Tragjedia, “déjà vu” në shkollat tona. MAS akoma te planet

420
Sigal

Vlorë, gjimnazisti plumba shoqes në shkollë, shkarkohet drejtorja e mësuesja

 Fëmijët shqiptarë janë të pasigurt në shkolla, të cilat në fakt duhej të ishin tempujt e dijes dhe jo të dhunës, apo të rrezikut për jetën. Siguria në shkolla kthehet në vëmendje të politikës shqiptare, vetëm atëherë kur ndodhin tragjedi dhe breshërima armësh, si në rastin e djeshëm të 17 vjeçares në Gjorm të Vlorës, e cila rrezikoi jetën brenda në mjediset e shkollës ku ajo shkonte çdo ditë. Madje edhe kur ndodhin këto gjëma, në vend të marrjes së masave konkrete për sigurinë në shkollë, qeveria mjaftohet me pezullimin nga puna të një apo dy individëve, por, gjithmonë, pasi ndodh tragjedia. Pse ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, hesht dhe nuk fillon me marrjen e masave, fillimisht me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Arsimore Vlorë? Nëse masat e marra mbeten vetëm brenda mureve të shkollës, atëherë kjo konfirmon edhe një herë se drejtuesit e institucioneve arsimore në vend, më shumë se vlera dhe atribute profesionale kanë vlerë vetëm përkatësinë partiake. Paaftësia e drejtuesve dhe menaxhimi i keq i shkollave shqiptare po i kthen në normalitet gjëma të tilla në arsimin shqiptar. Është ende e freskët tragjedia e ndodhur në 4 dhjetor të vitit të kaluar në një nga shkollat e mesme të Durrësit, ku humbi jetën në ambientet e shkollës nxënësi 17 vjeçar. Një këmbanë të fortë alarmi për të gjithë; qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi, e quajti Kryeministri Rama këtë tragjedi, duke premtuar se do të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Ministri Tahiri menjëherë pas ngjarjes deklaroi se “duhet një reformë për sigurinë në proceset mësimore”, duke garantuar prindërit për ruajtjen e sigurisë nëpër institucionet arsimore. Ndërsa ministrja e Arsimit Nikolla deklaroi se do të hartohet një program për riedukimin në shkolla, duke u shprehur se “do të bëjmë gjithçka për të realizuar një riedukim në shkolla. Situata që ne gjetëm ishte e vështirë, por ne jemi të gjithë bashkë dhe jemi të qartë për programet e ndërhyrjes që duan kohën e tyre. Ky rast tregon se sa shumë e rëndësishme është që të krijojmë në frontin e edukimit partneritetin mësues-prindër dhe nxënës”. Me gjithë këto premtime të bujshme, me gjithë garancinë që na dhanë Kryeministri Ramna, ministri Tahiri dhe ministrja Nikolla, kemi sërish një “déjà vu” në shkollat tona. Një tjetër nxënëse shkolle rrezikoi jetën. Pasiguria ka pushtuar shkollat, fëmijët dhe prindërit bashkë. Ndërsa ministrja e Arsimit mjaftohet vetëm me 2 shkarkime. Znj. Ministre, shkollat që na ofroni ju, janë të pasigurta! Drejtuesit tuaj janë të paaftë për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë! Kambanat po bien për ju, znj. Nikolla, ministre e Arsimit!

NGJARJA

Një 17-vjeçare në fshatin Gjorm të Vlorës rrezikoi jetën mëngjesin e djeshëm, brenda në mjediset e shkollës ku ajo shkonte çdo ditë, teksa është qëlluar dy herë me armë zjarri.

Autori është një bashkëmoshatar i saj, po nxënës i asaj shkolle, të cilin ajo e kishte refuzuar. Me të mësuar ngjarjen ministria e Arsimit shkarkoi drejtorin e shkollës dhe një mësuese, ndërsa është marrë masa vërejtje me paralajmërim për një tjetër mësues.

Plagosja në korridorin e Shkollës

Mëngjesin e djeshëm nxënësi me inicialet A.A nga Lepenica e Vlorës ka hyrë në korridorin e shkollës dhe ka shtënë 3 herë në drejtim të vajzës që nuk i përgjigjej ndjenjave të tij. 17 vjeçarja me iniciale E. T. u plagos me një plumb pistolete në kokë dhe një në shpatull. Pasi është plagosur, vajza ka vrapuar jashtë, ku edhe aty e kanë ndjekur plumbat e një pistolete të kalibrit të vogël, por pa mundur ta kapin. Ajo është dërguar menjëherë në spital dhe fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.

