Sigal

Prof.Dr.Ing Edmond Pinguli

Është  kënaqësi e veçantë për  të gjithë ne sot , që  na jepet mundësia  për të shprehur  me krenari dhe dinjitet konsideratën e lartë për një nga figurat e mëdha intelektuale  dhe me emër   të madh  në fushën  e inxhinierisë  së Ndërtimit , për Pro,Dr.Ing. Kiço Negovani , i cili  ndërroi  jetë  në moshën 93 vjeçare në 11.07.2018 në Amerikë. Ai dha një kontribut të çmuar  në zhvillimin  bashkëkohor  të arsimit të lartë  në Shqiperi .  Euripidi thoshte : “ Kurrë mos u lodh  për ndihmën , që jep atdheut”. Ai është përfaqësues i denjë i asaj klase intelektuale, e cila me vullnet,  pasion, dashuri, këmbëngulje dhe përkushtim, përballoi me sakrificë dhe vetmohim, sfidat më të forta që kombi ynë ka  kapërxyer  me sukses gjatë gjithë  ekzistences  historike të tij të lavdishme në shekuj. Dhe pikërisht  atë  të programit madhështor mbarë kombëtar të arsimit. Kjo luftë titanike u bë realitet, duke qenë e pranishme  kudo  sot . Drita e saj rrezatohet me forcë në çdo skaj të atdheut tonë të dashur, duke mbështetur çdo celulë të zhvillimit politiko-shoqëror dhe tekniko-ekonomik të tij. HEGEL thoshte : “Inelektual i vërtetë është ai që i përkushtohet kombit”. Ky bir i  çmuar  dhe i thjeshtë i familjes së tij me tradita të mëdha patriotike, e cila ka lënë gjurmë gjaku të thella dhe të pashlyeshme, në historinë e përhapjes së arsimit të parë në gjuhën shqipe, tregoi me veprimtarinë e gjithë jetës së tij, se ai u bë një luftëtar i flaktë i mbështetjes së zhvillimit të arsimit të lartë. Prof. Negovani  ruajti me fanatizëm dhe çoi më përpara këto tradita të shenjta të familjes  se tij , duke treguar edhe një herë, se ai është një pasardhës i denjë me përmasa poliedrike i një mësuesi, luftëtari dhe martiri të paharruar të popullit tone.

Vlerat e tij sa fisnike aq edhe mëmëdhedashëse, si dhe gjaku i tij që shërbeu si ushqim në kandilin e dritës, u bë simbol i kësaj drite. Ai ndriçoi  me madhështi erresirën  e plotë , duke  zënë  vend  sa të çmuar, po aq dhe të pa shlyeshëm , në altarin  e historisë  së përhapjes së shkrim-këndimit të gjuhës tonë të bukur dhe të lashtë amëtare.  Amaaneti i këtij  atdhetari të shquar , martir i përhapjes së gjuhës shqipe “Papa  Kristo  Negovanit”, ishte: “Mua më vrisni, po gjakun ruajeni , sepse ai do t’u  duhet , për të shkruar  gjuhën e bukur shqipe”.  Horaci  thoshte se : “Është  kënaqësi dhe nder  të vdesësh për atdhe , por edhe më kënaqësi  është  të jetosh për të”. Në këtë piedestal monumental madhështor e meriton , të ketë një vend të nderuar përgjithmonë  edhe mësuesi jonë i dashur, i çmuar  dhe i pa harruar  PROF. NEGOVANI, nipi i denjë i një njeriu të martirizuar për këtë qëllim , heroit të paharruar dhe luftetarit trim , “Papa  Kristo  Negovanit”.

I.A.DAMASKIN thoshte se : “Në kujtesën e popullit atdhetarët janë të pavdekshëm”.

