Tmerr në Elbasan: Gruaja dhe vajzat rrihen barbarisht nga xhaxhai, prokuroria i jep urdhër mbrojtje burrit!

111
Histori e tmerrshme në Elbasan. Gruaja dhunohet nga vëllai i burrit, dhe vajzat nga xhaxhai i tyre. Por prokuroria i jep urdhër mbrojtje burrit. Vera Kodra me origjinë nga Orenja e Librazhdit kërkon ndihmë për mbrojtje nga familja e ish-burrit dhe kunati i saj. Ajo ankohet se ish-kunati ka rrahur atë edhe dy vajzat e saj të mitura. Ajo ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Elbasanit. Por çuditërisht ai që ka fituar urdhër mbrojtje ka qenë kunati i saj, transmeton infoelbasani.al.

Ajo ka braktisur shtëpinë dhe banon tek mamaja e saj, ndërkohë që ka frikë për dy vajzat që shkojnë në shkollë. Vera Kodra ka denoncuar disa herë dhunën në polici por nuk ka marrë zgjidhje. Gruaja shprehet duke qarë me dënesë se më datën 27 gusht, ish-kunati K. Kodra, së bashku me djalin e motrës së tij vijnë për ta rrahur.

“Isha duke futur drutë e dimrit në shtëpi kur erdhën dhe po më ofendonin. U përpoqa me gjithë forcën time që të mos hyjnë në shtëpi, por nuk munda. U largova me vrap. Ish kunati vërtet është i verbër, por po të futi në dorë vetëm dru di të japë.

E njihja shumë mirë se çfarë karakteri kishte sepse ishte mjaft i dhunshëm, rrihte vëllain, mua, fëmijët. Ndaj ika me vrap. Dola nga pas shtëpisë për të marrë policinë.

I doli vajza përpara Blerina. Por ai po e rrihte. Dëgjoja ulërimat e vajzës që rrihej. Kam jetuar gjënë më të tmerrshme të jetës sime. Kur pashë vajzën të gjakosur dhe të lënduar në fytyrë nuk e doja veten. Gjaku i dilte nga hunda dhe goja”.

Vetë vajza Blerina Kodra tregon dhunën dhe tmerrin që jetojnë çdo ditë dhe apelojnë për ndihmë. Tani që po nis dhe shkolla pasiguria rritet akoma më shumë.