Vrasja e Santos, policia: Jemi në prag të identifikimit të autorëve

445
Sigal

 Tek dy të akuzuarit gjenden shenja të qitjes me armë zjarri. Janë dënuar dhe në Greqi për vrasje e krime të tjera

Policia konfirmon se gjatë grumbullimit të provave të tjera, përfshi ekzaminimin kriminalistit ndaj dy të arrestuarve Klodian Gjozi dhe Sajmir (Gazmir) Gjozi, po shkon drejt identifikimit të autorëve të vrasjes së bankierit Artan Santo. Në këtë kuadër, sipas saj, ka ndihmuar dhe bashkëpunimi me INTERPOLIN dhe policinë greke… Detajet jepen në komunikatën e mëposhtme, publikuar dje nga policia….

HETIMET PËR VRASJEN

Në informacionin e publikuar dje, policia jep dhe detajet përkatëse si më poshtë: “Në vijim të informacionit të publikuar mbi ndalimin më datë 26.06.2014, në Fushë Krujë, të shtetasve Klodian Gjozi dhe Sajmir (Gazmir) Gjozi, si dhe të bllokimit të motorit tip “Suzuki” në një servis në afërsi të fshatit Bubq, gjatë operacionit të ndërmarrë nga strukturat e Policisë së Shtetit për kapjen e autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Artan Santo, ju bëjmë me dije se: Nga strukturat e Policisë së Shtetit pas ndalimit të këtyre 2 shtetasve, i cili u bë pasi nga ana e policisë disponoheshin informacione mbi persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarje dhe mbi aktivitetin e tyre kriminal të mëparshëm, është bërë dhe ekspertimi përkatës kriminalistik, ku u janë gjetur faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri dhe konkretisht mbetje të barutit.

BASHKËPUNIMI ME INTERPOLIN

Ndërkohë përmes Interpol Tirana është bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion me autoritetet ligjzbatuese Greke për verifikimin e të dhënave lidhur me personat e ndaluar, si dhe të motorit tip “Suzuki” bllokuar këtyre shtetasve, i ngjashëm me motorin e përdorur nga autorët ditën e vrasjes. Nga informacioni i marrë nga autoritetet ligjzbatuese Greke rezulton se shtetasi Klodian Ahmet Gjozi, ka vuajtur dënimin në burgjet Greke për veprën penale të vrasjes që nga data 21.06.2004 deri më 13.04.2011. Gjithashtu, ky shtetas është ndaluar përsëri nga ana e policisë greke më 30.06.2011 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, së bashku me vëllain e tij Arjan Gjozi (shitje kokaine në zonat e Pagratit dhe Vironas në Athinë) dhe të dy janë liruar nga burgu më datë 25.05.2012.

DY TË AKUZUARIT

Vëllezërit Klodian dhe Arjan Gjozi konsiderohen  shumë të rrezikshëm nga ana e policisë Greke (për veprën penale të vjedhjes me armë).

Gjithashtu, shtetasi Arjan Gjozi para shumë vitesh, përdorte identitetin Dilaver Gjozi. Po ashtu lidhur me motorin 650 Ç Suzuki, bllokuar këtyre shtetasve më datë 26 qershor nga ana e Policisë së Shtetit, sipas Interpol Athina, Greqi, rezulton të jetë denoncuar i vjedhur më datë 16.01.2014, në rajonin e Selanikut me pronar shtetasin grek D.G.. Policia e Shtetit duke rikonfirmuar angazhimin e saj maksimal për zbardhjen e vrasjes së z.Artan Santo dhe vënien para drejtësisë të autorëve të saj, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të kontribuojnë në hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje. Për çdo informacion të vlefshëm Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën prej 100 mijë euro, duke garantuar ruajtjen e anonimatit”.