Jurist Abdyl Bakiu/ Znj. Ministre, Ligj për popullin jo për oligarkët

891
Sigal

Mbrohet populli apo mbështeten oligarkët me ligjet që ju miratoni?

 Letër e hapur ministres së Shëndetësisë

Jurist Abdyl BAKIU

U njohëm këto ditë, me publikimin e një projektligji të ri që modifikon e ndryshon ligjin e vjetër Nr. 8691 dt. 16.11.2000 “Për prodhimin e tregtimin e duhanit dhe të cigareve” Duket social e bashkëkohor, por duke u mbështetur në të vërtetën logjike, ai s’ndryshon asgjë në përmbajtje, veçse ndryshon polet e e tregtimit të duhanit duke u përqendruar në pak duar. Ju drejtohem juve, e nderuar ministre, se ju jeni deklaruar për të mirat e këtij ligji. Ai ka inflacion fjalësh. Vetëm në Tiranë për dy-tri vite janë hapur të paktën 270 kioska ( o zot filloi përsëri kioskëzimi i zhdukur në 2002) që shesin cigare, patatina, molto, çokollata e çamcakiza. Janë hapur në rrugët më të qarkullueshme, në kryqëzime e vende kyçe të Tiranës. Komunitetit të biznesit kjo nuk i ka pëlqyer, por nuk ka reaguar, se e ka vlerësuar si pjesë të ekonomisë së tregut, si pjesë e konkurrencës së lirë, si mënyrë për t’i shërbyer më mirë njerëzve. Deri këtu s’ka asgjë për t’u shqetësuar.

Ligjet në shërbim të interesave të oligarkëve

Por shefat apo oligarkët që ndërtuan e vendosën këto kioska s’janë të kënaqur. Duan më shumë. “E si t’ia bëjmë?”, mendojnë. “Të nxjerrim një ligj që t’i ndalojë, marketet, lokalet, supermarketet, dyqanet e vogla të lagjeve të shesin paketa dhe njerëzit të shkojnë tek këto kioska, të cilat do të licencohen posaçërisht për shitjen e duhanit e të cigareve. Dhe dihet: Të fuqishmit kanë mënyrën e tyre alla shqiptare për të bërë lobing tek ligjvënësit. Dhe nuk e bëjnë këtë lobing me konferenca, shtypi apo forma të tjera të njohura, por me biseda dy apo trepalëshe, larg transparencës publike.

Zonja ministre, merrni përsipër të argumentoni pozitivitetin e këtij ligji. Por le ta marrim të fragmentuar deklaratën e duke argumentuar çdo pjesë të saj.

Ministrja tha “…Jemi në fazë konsultimesh për ndryshimin e ligjit, qoftë me ata të mbrojtjes së shëndetit, qoftë me grupet interesit. Sepse për ne, parësor është shëndeti i qytetarëve…”.

Si e mbron shëndetin e qytetarëve zonja ministre? Duhanxhinjtë do e pinë cigaren si përherë, por tashmë s’do e blejnë aty ku e kanë blerë gjithmonë, por në vendet e licencuara. Kjo nuk ndryshon asgjë. Pse deri tani njësitë e shitjes ishin të palicencuara? Përkundrazi janë të gjitha të licencuara për shitjet e mallrave të konsumit dhe duhani është një i tillë. Dhe këto paketa nuk merren në lumin e Lanës, por merren nga kompanitë e licencuara të shpërndarjes.

Kush janë për ju zonja ministre grupe interesi, (apo thjesht e përdorni si slogan juridik) nëse nuk është komuniteti prej më shumë se 20 mijë njësi shitjesh? Të paktën vetëm në Tiranë. A është pyetur ky grup i madh interesi? Nëse po ç’mendim ka dhenë? As që e keni pyetur, as nuk e përmendni fare, as që e keni vënë në kandar, po bjeri t’i biem! Po u bë ligj, mendoni ju, e mbyllin gojën të gjithë, se ai ka sanksione. Ky është mendimi i propozuesve të ligjit.

