Tentoi të kalonte kufirin me drogë në makinë, poseduesi i ikën policisë

563
Policia Kufitare e Kapshticës ka sekuestruar 11.4 kg kanabis e cila ishte fshehur në një mjet dhe po tentonte të kalonte kufirin. Sipas policisë Jurgen (Denis) Memini 32 vjeç nga Korça ka tentuar të kalojë kufirin me mjetin e tij, por gjatë skanimit të mjetit është evidentuar se në serbatorin e makinës dyshohej se kishte drogë. Menjëherë, 32-vjeçari është kthyer në drejtim të Bilishtit ku gjatë rrugës ka rrezikuar edhe jetën e policiëve, pasi nuk i është bindur urdhërit për të ndaluar.
Njoftimi i Policisë
“Më datë 17.02.2016, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, ky shtetas, pasi ka kryer kontrollin në vijën e dytë të automjetit të tij, tip “Mercedez-Benz” me targë AA009AU, me të cilin udhëtonte, ka kaluar në pikën e kontrollit me skaner. Nga proçedura e skanimit u dyshua se, brenda mjetit, mund të kishte lëndë narkotike. Jurgen Memini, porsa ka parë se i është evidentuar lënda narkotike, nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë, por është kthyer mprapa dhe është larguar me shpejtësi, së bashku me automjetin e tij, në drejtim të Bilishtit duke rrezikuar dhe jetën e punonjësve të Policisë Kufitare që kanë tentuar ta bllokojnë.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë, si edhe u ngritën pika kontrolli, në zonat ku dyshohej se ky shtetas bashkë me automjetin e tij, mund të fshihej. Nga veprimet e shpejta, shërbimet operacionale Kufitare, bënë të mundur gjetjen e automjetit, të këtij shtetasi në fshatin Vishocicë, të rrethit Devoll, ku ky i fundit e kishte braktisur. Në vijim të punës, në lidhje me këtë rast, gjatë kontrollit që Policia ushtroi automjetit tip Benz me targë AA009 AU, rezultoi se në pjesën e serbatorit, u gjetën të fshehura si dhe u bllokuan me cilësinë e provës materiale :
11 (njëmbëdhjetë) pako me bimë të dyshuar narkotike Canabis Sattiva me peshë të përgjithshme 11 kg e 400 gr.
Si edhe në automjet, u gjet dhe u sekuestrua edhe pasaporta biometrike, në emër të këtij shtetasi.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Korçë, si edhe Specialistëve të Seksionit kundër Narkotikëve, po punohet intensivisht, për kapjen e shtetasit të sipërpermendur, evidentimin e personave të tjerë të implikuar, si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprat penale : “Trafikimi i narkotikëve “ mbetur në tentativë, si edhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga nenet 283/a, 22 dhe 242 të Kodit Penal.
Sigal