Minat me telekomandë dhe kallashnikovët e kthejnë Tiranën në Kolumbinë e Ballkanit

975
Sigal

Rendi dhe siguria e qytetarëve janë tronditur si asnjëherë, ministri Noka dhe drejtori Burgaj janë kthyer në “Monument Kulture”

Përmasat e frikshme të ditëve të fundit në Tiranë dhe në mbarë vendin, kanë tronditur si asnjëherë shoqërinë shqiptare dhe kanë ngritur shumë pikëpyetjet mbi sigurinë në vend dhe sidomos për strukturat shtetërore që janë përgjegjëse për këtë siguri. Rastet flagrante të kësaj vere kanë ngritur shumë pikëpyetje mbi paaftësinë e Policisë së Shtetit, madje lënë dyshime edhe për bashkëpunim të segmenteve të caktuara me krimin dhe kriminelët. Goditja e krimit dhe siguria publike janë ndër prioritetet kryesore të çdo qeverie jo vetëm në vendet me demokraci të zhvilluar, por edhe në ato totalitare. Të njëjtin angazhim ka shprehur edhe Kryeministri shqiptar dhe kjo duket më së shumti tek investimet e fuqishme të kësaj qeverie në ndihmë të policisë. Është fjala për miliona euro që shteti shqiptar shpenzon për pagat e punonjësve të policisë, për pajisjet nga më të shtrenjtat dhe më të mirat; kemi këtu parasysh armatimin, teknologjinë për policinë kriminale, uniformat, shërbimet e gatishmërisë e plot të tjera. Mjafton të shohim rreth e qark vendit tonë se si policia e këtyre vendeve ende qarkullon me automjete që kanë 20 vite prodhim, mos më shumë, ndërsa automjetet e vendit tonë janë të prodhimeve perëndimore dhe me kilometrazh “0”. Por kësaj gatishmërie të shtetit nuk po i përgjigjen pikërisht strukturat e Policisë së Shtetit dhe drejtuesit përgjegjës të Ministrisë së Brendshme. Sigurisht që çdo gjë ka masë dhe toleranca ka një kufi. Ne e kemi mbrojtur dhe përkrahur Policinë e Shtetit  kur ata kanë arritur rezultate që meritonin vlerësimin qytetar. Kemi qenë përkrah forcave të policisë kur këto të fundit  u goditën brutalisht në 21 Janar, sepse ata e meritonin vlerësimin. Por situata më e fundit kriminale po tregon se strukturave të policisë së shtetit dhe Ministrisë së Brendshme u ka dalë situate nga dora. Dy janë arsyet e kësaj situate: Së pari, duhet të pranojmë së segmente të Policisë së Shtetit janë të inkriminuar më element kriminalë të cilët në heshtje apo për shkak të mitmarrjeve nuk i zbardhin çështjet, duke i shkuar deri në fund lidhjeve dhe grupimeve; ose, së dyti duhet të pranojmë se një pjesë e mirë e specialistëve dhe drejtuesve të drejtorive të policive në qarqe, në Tiranë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë të paaftë dhe u është gjetur një vend pune për të marrë një rrogë të majme ndërsa nuk e kryejnë dot detyrimin ligjor si parandalues, zbulues dhe paralizues të elementëve kriminalë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo situatë e rënduar e krimit. Dhe cilido nga dy rastet e mësipërme të qëndrojë, përgjegjës të drejtpërdrejtë dalin Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe për Tiranën Drejtori i Policisë së Qarkut, Bernard Caushaj. Qytetarët paguajnë taksat dhe duan që mbrojtësit e rendit të jenë në shërbim të tyre. Është e pafalshme që  sot të grabitet në mes të Tiranës dhe të mos dalë qoftë edhe një rast përgjegjësie për inspektorët apo ndihmësit e tyre, për patrullat e policisë. Në bazë të librave të planifikimit të shërbimeve sipas territorit dhe zonës, përgjegjësit duhet të çohen para prokurorisë për neglizhencë apo dezertim nga vendi i shërbimit. Si mund të shpjegohet moszbardhja e vrasjes së deputetit Xhindi apo vrasja e gjyqtarit Konomi në Vlorë? Apo vrasja e farmacistes në Tiranë disa muaj më parë? Moszbardhja e një sërë krimesh të shkuara u ka dhënë zemër dhe siguri kriminelëve të veprojnë lirisht dhe të bëhen më agresivë, siç ka ndodhur ditët e fundit. Bëhet grabitja, regjistrohen nga kamerat dhe heshtje apo mbulim i situatës nga specialistët dhe ekspertët e krimit. Kjo është e patolerueshme. Qëllohet në mes të Tiranës me kallashnikov dhe plumbat tronditin parvazet e dritareve të pallateve dhe qytetari i thjesht mund ta pësojë duke qenë brenda në shtëpi. Vidhet makina, ndalohet nga patrulla e policisë dhe hajduti justifikohet se “po nxitoj se kam nënën sëmurë” (raste që edhe ndodh) por kërkoji dhe verifikoji, minimalisht dokumentet e automjetit. Grabitet dhe goditet për vdekje kambisti, vritet gruaja për një varëse, grabiten lokalet dhe askush nuk i mban nën survejim këta elementë. Për të arritur te rasti flagrant i Elbasanit kur kriminelët hynë brenda në shtëpinë që ruhej me policë dhe shkaktojnë një vrasje të dyfishtë. Po të shikohen kartelat e punës ditore të punonjësve të policisë do shihet që shumica e tyre janë bosh dhe pa lënë gjurmë. Mungojnë raportet ditore, të cilat kur të arrestohet më vonë një element apo grup elementesh, të bëhet ballafaqimi me atë çfarë ka raportuar ky inspektor apo patrullë policie para 2, 3 apo 6 muajsh. E pra, këto dhe shumë të tjera nuk funksionojnë, pasi patrulluat më së shumti rrinë nëpër lokale dhe në këtë mënyrë janë më të kontrolluar nga elementët kriminalë, të cilët janë më të qetë në aktivitetet e tyre të grabitjes dhe krimit.  Shpresojmë që kjo të mos shërbejë si goditje për policinë por si një apel i fuqishëm, që nesër të mos jetë vonë dhe qytetarët të bëhen kundërshtarë të policisë, duke ndëshkuar me votë qeverinë për paaftësinë e strukturave të paafta apo të inkriminuar.  Qeveria po shpenzon maksimumin për rendin dhe qetësin publike dhe, nëse  Ministri  Noka, drejtori Burgaj dhe vartësit e tij nuk e kuptojnë apo kanë gjetur rehatinë duke lënë krimin të lulëzojë, i takon kreut të maxhorancës Berisha t’i ndëshkojë  tani, pasi nesër do jetë  shumë vonë.

