realitet, pasi gjithmonë kam ëndërruar të jem e suksesshme në çdo fushe të jetës time. Që herët në fëmijërinë time më pëlqente të isha një ndër më të mirët në kopësht, shkollë, aktivitete dhe rrethe shoqërore. Padyshim që kjo kërkon punë, përkushtim, por nëse nuk ke vullnet dhe dëshirë për të realizuar qëllimet e tua, asgjë nuk të serviret e gatshme në një pjatë të argjendtë.

Si ka startuar rruga juaj drejt skenës dhe modelingut?

Jam 16 vjeç dhe më pëlqen shumë modelingu. Isha duke menduar të merrja pjesë në një konkurs bukurie, por ende skisha vendosur asgjë. Derisa një ditë në shkollën time kishte ardhur producentja e njohur Albana Çakshiri e cila më dha një ftesë në dorë për të qënë pjesë e garës Miss&Mister Children Poliçani. Gjithçka duket se erdhi në kohën e duhur, pasi ftesa ra në dorën time atëherë kur unë isha duke menduar për gjëra të tilla dhe si thotë nëna ime gjithmonë “Ç’ka shkruar Zoti se ndryshon dot robi”, kësaj here Zoti kishte shkruar për mua që të ngjitesha në skenë, dhe ti përkushtohesha modelingut. Pikërisht, për herë të parë në qytetin tim të vendlindjes Poliçanin, në skenën që e doja aq shumë ku isha rritur duke kënduar, kërcyer, recituar nga mosha 3 vjeçare e deri ditën që u rrita dhe shkela po në atë skenë por kësaj here si modele e më pas në skena të mëdha ndërkombëtare.

Kur është eventi juaj i rradhës dhe në cilën skenë botërore do t’iu shohim së shpejti?

Ftesat janë të shumta por eventi im i radhës do të jetë në Milano në muajin tetor, ku do të zhvillohet Java Ndërkombëtare e Modës, në të cilën do të jem pjesë. Gjithashtu do të realizoj një sesion fotografik që më nevojiten në prezantimin tim profesional. Sigurisht që unë tashmë jam modele zyrtare e agjensisë Albania Event Production dhe ftesat i kam të shumta. Gjithsesi të mos flasim shumë, por të ruajmë disa surpriza, të cilat do t’ia u bëj të ditur në momentin e duhur.

Çdo të thotë për ju të jesh pjesë e botës së spektaklit, pasarelave, a ekzistojnë vështirësi apo paragjykime për shkak të mentalitetit?

Të jesh pjesë e botës së spektaklit për mua është një emocion, përgjegjësi, dinjitet dhe krenari gjithashtu. Është mirë që bukuria fizike të ndërthuret me atë shpirtërore. Prezenca ime në skena botërore do të thotë të njohësh kulturën, traditën e vendeve të ndryshme të planetit ku jetojmë, të krijosh njohje dhe miqësi të shumta, por dhe të përshtatesh më së miri me to. Pasarelat janë ëndrra, ti shkel në to dhe shfaq më të mirën nga vetja dhe nga vendi yt, pasi duhet të prezantohesh me dinjitet. Vështirësi padyshim që ka sidomos kur je në marrëdhënie me shkollën, shkëputjet prej saj bëjnë që kur të kthehem të punoj fort pasi nuk dua të le pas dore asnjë pjesë të jetës time. Përsa i përket paragjykimeve ato janë pjesë e jetës sonë. Janë paragjykime për shkak të mentalitetit le të themi se kudo ekzistojnë, por kur ke mbështetjen familjare dhe rritesh me një kulturë ku gjithmonë vlerësohet arti e bukura, nuk është problem për tu shqetësuar.

Përveç suksesit skenik, ju kemi parë dhe si pjesë të jurive profesioniste në garën Miss&Mister Children në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Si ka qene kjo eksperiencë në panelin e gjykimit dhe vlerësimit?

Të jesh pjesë e një jurie profesioniste në një garë fëmijësh është padyshim përgjegjësi e madhe, pasi fëmijët janë të bukur, por shpirti i një fëmijë është akoma më shumë. Vetë bota e fëmijëve është e bukur. Ata janë e ardhmja dhe kanë ëndrra të dlira, por jurisë i takon të vlerësojë më të mirët sepse rruga e artit në tërësi dhe fusha e modelingut në veçanti kërkon punë pafund, kështu që vlerësimet shkojnë për ata që brenda tyre kanë talent modelingun. Padyshim që mundohem t’i stimuloj të gjjthë pa i hequr të drejtën askujt.

Si është dita e një vajzë të suksesshme me shumë trofe, famë dhe fansa?

Unë jam një vajzë modeste që vazhdoj të kem të pandryshuar jetën time pavarësisht suksesit me shoqërinë, shokët e shkollës. Është e vërtetë që në një vit kam fituar famë, trofe dhe fansa, por sërish jam e njëjta vajzë që më pëlqen të studioj, lexoj pse jo dhe të punoj. Kaloj një kohë të mirë me miqtë dhe shokët e mi. Jam me këmbë në tokë, për të përmbushur sfidat dhe ambiciet e mia profesionale dhe shkollore.

Përveçse e suksesshme në pasionin tuaj për skenën, ju jeni një nxënëse me rezultate të shkëlqyera. Cili është profesioni që do të zgjidhni apo do t’iu shohim në botën e modës?

Shkolla dhe mësimet janë objektivi im parësor. Në asnjë mënyrë nuk do të anashkaloja arsimimin tim edhe pse më pëlqen suksesi në profesionin tim.

 

Faleminderit!