Viti i ri shkollor 2018-2019 fillojnë shkollën 130.000 nxënës më pak, mbyllen rreth 133 shkolla

2759
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Shkaqet: Mungesa e fondeve shtetërore dhe braktisja e nxënësve për shkak largësisë dhe varfërisë

Dje, filloi viti i ri shkollor 2018-2019. Për çdo komb, viti i ri shkollor duhet të jetë festa e dijes, e përparimit, e zhvillimit. Fatkeqësisht, për ne shqiptarët, dje më shumë shikonim dhe numëronin; sa mijëra nxënës më pak filluan vitin e si shkollor, sa shkolla nuk hapën dyert e tyre, sa shumë shkolla të tjera janë rrënuar dhe në to ka mbirë bari. Mbyllja e shkollave me largimin e tyre nga vend banimi i nxënësve, është një nga faktorët që thellon mosfrekuentimin e rregullt, braktisjen, mosmbarëvajtjen mësimore nga nxënësit. Kjo veçanërisht manifestohet në një realitet ku infrastruktura mungon, apo është larg standardeve, transporti është ai që dihet, kostot e tij janë të larta për ekonomitë e varfra të banorëve. Në këto kushte, kur nuk është parashikuar as edhe një mbulesë financiare për transportin, ushqimin e nxënësve larg shtëpive, ndonjë organizim i përshtatshëm publik për këto etj., nxënësi dhe arsimimi largohen së tepërmi prej njeri tjetrit, me pasoja të thella negative. Po të shtojmë këtu edhe uljen e numrit të nxënësve nga eksodet masive të popullsisë, si pasojë e gjendjes së mjeruar të familjeve në fshatra, tabloja bëhet tragjike, por e përputhshme me këtë realitet që jetojmë. Kjo është e vërteta me të cilën po përballen fëmijë, nxënës, të rritur, familje…

Fasadat e shkollave të reja në qytete, ndërkohë braktisen shkollat e fshatrave

Kryeministri Rama dje uroi nxënësit në shkollën e re “Kosova” në qendër të Tiranës, për të cilën, u deshën vite të tëra të ndërtohej. Ana tjetër e medaljes, e shkëlqimit të vitit të ri shkollor, është se dhjetëra shkolla, në fshatra nuk u hapën, sepse në to mungojnë investimet. Shqipëria investon më pak se çdo çdo vend tjetër në rajon dhe në Evropë fonde për arsimin publik, në bazë të Prodhimit Bruto Kombëtar. Shumë nxënës detyrohen të largohen dhjetëra kilometra nga fshati i tyre, për të ndjekur shkollën në qytet ose në fshatra të tjerë, mirëpo familjet e nxënësve nuk i kanë mundësitë ekonomike, që fëmijët e tyre të udhëtojnë me bileta, që fëmijët të ushqehen jashtë tërë ditën. Kështu që, të detyruar nga pamundësia ekonomike familjare, mijëra nxënës braktisin shkollën. Braktisja e shkollës nga nxënësit, që në klasat e para, shkakton edhe probleme të mëdha sociale, madje kombëtare. Të panxënë, fëmijët do të rriten të pakualifikuar. Rreziku tjetër shoqëror, është se të pashkollë fëmijët, kur të rriten, do të jenë viktima më të lehta të botës së krimit. Qeveria nga viti në vit, e shikon mundësinë duke caktuar fond më të vogël buxhetor, duke shkurtuar fondet për arsimin publik, por kjo do të ndikojë negativisht, në progresin e zhvillimit shoqëror.

Një tjetër fenomen shoqëror, që ndikon në pakësimin e nxënësve në shkollat tona, është edhe emigrimi i familjeve për shkaqe ekonomike. Siç dihet, çdo vit emigrojnë nga Shqipëria, në vendet e ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, afërsisht 100.000 shqiptarë, së bashku me fëmijët e tyre, shumica e të cilëve nuk kthehen më në Shqipëri. Një nga studimet e BB, ka theksuar se në 2030 popullsia shqiptare do të plaket shumë, pikërisht, për shkak të fenomeneve shoqërore, si emigrimi, lindja e pakët e fëmijëve për shkaqe ekonomike, mungesës së plotë të politikave sociale të shtetit që të ndihmojnë ekonomikisht familjet, të nxitë dhe simulojë lindjet e reja.