 ______________________________________________________________

Sherr me thika në Sharrë, masakrohet 24-vjeçari

Tiranë- Një sherr me thika mes 3 të rinjve ka ndodhur në fshatin Sharrë të Tiranës. Dy të rinj, Aqif Daçi, 24 vjeç dhe Sokol Doçi, 17 vjeç janë plagosur pas përplasjes me Armand Arjan Moqi, 21 vjeç. 24-vjeçari Daci ka mbetur i plagosur si pasojë e disa goditjeve me thikë. Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë dhe ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Kryeqytet. Policia ka arrestuar autorin që e goditi me thikë Armand Moqi. Edhe ky i fundit ka mbetur i lënduar nga sherri me dy të rinjtë, por pa pasoja serioze për shëndetin. Sherri ka nisur për motive banale mes dy të rinjve. Policia ka nisur hetimin dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë për procedim penal ndaj 21-vjeçarit, Moqi.

 ________________________________________________________________

Plagoset me automatik 40-vjeçari, arrestohen 3 persona

Tiranë- Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona pasi akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Është marrë masa e arrestit për 28-vjeçarin Aldi Haki Horanlli dhe 40-vjeçarin, Eduart Omeri, ndërkohë që, u shpallën në kërkim 25-vjeçari, Kristo Haki Horanlli dhe 39-vjeçari Fatmir Fejzo Garuja. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Lagjja e Re”, pranë Kopshtit Botanik, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta përmes shtetasve Aldi dhe Kristo Horanlli dhe shtetasve Eduart Omeri dhe Fatmir Garuja, ku ky i fundit ka qëlluar me armë automatike duke tentuar të vrasin njëri- tjetrin. Për pasojë është plagosur shtetasi Eduart Omeri, i cili gjendet i shtruar në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Nga Strukturat për Krimet e Rënda dhe Komisariati i Policisë Nr.1 Tiranë, janë kryer veprimet e para hetimore e procedurale, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje.

 ________________________________________________________________

Gjendet një grua e mbytur në liqenin e Pogradecit

Një grua është gjetur e vdekur ditën e djeshme në Pogradec në rrethana ende të paqarta për policinë. Trupi i pajetë i 54-vjeçares me inicialet C.L., është gjetur e mbytur në dalje të qytetit të Pogradecit, buzë liqenit në vendin e quajtur “Fortesa e Parë”. Policia ka shkuar në vendngjarje pas njoftimit dhe ka nisur hetimit. Gruaja është banuese në fshatin Vërdovë të Pogradecit. Një grup hetimor i policisë së Pogradecit është ngritur për zbardhjen e ngjarjes. Bërja e autopsisë së turpit, pritet të zbardh dhe shkaqet e vdekjes së gruas.

 ________________________________________________________________

Kapet banda që grabiste supermaketet

Tiranë- Një grup prej 4 të rinjsh që dyshohet të jenë autor të një sërë vjedhjesh në Tiranë janë arrestuar nga policia. Të arrestuarit janë shtetasit E. Zekolli, 17 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar 3 herë për veprën penale të vjedhjes, E.Dyrmishi, 17 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, R. Beqiri, 16 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar 2 herë për vjedhje dhe D.Muçaj, 14 vjeç, janë arrestuar pas vjedhjes së një supermarketi. Ata janë kapur në flagrancë në rrugën “Ali Kelmendi”, nga Patrulla e Përgjithshme, pasi dyshohet se kane vjedhur në supermarket “Beni”. Pas arrestimit policia ka arritur të zbardh dhe një sërë vjedhjesh të ndodhura në zona të ndryshme në Tiranë. Ndaj tyre ka nisur procedimi penal. Ndërkohë që, po punohet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të kryera në Tiranë.

 ________________________________________________________________

 Pas një zënke banale, plagoset 21-vjeçari

Elbasan – Një 21-vjeçar është qëlluar me thikë dje në fshatin Gjonme në Cërrik. I riu me inicialet A.T. është qëlluar nga shtetasi Sajmir Hameti, 32 vjeç pas një konflikti për motive të dobëta. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka bërë të mundur arrestimi e Hametit për plagosje të rëndë me dashje. Policia ka sekuestruar dhe thikën me të cilën u bë sulmi ndaj të riut. Ndërkohë 21-vjeçari është dërguar në Spitalin Kirurgjik Elbasan, ku është jashtë rrezikut për jetën. Nga ana jone në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e ftohtë e llojit, thikë.