Përplasja me banorët e Jalës, IKMT: Objektet e shembura, pa leje

151

Inspektorati Kombëtar i mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka reaguar pas pretendimeve nga banorët në Jalë se banesat që po u shemben janë me dokumente dhe po nxirren me dhunë nga policia.

Sipas IKMT, 9 objektet që po shemben në Jalë janë ndërtime pa leje dhe të përjashtuara nga procesi i legalizimit.

“Objektet e shembura janë pa leje dhe  të përjashtuara nga procesi i legalizimit. Objektet 1 dhe 2 katëshe janë me funksione shërbimi hotelerie. Janë bërë njoftimet paraprakisht dhe po vijon puna sipas  ligjit”- thotë IKMT.

Ndërkohë Banorët thonë se po i nxjerrin me dhunë nga banesat e tyre dhe se disponojnë dokumentet.

“Jemi me dokumente të rregullta dhe duan te na nxjerrin me dhunë nga prona e jone. Kemi bërë mbivendosje mbi pronën tonë dhe çështjen e kemi apeluar. Tani presim vendimin e gjykatës. Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për aksionin, por na kanë njoftuar vetëm me gojë”- shprehen banorët.