Kryeministri Rama: Në këtë truall u ngatërruan babëzia dhe korrupsioni

Shkolla 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë ka rihapur dyert për rreth 400 nxënës këtë vit të ri shkollor. Në inaugurimin e saj, kryeministri Edi Rama hodhi akuza ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa njoftoi ndërtimin e 17 shkollave të reja. Kryeministri, Edi Rama, i cili mori pjesë në inaugurimin e këtij institucioni, risolli në vëmendje rrugëtimin e vështirë të kësaj shkolle, të cilën e lidhi edhe me korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Rama: “Në këtë truall u ngatërruan të gjitha së bashku, nga babëzia e deri te korrupsioni i gjykatave. Shkolla u dogj dhe trualli u kthye në mënyrë krejtësisht të paligjshme. Më pas u prenë pishat dhe territori u kthye në parkim. Nga të katër anët u bë çmos për të marrë lejen e pallatit, që do kishte zënë përfundimisht këtë kënd historik të arsimit të Tiranës. Pastaj, administrata e kaluar e bashkisë e vuri në plan të ndërtonte pallat, por më në fund ky makth mbaroi me ndryshimin në Bashkinë e Tiranës dhe me futjen në rrugë të projektit të ri, i cili sot nuk është më një projekt në 3D, por ndodhet para syve tanë. Kryeministri njoftoi se shumë shpejt do të nisë projekti për ndërtimin e 17 shkollave të reja. Rama: “Brenda pak javësh, bashkë me Bashkinë e Tiranës, do të fillojmë projektin e 17 shkollave. Janë 17 shkolla që tanimë janë në fazën finale të fillimit të zbatimit të kontratave, të projektuara nga arkitektë të mëdhenj të huaj, që do jenë në vazhdën e kësaj godinë, me këtë cilësi të re për shkollat ku shkojnë fëmijët tanë”.

 

Qeveria nuk investon, 280 nxënës refuzojnë shkollën, sepse i detyrojnë të shkojnë turni i dytë

Mësimi dje nuk ka nisur për 280 nxënës të shkollës 9-vjeçare në Mengël të Elbasanit. Prindër dhe nxënës janë ngritur në protestë, duke refuzuar të shkojnë për të ndjekur mësim në turnin e dytë në Elbasan. Prej dy vitesh shkolla e Mengelit qëndron e mbyllur, pasi komisioni i emergjencave e cilësoi të pasigurt për shkak të dëmtimit që pësoi nga tërmeti. Megjithëse ka kaluar dy vite që nga ajo kohë nuk ka nisur asnjë investim në këtë shkollë. Prindërit thonë që do t’i lënë fëmijët pa shkollë. Ata kërkojnë hapjen e shkollës së tyre, ndërsa dhe fëmijët kërkojnë të hapet shkolla e tyre. Ky është një tregues i qartë, se qeveria nuk investon në shkollat e fshatrave, por i detyron ata që të shkojnë në shkollat e qytetit, dhe mësimi të zhvillohet me 2 turne, ndërkohë, që lë të rrënohen krejtësisht shkollat në fshatra. Qeveria ka fonde për koncesione, për të rregulluar fasada, për të rregulluar e rikonstruktuar godinat e ministrive, apo sheshet e qyteteve, ndërkohë, që shkurton fondet publike për të investuar në rikonstruksionin dhe në ndërtimin e shkollave në fshatra. Përparësia e çdo vendi janë shkollat, spitalet, qeveria duhet të përkujdeset, fillimisht, që të ndërtohen shkolla e spitale. Është absurde dhe e dënueshme që qeveria të japë koncesion 120 milionë euro për chek ap, ndërkohë me ato fonde do të ndërtoheshin të gjitha shkollat dhe spitalet rajonale nga e para.

Ministria e Arsimit merr masa për zëvendësimin e 16 mësuesve që u pushuan për falsifikim

Bazuar në kallëzimin e bërë gjatë viteve 2010-2013 se në shkollën 9-vjeçare Çermë e Sipërme ka pasur regjistrime fiktive, Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal për “Falsifikimin e dokumenteve shkollore”. Prokuroria e Lushnjës ka filluar hetimet prej disa kohësh për këtë rast, duke kërkuar dje nga gjykata pezullimin e 16 mësuesve. Ky vendim është zbatuar menjëherë nga Zyra Arsimore Lushnjë, duke marrë masa të menjëhershme për zëvendësimin e këtyre mësuesve dhe mos pasur asnjë pengesë për mbarëvajtjen mësimore. Ministria e Arsimit mbështet vijimin e hetimit nga organet ligj-zbatuese dhe siguron se për nxënësit e shkollës nuk do të ketë asnjë pengesë për të vijuar normalisht procesin mësimor. Ftojmë prindërit, mësuesit dhe nxënësit të denoncojnë çdo shkelje apo parregullsi të konstatuar në sistemin tonë arsimor.

