Në dy muaj, 800 kallëzime në Gjykatën Administrative, ankesat kryesisht ndaj Policisë së Shtetit

605
Sigal

Gjykata Administrative jep vendimet e para

Gjykata Administrative në Tiranë në dy muajt e parë të punës është përballur me një fluks të lartë ankesash, 800 të tilla dhe numri më i madh i padive janë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burime zyrtare nga kjo gjykatë bënë të ditur se pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për vitin 2013 (4 Nëntor-31 Dhjetor), janë regjistruar gjithsej 800 padi nga të cilat është marrë vendim për 200 çështje gjithsej. Rezulton se institucionet e paditura nga individët janë, Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila mbart dhe numrin më të madh të kërkesë padive. Në vendin e dytë është Ministria e Drejtësisë. Më tej vjen Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Drejtoria e Përgjithshme e metrologjisë, etj. Pra për 2 muaj nga funksionimi janë dhënë afërsisht rreth 200 vendime. Fundi i dhjetorit ka shënuar verdiktet e para të këtij institucioni në fakt. Kancelarja e kësaj gjykate, Lertida Balili në një prononcim televiziv, tha se, “ngarkesa e punës është në rritje, por kjo nuk i ka penguar gjyqtarët që të japin një sërë vendimesh të çështjeve me karakter administrative, të cilat ankimohen këtu. Në këtë periudhë janë shtuar dosjet për gjykim –nënvizoi Balili, edhe për faktin e transferimit të dosjeve në proces që kanë qenë gjykim në gjykatën e faktit të Tiranës, të cilat lidhen me objektin që Gjykata Administrative pas hyrjes në fuqi të ligjit duhet t’i shqyrtojë. Kjo sigurisht ka rritur në mënyrë të ndjeshme dhe të menjëhershme volumin e punës, por ajo çfarë është e rëndësishme për t’u theksuar është fakti se brenda harkut kohor të 90 ditëve përfundon i gjithë cikli nga ankimimi deri tek përfundimi i plotë i procesit dhe qytetarët marrin përgjigje juridike në një kohë të shkurtër për ankesat e tyre”. Duke folur për trupën gjyqësore që punon aktualisht në Gjykatën e shkallës së parë Administrative të Tiranës, Lertida Balili theksoj se, pavarësisht se është e re, kualifikimi i tyre është i lartë, çfarë është një garanci më shumë për profesionalizëm dhe pavarësi. Ajo shprehu bindjen e saj në rritjen e performancës së këtij sistemi në ditët në vijim, për të krijuar siguri tek qytetarët në drejtësinë e vendimmarrjes.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë nisi rrugëtimin e saj më 4 Nëntor 2013. Qëllimi i saj është për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve që vlerësojnë se ndaj tyre organet ligjzbatuese kanë kryer padrejtësi. Një nga avantazhet që ofron kjo gjykatë është shpejtësia në gjykim nga njëra anë dhe hetimi i çështjes duke marrë në konsideratë veprimet, kohën dhe mënyrën se si organet ligjzbatuese kanë kryer detyrën e tyre, nga krahu tjetër. Kjo gjykatë ka një trupë gjyqësore prej 16 gjyqtarësh dhe afati maksimal për të shqyrtuar është maksimalisht 90-të ditë, duke marrë parasysh të 3-ja shkallët e gjykimit.

200 vendimet e para

Pranim padie- 28

Pranim pjesërisht padie-24

Rrëzim padie-37

Mos-Kompetencë-45

Kthim aktesh-45

Pushim-16