Terror në Mat, maskat grabisin me armë karburantin e dhunojnë rojën

572
Sigal

BURREL/Pasi e lidhin rojën, 3 të grabitësit, marrin me dhunë një mln lekë dhe largohen

Skenari i terrorit me armë e maska, shoqëruar këtë radhë me grabitje të një pike karburanti duke dhunuar e lidhur rojën, është rishfaqur dje në Burrel. Ndërkohë që, policia vetëm ka bërë ‘inventarin’ e grabitjeve e konfirmon se po punon për identifikimin e kapjen e grabitësve, banorët e terrorizuar po e humbasin për ditë e më shumë shpresën e rikthimit të sigurisë për jetën dhe pronën e tyre. “Nisur nga koha, mënyra e maskimit, armatosjes, objekti dhe saktësia e veprimeve, dyshohet se grabitja e karburantit që ka ndodhur pas mesnatës, të jetë bërë nga persona që kanë pasur dijeni të plotë për sasinë e parave që ndodheshin në pikën e karburantit”,- shtojnë burimet nga grupi hetimor për gazetën “Telegraf”.

NGJARJA

Burime për gazetën japin dhe detaje për grabitjen me armë dhe maska që ndodhi në orën 04:00 të ditës së djeshme në fshatin Baz të Ulzës në Burrel. “Pika e karburantit që është bërë objekt i grabitjes me armë e maska ndodhet në aksin rrugor Burrel-Milot. Grabitja është shoqëruar me terror, duke dhunuar dhe lidhur rojën. Në grabitjen e dhunshme kanë marr pjesë tre persona. Grabitja ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit të ditës së mërkurë në pikën e karburantit të shtetasit, Ndoc Ceka, në afërsi të shkollës tetë vjeçare në të fshatit Baz në komunën Ulëz të rrethit të Matit”,- shtojnë burimet e mësipërme. Mësohet se grabitësit të armatosur kanë mësyrë pikën e karburantit që ndodhet shumë pranë rrugës nacionale Burrel-Tiranë, kur në objekt ndodhej vetëm roja i natës, 50-vjeçari Haxhi Cakoni. Ky i fundit nën kërcënimin e armëve është detyruar të dorëzojë xhiron e ditës e cila shkonte rreth një milion lekë. Pas kësaj grabitësit janë larguar më një makinë të zezë në drejtim të Milotit,ndërsa 50 -vjeçari ka njoftuar pronarin e tij dhe më pas policinë për grabitjen.
HETIMET
Pas njoftimit, forca të policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë marrë në pyetje rojën, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. “Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, janë shoqëruar 10 persona për të dhënë dëshmi lidhur me detaje të grabitjes, apo persona të mundshëm si të dyshuar për këtë akt terrori”- shtojnë burimet për “Telegraf”. Grabitjet në këtë zonë janë një fenomen shqetësues, ndërsa terreni i vështirë dhe i thyer favorizon grabitësit për tu larguar pasi përfundojnë misionin e tyre. “Kohët e fundit, po ndodhin grabitje të shumta e dhunime. Është për të ardhur keq, pasi forcat e policisë nuk po arrijnë të vendosin rend e qetësi. Jeta dhe prona nuk janë të sigurta. Nuk jemi të sigurt dhe kur mbyllemi në shtëpi. Çfarë nuk po ndodhin”,- shton një banor i zonës.