Lyhet me benzinë fëmija i rektorit të universitetit, mister shkaqet

464
Sigal

 Ngjarja para dy ditësh në banesën e rektorit. Policia ka heshtur për ‘ruajtje imazhi të rektorit e institucionit’

 Fëmijës së rektorit të një prej universiteteve të njohura të vendit i është vënë benzina, ndërkohë, kanë qenë komshinjtë që kanë ndërhyrë në kohë, duke bërë që personi i maskuar që kreu këtë akt kriminal të largohet me shpejtësi nëpër shkallë. Ndërkohë, burime jozyrtare, por të sigurta të gazetës “Telegraf” konfirmojnë se, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka marrë dëshmitë e rektorit, familjarëve e fqinjëve, ka sekuestruar kamerat e sigurisë në rrugë e biznese aty afër, por nuk ka nxjerrë komunikatë zyrtare. Mësohet, gjithashtu se, me këmbënguljen e rektorit ‘për të ruajtur imazhin e universitetit’, ngjarja e rëndë, e cila ka ndodhur para disa ditësh nuk është bërë publike zyrtarisht. Dyshohet që autori që ka vajtur në banesën e rektorit dhe ka lyer me benzinë fëmijën e tij, të ketë qenë një femër me paruke. Po ashtu, burime për gazetën shtuan se, ‘kohë më parë këtij rektori i janë vjedhur po në banesë një shumë e konsiderueshme të hollash, por nuk është bërë denoncim se shuma e madhe do të ngjallte dyshime për origjinën”. Për shkak të kërcënimit (lyerje me benzinë) të një fëmije, për shkaqe etike e profesionale, gazeta nuk përmend emrin e rektorit dhe universitetin që ai drejton.

NGJARJA

Burimet pranë policisë kriminale që po heton dhe të tjera të ardhura në gazetën “Telegraf”, sjellin ngjarjen si më poshtë: “… Nga burime të policisë kriminale po hetojnë dhe fqinjëve, x.y., rektorit të universitetit, pra dy ditësh i kanë shkuar në shtëpi dy persona dhe i kanë lyer fëmijën me benzinë. Në momentin që po e kërcënonin, kanë dalë komshinjtë dhe personat janë larguar me shpejtësi. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka sekuestruar kamerat dhe po punon për identifikimin e personave. Flitet se, personi që e ka lyer me benzinë ka qenë një femër e maskuar me paruke. Rektori i ka kërkuar policisë që rasti të mos bëhet publik për arsye të imazhit të tij dhe të universitetit. Për dijeni, para pak muajsh këtij personi i kanë vjedhur edhe shtëpinë, por dhe kjo nuk është bërë publike për faktin se shuma e eurove të vjedhura ishte e konsiderueshme dhe mbajtja e tyre në shtëpi, ishte e pajustifikueshme, se nuk ishte deklaruar zyrtarisht burimi i tyre…”.

MISTERET

Lidhur nga informacioni, lind pyetja: Përse policia mos e deklaroj publikisht një rast të tillë, për më tepër, kur i terrorizuar nga persona anonimë ka qenë një fëmijë?!. Përse policia ka rënë dakord me kërkesën e rektorit për mos publikimin e rastit?! Kujt i vlen një imazh i maskuar e shoqëruar me ngjarje të tilla të rënda?! Përse kërcënohet deri me fëmijë rektori i universitetit?! Janë pyetje që kërkojnë përgjigje rreth këtij misteri. Për më tepër, nga policia që duhet të bëj detyrën e të zbatoj ligjin…