Adem Harxhi:Ja si i kam njohur Kadarenë dhe Agollin

651
Sigal

INTERVISTA/ Flet doktor Adem Harxhi: Ismail Kadareja është produkt i punës së tij, Dritëroi produkt i popullit

Ja si i kam njohur Kadarenë dhe Agollin

Albert ZHOLI

Ai ruan kujtimet më të bukura për dy figurat më të shquara të letërsinë shqipe Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Dhe pse jeta i ka ndarë në profesione të ndryshme doktori ka qenë dhe mbetet një njeri i dashuruar me letërsinë dhe me librin. Me dy ikonat e letërsisë shqipe ai është njohur në vitet e vegjëlisë por në bisedë këto kujtime i vijnë të freskëta sikur të kenë ndodhur sot.

Ku jeni njohur me Ditëroi Agollin?

Në Gjirokastër. Dritëroi ka mësuar në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Ai ka qenë dy vjet më i madh se unë. Dritëroi, Gaqo Veshi, Agim Shehu, Bekim Harxhi, Ismaili kemi qenë në një rreth letrar ku kryetar të këtij rrethi kemi pasur Dritëroin jo vetëm si më të madh,e por në atë kohë ai ishte më i miri si letrar.

Çfarë kujtimi të veçantë keni me Dritëro Agollin?

Në periudhën e shkollës nuk kam pasur ndonjë episod të veçantë, por kam pasur më vonë. Ishte një festival ose siç quhej Festivali Kombëtar Folklorik i Gjirokastrës. Unë atëherë isha Drejtor i spitalit të Gjirokastrës. Në këtë Festival kishte ardhur dhe Dritëro Agolli. Sekretar i Parë në Gjirokastër ishte Rrapo Dervishi, ndërsa Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, Nedin Hoxha. Isha në gjumë kur më bie zilja e telefonit në shtëpi. Ishte mesi i natës. Mendja më shkoi për keq. Në telefon ishte Rrapo Dervishi. Pa më pyetur për asgjë më thotë, doktor na dërgo një mjek këtu, se po na vdes Dritëroi. Pse çfarë ka?, e pyes. ‘Mor po ka pirë shumë dhe po ha qelqet. Nxito mos e merr me shaka’. -Po bën shaka i them. -Jo, or jo por pa ha gotën e ujit! Nisa një mjek me urgjencë. Ndërsa njëherë në një gëzim feste e kam parë që i vuri flakën gotës së rakisë dhe filloi ta pinte. Këto dy momente i them, sepse Dritëroi e do rakinë dhe rakia është pije tipike shqiptare. rakia është pije popullore dhe Dritëroi se ngatërron me pijet e tjera. Ai e thotë vetë ‘e dua atë të uruar!’. Sepse është i tillë, popullor, ndaj dhe e do populli, ndaj dhe i thonë poet popullor. Kam respektin më të veçantë për të. I uroj me gjithë zemër ditëlindjen dhe të rrojë sa të dojë në të mirë të letërsisë shqipe!

E veçanta e Dritëroit sipas mendimit tuaj?

Dritëroi është poet dhe shkrimtar popullor babaxhan. Ai është produkt i filozofisë popullore. I mendimit popullor. Fjala e tij është fjala e popullit e ngritur në art. Me Ismail Kadarenë kam qenë në shkollë 7-vjeçare në një klasë. Me Kadarenë kemi lindur dhe në një muaj, në Janar.

Ç’do të thuash për Kadarenë?

Kadareja është produkt i punës së tij. Kjo në kuptimin se ne

të gjithë luanim futboll ,të gjithë në fushë të sportit. Ismaili shkonte në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës dhe lexonte dhe, vetëm, lexonte. Ai lexonte dhe romane të ndaluara për kohën që i rrëmonte rrëzave të bibliotekës dhe të nesërmen na i tregonte të gjitha sikur të kishte shirit magnetofoni. Lexonte sikur i hante librat, ndërsa ne na i tregonte si përralla. Këtë dua të them, se ai është produkt i punës.

Si e kujton Ismailin si krijues?

Si e kujtoj? E kujtoj si Kadare, si Ismail, të padiskutueshëm në letërsi. Hartimet e tij mësuesi i varte në ‘Gazetën e murit’ të shkollës. Hartimet e tij lexoheshin me shumë ëndje. Për letërsinë ai ishte i prerë dhe i prerë. Kishte pak natyrë të mbyllur, akujt nuk i binte në qafë dhe i shmangej sherrit., ne zhgërryheshim kudo, loznim edhe ziheshim, ai ishte botë me vete. Nuk ishte aktiv në lojëra, por shumë aktiv në lexime. Vinte i ndrojtur, por i sigurt. Pra kur ne loznim ai lexonte.

A ka bërë ndonjë çapkënllëk për kohën?

(Qesh). Njëherë në fabrikoi apo falsifikoi një monedhë. Dhe pati pasoja.

Në ç’kuptim?

E thashë që ishte shumë i zgjuar. Ne atëherë gjenim bateri të makinave të hedhura nëpër rrugë. Të vjetra të pa përdorshme. Ato i gjenim nëpër sheshe apo buzë rrugës. Ato kanë plumb. Ne i merrnim plumbat e baterive dhe i shkrinim. Ç’bëri Ismaili?! Mori nga ato kaçolet ose tapat metalike të birrave vendoste poshtë një monedhë hekuri dhe mbi të derdhte plumbin. Plumbi merrte formën e lekëve metalikë të asaj kohe. Kjo aventurë u përhap në gjithë shkollën dhe vajti deri në veshin e Degës së Brendshme. Askush s’e merrte me mend se ç’gabim bëhej. Thjesht ishte një lojë. Ismailit i tërhoqën vëmendjen për këtë lojë dhe ne të gjithë hoqëm dorë. Sepse kjo u quajt falsifikim. Atëherë ishim 13 vjeç.