Deputeti Luçiano Boçi: URIMI QË DHEMB

Deputetët Luçiano Boçi nga Bradasheshi i Elbasanit pohon se rezultojnë të mbyllura 18 shkolla. Deputeti Boçi shkruan me rastin e vitit të ri shkollor 2018 – 2019:

Do doja që sot të ishte dita më e bukur për të gjithë fëmijët tanë! Për ato që i kemi të ulur sot në banka dhe ata 133 mijë që na mungojnë e janë diku nëpër botë me sytë nga Shqipëria.

Do doja që çdo fëmijë të kishte sot shkollën më të mrekullueshme në planet, libra falas e dashuri njerëzore pa fund dhe jo shkollën ku mungon ngrohja, dritarja, ndriçimi, laboratori, biblioteka e shpesh shkumësi e mjetet mësimore e ku ka vetëm letra “të qara me lot” nga ministrja.

Do doja të ishte dita e buzëqeshjes së zemrës së mësuesit dhe jo e thyerjes së shpirtit të tij nga shpifësia e politikës e mashtrimet e paturp të kryeministrit.

Do doja dhe sa më pak inflacion hipokrizie qeveritare, sa më pak shfaqje ekraneve kur sapo kanë nga parukieri, sa më pak formula boshe dhe buzë-zgërdhirje shabllone.

Do doja të ishte dita e dijes, e garës së sinqertë dhe e ndërtimit të së ardhmes dhe jo dita e radhës e demagogjisë së demagogëve që kanë fikur arsimin.

Saranda çel plot entuziazëm vitin e ri mësimor parauniversitar

Agron MEMA

Edhe në qytetin e Sarandës dhe bashkitë e jugut shqiptar ka nisur viti i ri mësimor parauniversitar 2018-2019 mes atij entuziazmi dhe përjetimit emocional të çasteve të tilla festive. Ka nisur kështu rrugëtimi i dijes edhe për një vit tjetër me pretendime më të shumta në rritjen e efektivitetit të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ajo që ka përbërë lajm në këtë ditë festive arsimore, ka qenë deklarata e deputetit Alket Hyseni se gjimnazi i qytetit të Sarandës “Hasan Tahsini” këtë vit do ti nënshtrohet ristrukturimit strukturor dhe infrastrukturor për të krijuar kushte bashkëkohore të mësimit. Kjo do të ndodhë brenda muajve të parë të këtij viti mësimor. Këtë deklaratë premtuese të deputetit Hyseni e ka përforcuar edhe kryebashkiakja e Sarandës Floriana Koka në përshëndetjen e saj në këtë ceremoni në mjediset e gjimnazit të Sarandës. Janë vet arritjet e kësaj shkolle, janë fitimit e olimpiadave kombëtare, është fitimi i prizmit të artë, janë titujt ekselent që bëjnë të domosdoshme investimet në këtë gjimnaz, gjimnaz që mban emrin e dijetarit të shquar Hasan Tahsini, ish-rektorit të parë të universitetit të Perandorisë më të fuqishme të kohës kur jetoi dijetari shqiptar. Deputeti Hyseni, kryebashkiakja Koka, drejtoresha Barka, përfaqësuesi i prindërve Nikolla, nxënësit ekselentë dhe presidenti i nxënësve, kanë përcjellë urimet për vitin e parë, suksese vitit të dytë dhe sa më shumë të drejta studimi në universitet për maturantët. Janë vitet më të shtrenjta të jetës, por janë edhe vitet që përcaktojnë të ardhmen e jetës, ndaj duhet impenjim për të përfituar sa më shumë dije.

130 mijë nxënës më pak, 133 shkolla që nuk hapën dyert e tyre

133 shkolla nuk hapën dot dyert e tyre, që të presin nxënësit. Shumica e këtyre shkollave janë në fshatra, dhe mungesa e fondeve, i ka kthyer ato në gërmadha. Në raste të tjera, nuk ka nxënës, familjet janë larguar për shkaqe ekonomike në emigrim. Në Qarkun e Gjirokastrës sot fillon mësimi me 18 shkolla më pak! Nga këto, 9 shkolla janë mbyllur në Tepelenë, 6 Përmet e 3 në Gjirokastër. Në rrethin e Korçës tre shkolla nuk do të hapin dyert në ditën e parë të vitit shkollor. 16 shkalla në qarkun e Fierit rrezikojnë të mbyllën për shkak të mungesës së frekuentimit të nxënësve. Shkak për këtë janë bërë kushtet ekonomike të familjeve shqiptare e për këtë edhe largimi drejt emigracionit. Ky numër sa vjen e rritet dhe për këtë arsye 2 shkolla në Roskovec dhe 14 në Fier rrezikojnë të mbyllen. Çdo vit ka reduktim të numrit të nxënësve, dhe arsyeja është emigrimi i fëmijëve, ku kemi bashkim familjar, pasi babai ka qenë emigrant dhe nëna ka qenë këtu bashkë më fëmijën. Bashkimet familjare bëjnë që të reduktohet numri i nxënësve.

