Florian Riza: Kombëtarja duket në rrugën e duhur, në Superiore do ketë agresivitet

570
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares, aktualisht, analist sportiv në SuperSport
Pas dy ndeshjeve që u luajtën ditë më parë, si e përshkruani situatën në Kombëtaren tonë të futbollit?
Situatën unë e përshkruaj normale, edhe pse trajneri Panuçi ndryshon shumë nga De Biazi. Fitorja me Litehshteinin nuk diskutohej, ndërkohë që barazimi me Maqedoninë mendoj se ishte një rezultat i mirë. Kjo ishte një pikë e vlefshme për renditjen, por këto ndeshje janë më shumë përgatitje për sezonin tjetër, Evropianin 2020.

Nisur nga të dy rezultatet, ku mendoni se kishte vend për më shumë?
Nëse flasim për gola, më shumë duhet të kishim shënuar në fitoren 2-0 me Litehshteinin. Ndërsa me Maqedoninë, nëse morëm 1 pikë, mendoj se ishim me fat, sepse edhe mund të humbnim, por edhe mundet që të dyfishonim rezultatin. Nëse nuk u ndëshkuam në dy-tre raste në fundin e ndeshjes, kjo për meritë të portierit Berisha, sepse pas golit të barazimit, loja foli vetëm për Maqedoninë.

Po rastin e dhënies së penalltisë në favor të Maqedonisë, teknikisht e quani të drejtë?
Dhënia e penalltisë ka qenë një gabim fatal i arbitrit, sepse topi në dorën e Roshit ishte aksidental, nuk ishte i qëllimshëm. Arbitri duhet të vazhdonte lojën, por bëri të kundërtën, duke gabuar teknikisht.

Ju e përjetuat ndeshjen me Maqedoninë në stadiumin e Strumicës, si ndikoi ambienti i stadiumit në lojën e skuadrës sonë?
Nuk e di se çfarë të them më shumë për këtë pyetje, por në stadium atmosfera ishte e qetë. Në sfond kishte brohori e thirrje nga të dy tifozeritë, por aspak ato nuk ndikuan në fushën e lojës. Tifozët tanë e mbajtën ritmin e tyre, të tjerët nuk u lejuan të hynin në stadium, por dua të them se kishte masa organizative perfekt.

Ndoshta i impononte këto masa organizative edhe fryma nacionaliste para kësaj ndeshjeje?
Çdo gjë mund të themi ne para çdo ndeshjeje, por ajo që dua të veçoj, ishte fakti se, edhe pse stadiumi nuk kishte kushte shumë normale për një ndeshje të nivelit të tillë, FIFA kishte dërguar shumë përfaqësues që e monitoruan gjithë ndeshjen, e cila në fund veç atij barazimi 1-1, nuk besoj se prodhoi ndonjë të veçantë tjetër.

Si specialist futbolli, mendoni se trajneri Panuçi duhej të aktivizonte më shumë elementë të rinj në këto dy ndeshje?
Mendoj se Panuçi i ka fituar disa lojtarë të rinj, edhe pse ndonjëri prej tyre nuk hyri në fushën e lojës për asnjë minutë. Kur thirresh në Kombëtare, je i vlerësuar dhe i gatshëm për t’i shërbyer skuadrës në çdo kohë. Kjo varet nga trajneri, i cili me këtë grup besoj se do t’i mbyllë edhe dy ndeshjet e fundit, me Spanjën dhe Italinë. Panuçi ka energji të madhe, e besoj se do të jetë një nga trajnerët më të mirë që ka pasur Kombëtarja jonë në vite.

Në dy sfidat e fundit në grup, me Spanjën dhe Italinë, mund të marrim ndonjë pikë tjetër?
Aktualisht, Evropa ka dy ekipe të mëdha, të cilët luajnë futboll të madh, Spanjën dhe Gjermaninë. Me individët që kanë këto ekipe, skuadra të nivelit tonë e kanë të vështirë që ti marrin pikë. Nëse do të mendojmë një rast analog si barazimi 0-0 i Francës me Luksemburgun, unë do të thosha se këtë e kemi të mundshme me Italinë. Këtu gjithçka mund të ndodhë.

Në dy ndeshjet e fundit në këto eliminatore të Botërorit 2018, mendoni se duhet një skuadër që të shohë më shumë nga Evropiani?
Në fakt, Kombëtarja jonë vetëm në dy ndeshjet e para kishte synimin maksimal për tu kualifikuar, sepse më pas, rezultatet e ulën për të kërkuar vendin e tretë në grup. Kështu që, në të gjitha ndeshjet e tjera, deri te kjo e fundit me Maqedoninë, skuadra ka qenë në kolaudim nga të dy trajnerët. Në sezonin tjetër, ndoshta do të duhet që Panuçi të bëjë edhe ndonjë afrim tjetër, pse jo, edhe nga U 21, ku janë dy-tre talente cilësorë.