Nga historia e popullit tonë kanë dalë shumë figura sa të shquara po aq edhe të çmuara , të cilët me veprat dhe  punën e tyre kanë treguar, se ky vend i lashtë ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë përfaqësues të denjë për potencialin energjitik, mendor si dhe për fuqinë e tyre shpirtërore, në nivelet më të larta të prodhimit gjenerues të racës njerëzore. Ata kanë mbetur gjithmonë monumente të gjalla të një pune titanike. Ky është  një mësim  i madh sa historik  po aq dhe filozofik , i cili tregon  edhe njëherë  shumë qartë , se shoqëria nuk duhet të harrojë  vlerat e saj , të prodhuara në kohë. Ky popull shquhet për zgjuarsi natyrale, duke u renditur në elitën e kombeve me inteligjencë të lartë. Kjo është një pasuri kombëtare me vlera të pa llogaritëshme, e cila duhet ruajtur me fanatizem, por njëkohësisht duhet shfrytëzuar me efektivitet maksimal, në dobi të zhvillimit dhe përparimit me ritme të larta të vendit. Gjithashtu ne duhet të kujdesemi për të vazhdimisht, duke e zhvilluar dhe propaganduar në mënyrë që të kryejmë një punë të mirëfilltë edukuese, për brezat që vijnë. Ne nuk jemi të pasur , që t’i biem me shqelm kësaj pasurie, sepse një ndër parimet bazë të përparimit cilësor të shoqërisë moderne, i shprehur simbolikisht, është se që shkretëtira të kthehet në një oaz begatie, duhet të  zbatohet me koseguencë ekuacioni matematik i thjeshtë në dukje, por i vështirë në zbatim, i cili përmban nga njëra anë “mëndjen e  ndritur” dhe nga ana tjetër “punën vetmohuese”. Ne nuk duhet të lejojmë, qëndrime të pa përgjegjshme, si ato të rjedhjes së trurit, siç po  ndodh  edhe  sot, por duhet të krijojmë me çdo kusht kondita të favorshme në këtë drejtim. Duhet të ngrihemi me forcën e dinjitetit tonë kombëtar, patriotik dhe intelektual, që t’i pritet rruga kësaj të keqeje të madhe, e cila ka marrë përmasat e një sëmundjeje  galopante. Në këtë vend sa të bukur aq edhe të pasur ka vend për  të gjithë,  që të jetojnë mirë. Po t’i referohemi historisë tonë të vjetër dhe të re, do dallojmë  menjeherë lakminë e madhe të vendeve të tjera, për ta pushtuar atë dhe për ta shfrytëzuar atë. Pikerisht  këto kanë qënë  mendimet , sygjerimet , shqetësimet dhe detyrimet , që mësuesi i jonë i madh i tregonte  me përkushtim . Atij i dhimbsej atdheu i tij  dhe populli i tij , se trishtohej  kur shikonte  në çfarë  gjendje  ai ndodhej . Sot ne po nderojmë me dashuri dhe respekt të thellë luftëtarin e madh, patriotin e madh, shkencëtarin e madh, mësuesin e madh dhe mbi të gjitha njeriun e madh. Ai është i vetmi “DEKAN” nga të gjithë ata, që u emëruan në  vitin 1957, me  krijimin e “UNIVERSITETIT TË TIRANËS” deri sot , duke shtuar akoma më teper , nderimin dhe konsideratën  për të. Kujtimi i tij do të mbetet i pa harruar në breza, duke u ngritur në piedestalin memoral të figurave më të çmuara të popullit tonë. GEORGES RADET thoshte :  “Përtej muzgut të vdekjes vepra e një njeriu gjeni qëndron në shekuj”.  PROF. NEGOVANI i përket atij brezi idealistësh, që me dashuri, përkushtim, vetmohim dhe sakrifica sublime, si edhe me thjeshtësinë dhe karakterin e paster që pasqyronin,  dhanë gjithçka, që ju kërkua dhe nuk morën asgjë, duke i dhënë kështu një mësim, sa  të pa harruar po aq edhe konkret zhvillimit historik dhe  shoqëror  vendit   tonë në të ardhmen. Ky edukator i brezave të tërë të “Inxhinierisë së Ndërtimit”, ishte luftëtar i vendosur i realizimit të programeve  shkencore, po edhe aq madhështore të rimëkëmbjes dhe përparimit të vendit tonë në fushën e arsimit dhe ndërtimit me kontributin e  shquar dhe te çmuar te tij . Po ashtu,  ky intelektual erudit,  me shpirt dhe zemër të artë do të mbetet shembulli më tipik dhe një ndër përfaqësuesit më dinjitoz të armatës të ndërtimit. Të gjitha këto ai i ka bërë për lavdinë e atdheut të tij të shtrenjtë, pa ditur, se një ditë, ato do t’i kthehen në lavdi për emrin e tij, i cili do të mbetet  si  fener  ndriçues në jetë të jetëve, duke u kujtuar me admirim të thellë në brezat e ardhshëm. Gjithashtu, ky  është një gjest fisnik,  i cili e meriton këtë shërbesë modeste, por shumë kuptimplote për të gjithë ne nxënësit e tij tëe fushës së ndërtimit sot. Nderimi për jetën dhe punën e këtij njeriu, është njëkohësisht, nderim për punën jetën dhe e secilit prej nesh, duke përbërë kështu gurin e çmuar të veprimtarisë njerëzore. Mirënjohja e thellë ndaj një kujtimi, përmban në vetëvete obligimin më dinjitoz, që shpreh në veprimtarinë e saj jetësore nje shoqëri e emancipuar. Ne të gjithë duhet të kujtojmë me krenari dhe respekt të madh këta njerëz, sepse tek ata ne gjejmë frymëzim të pashtershëm në veprimtarinë tone, për zhvillimin e vendit  dhe mirëqenjen e popullit. Ne miqtë,  kolegët dhe nxenesit e tij e kujtojme me dashuri dhe krenari, duke shprehur  në këtë  mënyrë  respektin  dhe mirenjojen e thelle për Profesorin, njeriun tonë të shtrenjtë  e të pa harruar , shkencetarin  e madh të artit të Inxhinerise së Ndërtimit , ku me plot të drejtë   është quajtur si :