Yllka Beci drejtoreshë e DAR Fier: Të rrezikuara shkollat e fshatrave

Drejtoresha e DAR Fier, Yllka Beci thotë: Më të rrezikuar për klasa kolektive, janë ato të fshatrave, ku edhe numri i nxënësve është më i vogël. Sistemimi i orareve mësimore pritet të miratohet nga ministria e arsimit e më pas edhe kalimi i tyre nëpër shkollat përkatëse, ku do të zhvillohet mësimi kolektivisht.

Kristaq Grabocka, drejtori i DAR Korçë: 100 nxënës të klasave 5-9 do të shkojnë larg vendbanimeve të tyre

Një gjë e tillë është bërë me dije nga drejtori i DAR Korçë Kristaq Grabocka, i cili tha se Shkollat e Drenovës, Barçit dhe Kolanecit për shkak të reduktimit të numrit të nxënësve do të mbyllen. Për rrjedhojë 100 nxënës të klasave të pesta e deri në klasën e nëntë do të marrin mësim në shkolla të tjera shumë afër vendbanimeve të tyre. Nga mbyllja e këtyre institucioneve arsimore preken 12 mësues, të cilët gjithnjë sipas Grabockës do të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit arsimor.

Mbi 20 shkolla në Rrethin e Lushnjës kanë mbyllur dyert për shkak të mungesës së numrit të nxënësve. Largimi i tyre jashtë vendit është një prej motiveve kryesore për mos hapjen e këtyre shkollave me fillimin e vitit të ri shkollor. Në qarkun e Elbasanit 18 shkolla janë mbyllur. Deputetja e Partisë Demokratike, Izmira Ulqinaku denoncon se shkolla 9-vjeçare në fshatin Smarisht të Dajçit në Shkodër është mbyllur.

Në Peshkopi janë me dhjetëra shkolla që nuk do të hapen për të pritur nxënësit këtë vit, si në Sllovë, Kala të Dodës (Kallë ), Çidhën(Rrethas, Laças, Renx), Luzni Melan ( mbyllet në Trepçë, ndërsa e Rabdishtit zhvendoset në Bellovë). Janë mbyllur shkollat e Shimçanit, Bahutes e Limnjanit Ka edhe disa të tjera të cilat edhe pse kanë numër nxënësish “padronët” e arsimit kanë vendosur grumbullimin e tyre nëpër qendra.

Ndërsa në Pogradec, deri tani njoftojnë mbylljen e 7 shkollave. Shkollat në të gjitha zonat e Piskës se Vogël do të mbyllen.

Në Qarkun e Gjirokastrës fillon mësimi me 18 shkolla me pak! Tragjike kjo!

Ndërkohë deputeti Isuf Çela është në Kukës dhe thotë që 3 shkolla të mbyllura në Rrethin e Tropojës dhe 6 shkolla në Rrethin e Kukësit, ndërsa në Has ka një rënie prej 15% të numrit të nxënësve që frekuentojnë sistemin arsimor. Deputetja Dhurata Çupi thotë se vetëm në Mat Rama ka mbyllur 10 shkolla, në Klos 6 dhe në Bulqizë 7. Në Lezhë, sipas deputetes Vokshi janë mbyllur 9 shkolla.

 

Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Albana Vokshi pohon se “Sot jemi në ditët më dramatike që arsimi po përjeton prej kalimit në demokraci pas viteve 1990. Në fund të mandatit të parë të qeverisë së Edi Ramës, rreth 133 mijë nxënës ose 1 në 6 nxënës kanë braktisur shkollat! Sipas INSTAT;

– nga arsimi 9-vjeçar janë larguar 57,403 nxënës

– nga arsimi mesëm janë larguar 31,875 nxënës

– nga arsimi i lartë janë larguar 44,425 studentë.

Shkollat e mbyllura:10 SHKOLLA NË MAT, 6 SHKOLLA NË KLOS, 10 SHKOLLA NË BULQIZË, 18 SHKOLLA NË GJIROKASTËR, 8 SHKOLLA NË POGRADEC, 9 SHKOLLA NË LEZHË, 18 SHKOLLA NË ELBASAN, 10 SHKOLLA NË MAT, 6 SHKOLLA NË KLOS, 10 SHKOLLA NË BULQIZË, 7 SHKOLLA NË DAJÇ, 14 SHKOLLA NE FIER