Sa baza ka kjo skuadër kombëtare për ndeshjet e Kampionatit Evropian 2020?
Formula e ndeshjeve kualifikuese në grupet e Kampionatit evropian është më e thjeshtë se e Botërorit. Sepse hyjnë dy ekipet e para të çdo grupi, por edhe e treta më e mirë, njëherësh luhet edhe play-off me skuadrat e treta. Kështu që për Evropianin, ne favorizohemi shumë, dhe kemi mundësi për një paraqitje të mirë. Sepse lojtarët tanë janë rritur shumë në lojën e tyre në skuadrat ku luajnë në Evropë e në Botë, por ka edhe të tjerë që duhet të provohen.

Nga Kombëtarja kalojmë te Superkupa, si fituese e këtij trofeu, kishte ndryshuar Tirana në krahasim me skuadrën që zbriti në Kategorinë e Parë ?
Nga sa u pa gjatë gjithë ndeshjes, të dy ekipet nuk ishin në formën e tyre më të mirë. Por, jo vetëm se e fitoi Superkupën, por edhe realisht, Tirana dukej se kishte menduar më shumë për rikthimin në Superiore, e kësaj skuadre vetëm koha fizike i mungon.

Gjatë periudhës së verës, thuajse të gjitha skuadrat kanë bërë merkato me lojtarë e trajnerë, si mendoni se është zhvilluar ajo?
Mendoj se nga të gjitha skuadrat, brenda buxheteve e synimeve të tyre, kanë zhvilluar merkato të organizuar mirë, njëherësh kanë bërë edhe përgatitje serioze gjatë kësaj periudhe. Nisur nga emrat e afruar, pretendentë do të jenë Skënderbeu, Partizani e Kukësi, ndërkohë që skuadrat e tjera synimet e tyre do ti kapin gjatë garës.

Këtë fundjavë starton edhe sezoni i ri i Kategorisë Superiore, si i përshkruani ndeshjet e javës së parë?
Në fakt, zyrtarisht do të nisë sezoni i ri më 9 shtator, sepse realisht skuadrat tona kanë qenë në aktivitet në Evropë. Skënderbeu është në grupet e Evropa Ligë, ndaj mendoj se ky kampionat do të ketë një ritëm tjetër. Do të kemi një start më agresiv, në kuptimin sportiv, dhe besoj se do të jetë një nga kampionatet më të mirë deri më sot.
Evropa ka dy ekipe të mëdha, të cilët luajnë futboll të madh, Spanjën dhe Gjermaninë. Me individët që kanë këto ekipe, skuadra të nivelit tonë e kanë të vështirë që t’i marrin pikë. Nëse do të mendojmë një rast analog si barazimi 0-0 i Francës me Luksemburgun, unë do të thosha se këtë e kemi të mundshme me Italinë
KATEGORIA SUPERIORE
SEZONI 2017-2018 
Ndeshjet-Java e parë
E shtunë, 9 shtator 2017
Kukësi-Kamza 16:00
(Stadiumi “Zeqir Ymeri”)
Skënderbe-Flamurtari 19:00
(Stadiumi “Skënderbeu”)
Teuta-Luftëtari 19:00
(Stadiumi “Niko Dovana”)
E diel, 10 shtator 2017
Lushnja-Vllaznia 16:00
(Stadiumi “Loni Papuçiu”)
Partizani-Laçi 19:00
(Stadiumi “Selman Stërmasi”)
Kupa e Botës “Rusi 2018” 
Grupi G/ Shqipëria
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Litehshtein-Shqipëri 0-2
Shqipëri-Spanjë 0-2
Shqipëri-Izrael 0-3
Itali-Shqipëri 2-0
Izrael-Shqipëri 0-3
Shqipëri-Litehshtein 2-0
Maqedoni-Shqipëri 1-1 

RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 8 22
2.Itali 8 19
3.Shqipëri 8 13
4.Izrael 8 9
5.Maqedoni 8 7
6.Litehshtein 8 0
Ndeshjet që do të luhen
Datë 6 tetor 2017
Spanjë-Shqipëri 20:45
Itali-Maqedoni 20:45
Litehshtein-Izrael 20:45 
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45
Maqedoni-Litehshtein 20:45
Izrael-Spanjë 20:45
Sigal