Arrestimi i adoleshentit

Adoleshenti është arrestuar pak minuta më pas. Një nga anëtarët e kryepleqësisë së fshatit, që ishte në spital për të vizituar adoleshenten e plagosur deklaron se autori i kapur nga policia, 17 vjeçari A. A nga Lepenica ishte person problematik dhe është e pajustifikueshme si mundi të futej në shkollë i armatosur.

MAS shkarkon drejtorin e një prej mësuesve

Pasi mësoi ngjarjen, përmes një komunikate për shtyp, MAS bën të ditur se për ngjarjen në fjalë, janë shkarkuar nga puna drejtoresha e shkollës Elsa Arshija, e cila është edhe halla e autorit si dhe mësuesja Dilore Arshija, nëna e autorit (fenomeni i punësimeve nepotike), ndërsa është dhënë vërejtje me paralajmërim edhe për mësuesin D.Z..

Gjithashtu, MAS bën të ditur se ende janë në fazën e hartimit të një plani konkret për sigurinë në shkolla, ashtu sikurse deklaroi në 4 dhjetor të vitit 2013. “MAS bën më dije të gjithë prindërit në vend se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme po hartohet një plan konkret për sigurinë në shkolla. Ndërkohë, çdo mësues dhe drejtues shkolle ka përgjegjësinë institucionale të informimit të strukturave përkatëse për çdo nxënës që reflekton sjellje dhune si dhe të hartimit të një programi të veçantë ndihme në bashkëpunim me prindërit dhe punonjësit social brenda datës 15 tetor 2014”, thuhet në njoftimin e MAS.

PROTESTA

  Dhjetëra studentë të viteve të dyta dhe të treta të filialit të Universitetit Bujqësor në Lushnje, kanë protestuar para dyerve të pushtetit vendor në Lushnje. Studentët kërkojnë që studimet e tyre të viteve të dyta dhe të treta të bëhen në Lushnje, pasi kështu shkurtojnë shpenzimet. Studentët shprehen se do të përshkallëzojnë protestat e tyre nëse nuk merren parasysh kërkesat për të vijuar në Lushnje, studimet, ku pritet dhe një takim për këtë çështje me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Kamzës.

Ministria e Arsimit e ka mbyllur filialin e Universitetit Bujqësor të Kamzës në Lushnjë për mosplotësim të kushteve, kryesisht të ambienteve për studimet. Ky filial i Universitetit te Kamzës është krijuar në vitin 2008, me vendim të Këshillit të Ministrave. Ai ka gjithsej 800 studentë. Janë shprehur kundër këtij vendimi të gjithë deputetët e qarkut të Fierit, të majtë dhe të djathtë, si dhe Kryetari i bashkisë Lushnjë dhe të gjithë këshilltarët në këtë bashki. Sipas tyre, ky ishte një vendim që pengon zhvillimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve në Myzeqe, ndërkohë që në shumë auditore të tjera jepen diploma me lopate, pa asnjë vlerë dhe që nuk i përshtaten nevojave të tregut, por mbahen hapur për interesa krejtësisht klienteliste.

MATURA

 Skadoi afati për të bërë regjistrimin on-line për kandidatët që janë shpallur fitues në listën paraprake të pranimeve në universitetet publike. Kandidatët që janë shpallur fitues në listën paraprake të fituesve, duke parë pikët e fituesit të fundit (në faqen zyrtare të MAS), mund të përcaktojnë nëse do kanë mundësi të fitojnë një preferencë më të lartë apo jo. Këta kandidatë, që zgjedhin të vijojnë garën në datë 29 shtator, nëse kanë grumbulluar pikë mjaftueshëm për një preferencë më të lartë do shpallen fitues në preferencën e re. Nëse nuk fitojnë preferencë tjetër, do shpallen fitues në të njëjtën degë. Ata maturantë që nuk janë shpallur fitues në asnjë degë, nëse janë afër me pikët e fituesit të fundit në preferencat që kanë zgjedhur në Formularin A2 kanë shansin, që në datë 29 shtator të mund të shpallen fitues. Kjo për arsye, sepse duke pasur parasysh dhe procedurat e mëparshme të Maturës Shtetërore, në këtë fazë mbesin bosh kuotat e kandidatëve që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, por edhe të atyre që shkojnë në universitete private. Sipas të dhënave të MAS, këtë vit 4500 maturantë kanë aplikuar për studime jashtë vendit dhe minimalisht vendet e tyre do mbesin bosh, duke u dhënë mundësinë maturantëve të tjerë të fitojnë në këto programe studimit.

Ledjana Saliu