Ju thoni: “…Paketat nuk do të lejohen të shiten më nëpër lokale, supermarket apo dyqane lagjesh…” Pse zonja ministre, ç’paska ndodhur? Apo pse i shërbehet klientit shpejt dhe mirë. Unë p.sh ., jetoj në katin e tretë e që nga aty, prej 26 vitesh, zbres me pantofla apo me pizhame në katin e parë ku është njësia e shitjes dhe blej paketën “Filip Morris”. E gjej në çdo orë deri në 12 të natës, pa përmendur që kemi njësi shitjeje 24-orëshe. Kjo më kushton vetëm dy minuta. Pse duhet të shkoj 300 e 400 metra më larg, të vishem e ngjishem, për të gjetur këtë mall që dua? Mos vallë ai që do marr më larg është më i mirë. Po si unë, për paketa të ndryshme, ka me mijëra vetë. Dhe këto dyqane janë në zemër të lagjeve ku banojnë shumica e njerëzve, janë në labirintet e jetës e jo vetëm aty ku doni të na çoni. Njerëzve u duhet shërbyer shpejt e mirë. Por e vërteta është se këtu ka një çështje themelore; Përveç shërbimit të shpejtë, nga duhani fitojnë të gjithë nga pak, mbijetojnë, kurse ju doni t’ia hiqni këtë mundësi, doni t’ia hiqni bukën e gojës Ato grimca fitimi ju doni t’ia shkurtoni mijëra dyqaneve dhe fitimi të mblidhet vetëm në dy tre duar, t’u shtohet se ato s’po mbeten te kënaqur! Po kështu goditet populli i thjeshtë dhe përkrahen oligarkët. Se anëtarët e biznesit nuk vijnë nga hëna, por janë pjese përbërëse e popullit. Kjo quhet dhunë pushtetore dhe nuk i shërben aspak të mirës. Dielli s’duhet të ngrohë disa por të gjithë! Përderisa cigaret dhe paketat janë mall i lejuar në qarkullimin civil s’duhet të vihen të tilla kufizime. Ndërsa çmimi dhe konkurrenca e lirë janë tjetër gjë. Monopolet dëmtojnë cilësinë e një shteti. Ju thoni në deklaratën tuaj: “… Do të ndalohet shitja e paketave me 10 cigare e më pak…” Pse kështu zonja ministre? Ç’paska ndodhur? Që oligarkët të fitojnë më shumë e më shpejt? Jetojmë periudhën e tregut të lirë dhe parimi bazë i tregut është, kërkesë-oferta. Ashtu e duan njerëzit, (kërkesa) ashtu iu përshtatet tregtia (oferta). Disa duan te pinë më pak, disa të tjerë aq para kanë për shpenzime apo duan të disiplinojnë veten. S’keni pse i kufizoni dhe detyroni: O te blejnë paketë 20 cigaresh ose hiç! Bota e tregtisë kudo i njeh dhe i zbaton me përpikëri këto kërkesa. Ju pyes zonja ministre: Me këto masa që doni të merrni, si e ruani shëndetin e duhanpirësve? Ah po, ai ruhet ndryshe: Më shumë se deri më sot të flisni kudo në të gjitha ambientet, të vogla e të mëdha, në shtyp e televizione, në te gjitha qendrat shëndetësore për dëmet që sjell duhani që ata te ndërgjegjësohen dhe t’i largohen me bindje të plotë duhan-pirjes dhe jo me këto masa çerekshe që nuk ndikojnë fare në lënien e tij.

Dhe një pyetje të fundit; A mendoni se nuk do të licencohen posaçërisht për shitjen e cigareve ato qindra kioska standarde që na kanë mbirë si kërpudha pas shiut në rrugët e bulevardet tona? Unë (shumica) mendoj se jo vetëm do licencohen, por se e gjithë kjo furtunë është bërë që ato të jetojnë e të tjerët të ngordhin. Ligjet kudo bëhen për të mirën e shumicës dhe jo të pakicës. Ligjet që miratohen çdo ditë e më mirë duhet t’ia zbardhin jetën popullit, ato nuk duhen për të argjenduar jetën e pak kokrrave e t’ia nxijnë shumicës së tjerëve.