“BABAI  i të gjithë ne inxhinierët e ndërtimit”. I pa harruar  do të  mbetet në  kujtesën tonë  brez pas brezi  figura aq e dashur,  frymëzuese , edukative dhe e respektuar  e mësuesit tonë , Profesor “KIÇO  NEGOVANI”. Lum Ju, Profesor Negovani , për shpirtin e shenjtë, që Ju kishit.!

Lamtumire o shpirt fisnik, që  na edukove  me parimet  e ndritura  të  “Njeriut të mirë” dhe  u përjetësofshin  në kohë  mësimet e tua.

VEPRIMTARIA  AKADEMIKE DHE SHTETËRORE E PROF.  Kiço Negovanit 

Ka lindur në fshatin “NEGOVAN” në Greqi  në vitin 1925.

Ka marrë pjesë në Luftën e dytë Botërore  për çlirimin e Shqipërisë  në vitet 1943-1944, në përbërje të “Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrise Nacional – Çlirimtare”.

Ka qenë oficer i Ministris së Brendëshme me gradën toger (Garda e Republikës) në vitet 1945 – 1947.

Ka studiuar në Rusi në Universitetin Novo Çerkask për inxhinier ndërtimi në vitet 1948 – 1952.

Ka qenë Zëvendës Drejtor i Institutit Politeknik në Tiranë në vitet 1953 – 1957.

Ka qenë Dekan i Parë i Fakultetit të Inxhinerive në vitet 1957 – 1965.

Ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Arsimit të Mesëm dhe të Lartë, në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës në vitet 1965 – 1972.

Ka qenë Zëvëndës Ministër në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës në vitet 1972 – 1975

Ka qenë Zëvëndës Drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit në Hidrocentralin e Fierzës në vitet 1975 – 1979, pastaj Kryeinxhinier në vitet 1979 – 1980.

Ka qenë Drejtor Drejtorie në Komitetin e Shkencës dhe Teknollogjisë në vitet 1981 – 1984.

Ka qenë shef sektori në Insitutin e Studimeve dhe Teknollogjisë së Ndërtimit në vitet 1984 – 1989.

Ka qenë Kryeinxhinier i Shoqërisë së Ndërtimit “Teknoprojekt” në vitet 1994 – 2016.